Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

NË KËRKIM TË GJAKUT BLU Nga Mitro Cela

Nesër më 1 maj mbush 67 pranvera?! Me këtë rast po ribotoj këtë haber. I gjatë? Si mosha ime…

Erdhi në Tiranë një miku im. Eshtë nga Austria. Në dejet e tij rrjedh “Gjak Blu”! Kjo metaforë në shqip përkthehet: Rrjedh nga një familje e fisme. Në fisin e tij, ka degëzime që futen në shumë familje mbretërore të Evropës.
Miku im quhet Shmid, dhe bën pjesë në lëvizjen Panevropiane. Kur i tregova se Panevropa është krijuar edhe në Tiranë, dhe ka për Kryetar Genc Pollon, fërkoi duart nga kënaqësia. Kur i shtova se edhe unë jam anëtar i Panevropës, kërceu më këmbë. Më mbështolli mes duarve dhe nisi nga pyetjet:
-Më trego për Trungun e Familjes…
-Në fshatin tonë, nuk mbanim kurrë trungje në shtëpi. I prisnim dhe bënim zjarr në oxhak…
-E kam fjalën për fisin. Ku nis e ku bitis? Me cilin princ është martuar stërgjyshja…Sa “Gjak Blu”…
-Nuk kam asgjë…
-Ky është kulmi! Por do të gjejmë derman! Së pari, pak “ngjyrë” marrim nga Partia Demokratike. Shtojmë pak bojë nga anëtarësia në Panevropën. Së fundi, duhet të gatuash historinë e fisit tënd…Nxito! Për gjashtë muaj do të të bëj me “Gjak Blu”…
-Harrova të të them: Kam medaljen “Nënë me shumë fëmijë”. E ka marrë mamaja, këtu e 30 vite më parë, sepse zbatoi në mënyrë krijuese direktivën e Shokut Enver, për të mbushur oborrin me kalamanë…Si thua: Mund të “tretet” kjo medalje në “Gjakun Blu”?
-Futet që çke me të…
Ky është sebepi që më nxiti të shkruaj artikullin që do të lexoni më poshtë. Kam një këshillë: Mos e merrni çdo gjë seriozisht! Nuk kam mundësi të importoj “Gjak Blu” për këndonjësit!
Kam lindur në Përmet. Më saktë në fshatin Mbrezhdan. Një fshat që ka më shumë shkëmbenj e gurë se sa pemë e tokë buke. Shumica ishin kallajxhinj. Zanat që i bënte endacakë nëpër Shqipëri. (Deri në epokën e ndritur të Enverit. Këtu stop. – Kallajxhiu ishte profesion privat, dmth mikroborgjez. Person i rrezikshëm për shoqërinë socialiste. Kjo bëri që fshati të braktiset dhe si “çeçenët” të vërshojmë drejt zonave të buta- Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat.)
Së bashku me dervishët, sa imagjinarë aq edhe me famë të Malëshovës, që me bëmat e tyre mashtruan rreth një shekull gjysmën e vendit, kishin gatuar një kod gjuhësor për bisedime, marrëveshje, traktate, allishverishe.
Ne kemi edhe gjuhën tonë për tu llafosur. Ky nëndialekt ka një përzjerje fjalësh nga më të çuditëshmet. Njihet me termin DOGANÇE. Thonë se ka një fjalor prej 700-800 fjalësh. Ja disa fjalë. Vajzë = proke. Plakë = shidhe. E bukur = e kolme. Seks = të thursha. Myslyman = gorro. Kupton = rruc. Grek = ckulo.
Shumëkush mendoi se Dogançia u harrua. I takon të kaluarës. Por jo. Shqipëria është vendi i skafeve. Skafistët e kanë të vështirë të mësojnë dy – tre gjuhë të huaja. (Gjuhën e kurdëve, kinezëve, arabëve. Shqip: Gjuhën e mallit që transportojnë.) U mblodhën një ditë kapot. Në roje komisarët e policisë. Ndryshe do të kishte kërcitur kallashi. Pas debatesh të gjata, të gjithë vendosën të mësojnë gjuhën dogançe. U quajt më e lehtë, falë fjalorit të shkurtër.
Tani kërkojnë instruktorë. Pagesa: Të ardhurat nga eksporti i dy kurdë dhe tre kinezë! Në vlerë bëjnë tre milionë lireta!…Po më kërkuan, unë do të shkoj. Nuk vë dorën në zjarr për Vasil Gjikën, që edhe ai si unë është nga Mbrezhani dhe ka qënë deputet!
