Më mirë do të ishte ta shtronim pyetjen ndryshe se pse, ujqërit, kur angullijnë, nuk shikojnë vetëm Hënën, por edhe objekte të tjera rreth tyre. Angullima është forma më e rëndësishme e komunikimit “shoqëror” të këtyre grabitqarëve, në radhë të parë, me njëri-tjetrin. Ujku që angullin ka disa qëllime: Mban lidhje me kopenë e vet, e ndihmon atë në koordinimin e veprimeve të përbashkëta, afirmon të drejtën e “pronësisë” mbi territorin e vet, u kumton ujqërve e tjerë kur bie në gjurmët e gjahut, si dhe jep informacione të ndryshmme në interes të kopesë. Mund të thuash se angullima në jetën e ujqërve luan të njëjtin rol si brirët komunikues për njerëzit në lashtësi, në çetat dhe trupat e tyre ushtarake, ose si daullet, ca më vonë. Përfytyrimi se ujqërit i angullijnë Hënës është krijuar te njerëzit për disa arsye. Së pari, se kur angullijnë, ujqërit e ngrenë kokën lart në mënyrë që zëri të përhapet sa më shumë gjithandej. Kjo i ndihmon ujqërit e tjerë që të përcaktojnë më mirë vendndodhjen e angullitësit komunikues. Së dyti, ujqërit angullijnë më shumë natën sepse pikërisht në atë kohë janë edhe më aktivë. Në fakt, ata pak duan t’ia dinë nëse ka apo nuk ka nata hënë, por netët me hënë zakonisht janë më të qeta, pa erë, ndërsa edhe në këtë mot, zëri (angullima) përhapet më mirë. Veç kësaj, vetëm kur ka hënë, njerëzit e shikojnë ujkun që angullin…
Advertisement