– Jam 27 vjeçe dhe kam humbur babain, me të cilin isha shumë e lidhur, plotësisht e varur. Po kaloj një gjendje shumë stresante, më duket sikur po shkatërrohem nga dita në ditë. Nuk shkoj dot në shtëpi sepse gjithçka më kujton atë, edhe aroma e tij, kur e ndiej në shtëpi më nervozon; mungesa e tij po më shkatërron jetën. U bënë tetë muaj dhe unë akoma s’e kam marrë veten. Marr ndonjë ilaç vetëm për të fjetur gjumë. Kam edhe çrregullime të ciklit menstrual. Ju, si e shpjegoni këtë gjendje dhe çfarë mjekimi mund të marr? A mund të quhet sëmundje kjo që po kaloj unë? Kam qenë shumë e varur pas tij dhe vazhdoj të mos e mendoj dot jetën pa të. Edhe partnerin kur e kërkoj, dua që t’i ngjajë babait tim. Edhe kjo, sëmundje është? E doja shumë, por nuk e shikoja si mashkull, se mos ma merrni për keq… E adhuroja dhe kaq! Livia.
Dr. Valentina Qemalli (Asabella), psikiatre: – Përshëndetje Livia! E lexova me kujdes letrën tuaj. Mënyra se si shpreheni tregon një lidhje të ngushtë, por aspak për t’u paragjykuar. Vuajtja për humbjen e babait është shumë e madhe sepse edhe lidhja mes vajzave e babait është e veçantë. Për sa kohë që ju nuk gjeni qetësi, mendoj se keni nevojë për ndihmë, nuk mund të përdorni medikamente pa këshillën e mjekut.
– Jeta është e gjatë, ju akoma nuk e keni filluar dhe ju siguroj që edhe babai do ishte i lumtur nëse ju do të vazhdonit përpara, sigurisht, duke e mbajtur në zemër mallin dhe dhimbjen e duke i kthyer në nxitës për të vazhduar përpara. Do t’ju këshilloja të nxitonit.
Advertisement