Thonë se prejardhjen e kemi nga Hormova e Tepelenës. Disa nuk e besojnë, sepse nuk ka një dokument të shkruar. Unë i besoj babit. (Nuk mund të vlejë kurrë një dokument sa dëshmija e një robi të gjallë. U duket citat nga e kaluara? Nuk është sagllam. A nuk u lirua nga burgu Zani me Kakamin herën e parë, sepse nuk kishte dëshmitarë?) Ku na na geci muhabeti… Tek babai… Ai na tregonte. Ali Pasha donte të na kthente besën. Donte të na bënte muhamedanë. Por nuk pranonte katragjyshi ynë, Çelo Zëra me famë. Prandaj një ditë u nisën të gjithë si fis. Duan të thonë se kjo ka ngjarë aty rreth viteve 1815.
Sot janë zhbërë zakonet fetare. Po shkoi Mazllëmi në Greqi, e ndjellin Vasillaq. Kur kapërcen Adriatikun Manushaqja, në pashaportë ka emrin Xhozefina! Unë në shtëpinë tima, që jam edhe stërnip i Çelo Zërës me famë, e kam bastarduar fenë në një farë mënyre, që nuk ke nga të më mbërthesh. Unë Ortodoks. Vjehrra myslymane. Vjehrri katolik. Nusja e shartuar. Djali hibrid!
Kohët e fundit janë zbuluar fakte të reja për braktisjen e Hormovës nga stërgjyshi im. Arratisja e madhe nuk ka ardhur nga feja, por nga homoseksi. Oficerët anglezë që qëndruan këtë pranverë në Elbasan, paskan treguar se Çelo Zëra na paska patur miqësi me Bajronin, shumë më të gjerë se sa miqësia e Blerit me Pandeli Majkon. Po pse vallë? Sipas arkivave anglezë del se baza e miqësisë qëndronte në dy arsye. Së pari, Çelo Zëra nuk dinte anglisht. Dhe kjo është arsye e fortë për miqësi midis anglezit poet, me stërgjyshin tim, kapedan.
Po ka edhe një arsye të dytë. Bajroni çalonte nga e mëngjëra. Populli thotë: Mish ngjale e seks çale. (Unë në fakt thashë të shkruaj llafin që përdori Adami, kur Eva hëngri mollën e ndaluar në kopshtin e parajsës. Por të lë redaktori! Jo më tha, se bën pjesë në një parti serioze! ) Por le të kthehemi tek miqësia e Çelos me Bajronin. Dihet që Bajroni ishte i ri, i bukur, i famshëm dhe përthyente pak këmbën e mëngjër! Cilësi, që në kohën moderne të bëjnë të jetosh i qetë dhe i lumtur. Homoseksualët i bron me ligj Këshilli i Evropës!
Një ditë, Pashai thirri Çelon. E ke mik Bajronin? E kam. Mund të ma biesh në bashdhomë? Ta bije, Pasha të ndritë shpirti.
Dhe shkoi Bajroni duke u tundur tek Pashai. Thonë se u kënaq aqë shumë nga Pashai 70 vjeçar, sa me vrap thuri një takëm vjershash, nga ato që vijnë si të mjergulluara, si vargjet e njërës nga sonetat e Shekspirit, që duke qënë se i këndohet bukurisë së një mashkulli, mundën t’i zbërthejnë dhe lezetojnë, një takëm nga punonjësit e nderuar të meritokracisë shqiptare.
Kjo love story midis Pashait të fuqishëm dhe më të madhit poet të anglezëve, zgjati sa nuk mbahet mënd. Një ditë pranvere, pasi thuri poezinë: “Bishtalecat gjer përdhe / erë e detit se ç’ti ngre…Bajroni u përqafua si burrat me Çelo Zërën dhe morri rrugët e Evropës.
Pas disa ditësh, stërgjyshin tim e thirri Pashai:
Aliu:-Në Darkë dua të bisedoj me Dylberin për problemet e financës..hi…hi…!
