Unë jam modele e jetës sime
Nuk kam ecur e as shkelur në tapet të kuq
As në pasarelat e veshje-zhveshjes nuk jam ngjitur
S’kam shitur ndër revista budallallëk, as huq
Unë me xhepa bosh e zemër plot jam rritur
Unë s’jam e famshme, që të më njohë gjithë bota
Nuk kam kontrata ku luhen milionat
Nuk kam aktruar ndër skena të kota
Kam shkelur në shkëmbinj
Ku pushojnë shqiponjat. Angjelina Lina Ndoj
Nuk e di
Të thashë: “të dua”
Ti qeshe dhe më the: – e di!
Të thashë: “të urrej!”.
Ti qeshe dhe the:
Se mos vetëm ti
Të thashë, do të iki,
Ti qeshe, dhe më the:
“Nuk është e vërtetë!”
Unë do të iki, por nuk e di,
Do të qash, apo do të qeshësh
Kur të më humbësh përjetë?! Alban Arapi
Absurditet
Dy vëllezër u vranë, për një copë tokë
sot, asnjëri prej tyre nuk është më në jetë
përmbi të, s’u morën vesh dot
poshtë saj, ndofta prehen të qetë… Skender Laze Trebeshina
Shpirti dhe fjalët
Marr një botë e hedh në letër
E një qiell e bëj diçka
Marr një laps edhe një tjetër
E di mirë ç’të bëj me ta…
Marr pak ngjyrë nga zemra ime
E ngjyros një botë të tërë
Marr një raft mbushur kujtime
E di mirë se ç’duhet bërë.
Marr një femër të lënduar
Që besoi në dashuri
Dhe e bëj të dashuruar
E di mirë atë ”sesi”.
E nga shpirti m’dalin shkronja
Unë me zemër i bëj fjalë
U jap dritë si xixëllonja
E di mirë se ç’do të dalë…
E kur shkrimi të ketë mbaruar
Emri im do të jetë stampim
Gjer më sot çka unë kam shkruar
Është meritë e shpirtit tim! Bledi Ylli
Nuk je e vetmja
Mendo veç një çast,
ti s’je e vetmja “vajtimtare”
e kësaj bote
e mbushur me ligësi.
Kujto veç një çast,
se nën këtë qiell
ka sy të cilët,
mbushin një oqean me lot,
e ti nuk je e vetmja
zemërplasur! Donika Paci
Burrat qajnë fshehtas
“Burrat qajnë fshehtas”
Lexova një herë diku
Kjo i bën më krenarë
Dhe “degdisin” dhimbjen kuturu!
Burrat qajnë fshehtas
Frustrokan dhimbjen më kot
E ngarkojnë shpirtin e shkretë
Por dhimbjen s’e fshehin dot…
Burrat qajnë fshehtas
Ndoshta pa lot e vaje
Por shpirti i tyre e di mirë
Kur u ngarkohet ndërgjegjja me faje! V.Kalemi
Mungesës nuk i shpëton dot
Pranvera ka trokitur,
ndoshta te ti, i dashur,
ka mbërritur kohë më parë,
lulet e oborrit tënd,
ta dish, i kam shumë zili,
ato çdo ditë ty të shohin,
ndërsa unë… veç nga larg.
Aroma e tyre
lehtë ty shpirtin ta deh,
atë të parfumit tim,
mbase e ke harruar,
veç kur, në ndonjë bar
të dëgjosh një këngë a melodi,
ndoshta me mall
ke për të më kujtuar.
Në rrugë kur të jesh,
mes njerëzve i vetmuar,
ndoshta një tjetër
me mua do të ngjasojë,
do të shpejtosh hapin,
pranë t’i afrohesh,
në çdo palë sy, sytë e tu,
të mitë do kërkojnë.
Edhe atëherë kur…
në ndonjë tjetër shtrat,
i pērhumbur do lëshohesh
epsheve i tunduar,
prekjen time, pa dashur
te tjetra do ta ndjesh,
do t’kuptosh që edhe aty
s’je me të… por me mua.
Ndoshta veten do të urresh
e ndër dhëmbë do mallkosh,
pafuqinë tënde për t’më harruar,
atëherë… i dorëzuar, i lëshuar,
do t’kuptosh,
se largësia a të tjerë shtretër
nuk mjaftojnë,
mungesës sime, aq lehtë
për t’i shpëtuar! Aida Previzi
Ëndrrat vdesin në të gdhirë
Të ëndërrosh është bukur
Sepse në mos, realitetin e vizioneve të mbrëmjeve vonë
Jeton momente që dëshiron thur-krijon
Që çdo gjë të ish e vërtetë
Gjithçka ndodh kur “dëshiron” e do të doje
Sepse nuk ke! Edhe të mungon.
Dëshiron me gjithë shpirt…
Shfaqesh mbrëmjeve në imagjinatat e mia
Më shfaqesh më e bukur se një engjëll
Më e hijshme se një perri
Më e çmuar se çdo sasi thesari
Dhe realitetin që prek me dorë
E idealizoj përtej së vërtetës
Natyrisht, po krijoj përrallë
Kush i thotë fjalët, skena, vizionet është truri e zemra ime
Që për dashurinë tënde e dashur
Shndërrohet mbrëmjeve vonë regjisor i skenave
Por ëndrrat vdesin pabesueshmërisht
Në të gdhirë!
Por ti më ke hyrë në shpirt
Dhe unë aty të ruaj përgjithmonë. Armando Hako