Çelo: -Pasha i ndritur! Nuk kemi në oborr asnjë Dylber. Do të vijë një i tillë. Por shumë mote më vonë. Do të jetë nga fisi i Vrionëve, do të ketë diplomën e inxhinierit, por do të bëhet Guvernator i Bankës dhe Ministër i Financave. Për Pasha do të ketë një mjek nga fisi i Berishajve. Dylberi i ardhshëm do t’i bëjë një shërbim të madh kombit: Do të zgjidhi borxhin e Shqipërisë në Klubin e Parisit…Pastaj do të humbasi nga politika, siç humbet në përrallë sëpata bishtin…
Aliu:- Ne të fesë së Allahut, Dylberët nuk i bëjmë ministra, por i futim në krevat. Unë fjalën e kam për Bajronin…
Zëra:- U largua…
Aliu:- Lanet, se ishte djalë i ëmbël. Do më dhëmbi xhani….Duku nga mesnata të shkëmbejmë ca muhabete…
Dhe shkoi Çelo Zëra tek Pashai, si cjapi tek kasapi. Hëngri, por më shumë piu raki prej mani të zi. Në fund thithi edhe nargjile…Klu-klu bënte nargjileja në poçin e prodhuar enkas. Çelua perëndoi sytë duke parë ëndrra me mbret…
Në mëngjes ndjeu një dhëmbje, atje ku kryqëzohen këmbët. I thotë pashait: Çfarë dreq rakie është kjo, e pi nga goja dhe të dhëmbin të ndenjurat. Ha…ha…ha…qeshi me zemër Pashai. Do mësohesh evlat do mësohesh! Kur mori vesh të vërtetën, Çelo Zëra rrëmbeu fisin dhe bëri atë që tregoi babai në historitë e tij…
Në këmbë të malit të Trebeshinës, atje ku gjarpëron lumi i Vjosës, dhe ku nis Gryka e Këlcyrës, është një rrip toke që quhet Fusha e Ftohtë. Nuk mbillnim as grurë e as misër, – tregonte babai. Ishte livadh. Kullosnin lopët, dhëntë dhe gomerët e fshatit. Nuk ka kafshë më të bekuar për fshatarin se sa gomari! Rron me gjethe fiku, bar e gjëmba. I fortë? Si një mushkë italiane. E ka bekuar perëndia edhe pse emrin e ka gomar!
Por unë them se nuk është i keq gomari si gomar, si kafshë. I keq është njeriu, që kur i peshojnë trutë dhe huqet, i thonë gomar! Dhe i paçim uratën Perëndisë, këto kohët e fundit janë shtuar të dy llojet e gomarëve: Ata, për samar dhe ata, për kapistall! Nuk i shohim rrugëve, sepse mishi u eksportohet në Itali. Trutë që nuk i ha italiani, i blejnë politikanët e kombit!
Neise! E lamë tek livadhi. Në anën tjetër të lumit, në shpat të malit, janë Sarajet e Beut. Sot janë të shkretuara. Dikur: Bukuri dhe mister. Aty banonin stërgjyshët e Ali Bej Këlcyrës. Bejlerët ishin të pangopur. Kishin gjithë fushat, donin edhe livadhin tonë.
Një ditë Beu thirri Kryeplakun e fshatit. I tha: Hiqni lopët! Aty do të kullosin kuajt e mi. Do të hajë barë vetë Pela që e kam sjallë nga Stambolli për Zonjën time!
Kryeplaku, që ishte njeri me një barë mënd tha: Lepe! Po heqim lopët dhe po lëmë gomarët. Mbase, ndërhyn qoftlargu dhe ndonjë gomar i rracës sonë ia hipën Pelës së Zonjës dhe na del ndonjë mushkë e bukur si peri, sepse do të ketë trutë e gomarit tonë dhe bukurinë e Pelës së Zonjës!
Beu: Përjashta zuzar! Qehajai, në shenjë respekti e “gostiti” kryeplakun me disa shkopinj thane bythëve. Ishte e vetmja gjë e mençur që dinte të bënte qehajai. Thonë se u deshën 40 ditë që prapanicat të riparoheshin, duke ngrënë çdo ditë vaj ulliri dhe fletë mëllage! Nuk jam shumë i sigurtë, por thonë se ilaçin ia gatuante dhe vendoste nën të ndënjura vetë priftëresha, në shkëmbim të hallateve.
Këto gër-mëre, unë mendoj, janë mbajtur gjallë nga cmira e vejushave të fshatit! Se që ta dish, vazhdonte tregimin babai, ujët e fshatit tonë u zgjat jetën grave dhe ua shkurton burave. Ndaj një burrë, sipas defterëve të kishës, mund të mbante edhe katër gra. Por ishin pa fat, sepse në vend të xhamisë kishin një takëm kishash!
Për kureshtarët do të vazhdojmë historinë e vjetër. Fshati ynë kishte Zot! Kishte Kapedanin. Një ditë zbriti nga strofa ku jetonte. Në livadh kullosnin bagëtitë e Beut. Majën e barit e hante Pela e Zonjës. Kapedani i thotë qehajait:
-Kape Pelën e Zonjës dhe bjere tek shalët e mija!
-Të puthça atje ku nuk e thotë goja, – mjaulliste qehajai. – Po nuk e çova Pelën në Saraje, më vret Beu!
-Po unë, pse e kam Belxhikun, – se Kapedani mbante një pushkë që kishte ardhur nga Belgjika. E rëndë. E frikshme. Villte vdekje. Kuptohet vetëm kur ishte në duart e Kapedanit.
(Sot trimat kanë ndërruar qimen, por jo zakonet. Nuk rrëmbejnë pela, por autobuzë, sidomos kur janë të mbushnur me grekë. Pastaj rrëmbehen çupat, mundësisht sa më të vogla. Pa folur për parallinjtë dhe fëmijët e tyre.)
Por le të kthehemi tek kapedani ynë, që mban belxhikun në dorë dhe…Dhe fap, ia vuri qytën mbi trurin e vogël! Qehajai u lag. Ashtu i qullur, mes erës së thartë, kapi Pelën e Zonjës.
Hop kapërceu Kapedani dhe hipi mbi Pelë. Ajo, sa nuk u këput në mes! Ishte mësuar të mbante Zonjën që nuk peshonte më shumë se 45 okë. Kurse Kapedanit vetëm hallatet i peshonin 5 okë e gjysmë! Kështu tregonte Marua e Çiçorrajt, që thonë se ishte e pangopur si buçja e Jarazit. Veçse një ditë, pasi përlau një përshesh me ponç, në avull e sipër Marua tregoi një sekret:
-Kur ma vuri Kapedani një herë tek rrota e mullirit, një javë më humbi thumbi!…Po ç’është ky thumb, moj Maro korba, që mos të tretë dheu!…Qyqja! Thumbi i qejfit, de dhe ha..ha… e ku…ku!
Pasi hipi, në kohën kur pela u drodh një herë rreth vetes, Kapedani përdrodhi mustaqet dhe tha:
-T’i bësh me shëndet Beut. Thuaj: Atje ku vendoste Zogun Zonja do të vërë Bilbilin Kapedani!
Të nesërmen, nga Sarajet doli një shtëllungë tymi. Pastaj një shpërthim tek shtëpia e Kapedanit. Beu qëllonte me top nga të Turqisë. Shumë shpejt shtëpia u rrafshua.
Por nuk e hante bukën thatë Kapedani! Beu çdo mëngjes pinte kafe në ballkon. Fresk! Poshtë – Vjosa. Përballë -Trebeshina. Parajsë e shkuar parajsës. Rrufiste kafe e kulloste sytë Beu!
Por pamp! Dhe Beu vari kokën. Ne i themi hëngri bukë e fiq – e vdiq. U sulën qën e mace! Na iku beu!…Dhe zunë kujën graria. Kishte ngjarë hataja. Vdis të të dua! Po ç’ishte kjo hata që nuk e kishte parashikuar as personazhi më simpatik i shtypit shqiptar në vitin 1999, Nostradamus?
Karshi Beut, në shpatin tjetër të malit kishte zënë pusi Kapedani. Në duar mbante Belxhikun. Mori nishan. Tërhoqi këmzën dhe Beu na la shëndenë!
Balta do të do të mbulojë baltën, tha kapedani, që pasi e flaku belxhikun në greminë, filloj të imitojë Nanon duke fërkuar mjekrën me dorën e majtë… Përdori dorën e majtë, sepse kështu i kishte edhe bindjet: Ndryshe nuk do t’ia zbraste në lule të ballit gjyshit të Ali Bej Këlcyrës, që ishte i djathtë me soj e sorollop…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Tepsi qebab (qofte alla turka)

Next Post

10 gjëra për të mos u harruar, kur njihni një djalë

Advertisement