Shihni çfarë mund të bëjnë telat, këllëfët, veshja e dhëmbëve, urat, implantet, rregullimi i mishrave, apo protezat, për buzëqeshjen tuaj…
1. Lidhja e dhëmbëve
Lidhja, ose përforcimi i dhëmbëve (“bonding” në anglisht), është një procedurë, gjatë së cilës një rezinë me ngjyrën e dhëmbëve aplikohet mbi dhëmb dhe forcohet me anën e një drite speciale, duke e “lidhur” materialin me dhëmbin, për të përmirësuar buzëqeshjen e personit. Kjo është një ndër procedurat më të lehta dhe më pak të kushtueshme për dhëmbët, që mund të riparojë dhëmbë të ciflosur apo të thyer, të mbyllë hapësira, të ndryshojë formën e dhëmbëve, ose të përdoret si alternativë ndaj mbushjeve me amalgam me argjend.
2. Veshja
Veshja e dhëmbëve bëhet me një shtresë të hollë në formën e dhëmbëve, e cila mbulon sipërfaqen e tyre të jashtme. Ajo mund të ndryshojë ngjyrën, formën, madhësinë apo gjatësinë dhe mund të përbëhet nga amalgami, apo rezina kompozit. Veshja ofron një ndryshim të ngjyrës apo formës së dhëmbëve, duke i ruajtur dhëmbët (ndryshe nga këllëfi), por procesi është i pakthyeshëm.
3. Këllëfi
Këllëfi, nga vetë emri, është një “kapuç” që vihet mbi një dhëmb të dobët, apo të dëmtuar, për të përmirësuar formën, madhësinë, forcën dhe pamjen e tij të jashtme. Shumica e këllëfëve zgjasin 5-15 vjet dhe mund të jenë prej metali, porcelani me metal, rezinë, ose qeramikë. Para se të vihet këllëfi, dhëmbi gërryhet për t’u zvogëluar dhe mbi të, çimentohet këllëfi, që zëvendëson kurorën e dhëmbit. Ekzistojnë edhe këllëfët e pjesshëm.
4. Ndryshimi i formës së zmaltit
Ndryshimi i formës së zmaltit apo konturimi është një proces i shpejtë dhe pa dhimbje i ndryshimit të formës natyrale të dhëmbëve, për të përmirësuar pamjen e tyre të jashtme. Në përgjithësi, përdoret për të korrigjuar gjëra të vogla, si dhëmbët e pabarabartë, ose që janë lehtësisht mbi njëri-tjetrin. Rezultatet mund të shihen menjëherë. Ky proces, shpesh, kombinohet me zbardhjen, veshjen apo lidhjen.
5. Aparatet e dhëmbëve (telat)
Telat mund të korrigjojnë formën e dhëmbëve të vendosura jo si duhet ose të shtrembër dhe mund të përmirësojnë shëndetin e pamjen e jashtme të dikujt, qoftë ky fëmijë apo i rritur. Telat funksionojnë duke ushtruar presion për një kohë të gjatë mbi dhëmb, për ta çuar atë në vendin e duhur. Kur dhëmbi lëviz, edhe vendi në nofull ku ai është vendosur, ndryshon formë.
6. Llojet e telave
Ndërkohë që ende përdoren telat metalikë, ata mund të jenë edhe të padukshëm, si për shembull pa ngjyrë, me ngjyrën e dhëmbëve, ose shumëngjyrësh. Ato bile mund të vendosen në anën e prapme të dhëmbëve, që të mos duken fare. Ka edhe aparate dhëmbësh “të padukshëm”, që përbëhen nga një material plastik transparent e që gradualisht, spostojnë dhëmbët.
7. Zbardhja e dhëmbëve
Kujt nuk i pëlqen një buzëqeshje plot shkëlqim? Ka shumë mënyra për të zbardhur dhëmbët, përfshi këtu pasta dhëmbësh, xhelëra, ngjitëse dhe ilaçe zbardhues që t’i jep dentisti, por zbardhja nuk është e përshtatshme për këdo, ajo është ideale për njerëzit që kanë mishra dhe dhëmbë të shëndetshëm e të padëmtuar. Më efikase është te njerëzit që i kanë dhëmbët me tonalitete të së verdhës, sesa të grisë. Flisni me dentistin për të zbuluar se cila lloj zbardhjeje është e mirë për ju.
8. Mbushja me kompozit (porcelan)
Mbushjet ekzistuese nganjëherë kanë nevojë të ndërrohen për shkak se konsumohen, krisen, apo ciflosen. Shumë njerëz e përdorin këtë mundësi për të zëvendësuar mbushjet me amalgam (metal) me kompozitin (porcelanin) që ka ngjyrën natyrale të dhëmbit. Arsyet e tyre mund të jenë estetike, ose të kenë lidhje me sigurinë e mbushjeve metalike, të cilat përmbajnë zhivë. Mbushjet me porcelan kanë tendencë të konsumohen më shpejt se ato metaliket nëse mbushja bëhet në zona të mëdha, ndërsa në vende të vogla, kanë të njëjtën jetëgjatësi.
9. Rregullimi i mishrave
Rregullimi i mishrave mund të përmirësojë buzëqeshjen kur një dhëmb duket shumë i shkurtër, ose ku vija e mishrave është e pabarabartë. Në këtë rast, një sasi e vogël mishi (edhe kocke, nëse duhet), hiqet në mënyrë që të duket më shumë dhëmbi. Kjo procedurë mund të bëhet te një dhëmb i vetëm për të barazuar nivelin e mishrave, ose te disa dhëmbë, për të ekspozuar një buzëqeshje natyrale, të madhe.
10. Implantet
Miliona njerëz vuajnë nga humbja e dhëmbëve, në shumicën e rasteve nga prishja, sëmundjet e mishrave, apo dëmtimet. Implantet e dhëmbëve, pra, zëvendësimi i rrënjës së dhëmbit me një vidë titani, përbëjnë një themel të fuqishëm për të vënë një dhëmb artificial të përkohshëm apo të përhershëm (kurorë). Në vend që t’i vënë dhëmbët veç e veç, disa njerëz preferojnë të lidhin me to një protezë të lëvizshme.
11. Protezat
Një protezë është një zëvendësim i lëvizshëm për mungesën e disa dhëmbëve dhe indeve rrethues. Ka dy lloje protezash, të plota dhe të pjesshme. Të parat përdoren kur mungojnë të gjithë dhëmbët, ndërsa të pjesshmet, kur kanë mbetur ende disa dhëmbë në gojë.
12. Urat (proteza të pjesshme të fiksuara)
Një urë e përhershme zëvendëson një ose më shumë dhëmbë, duke vendosur kurorë në të dyja këmbët e urës dhe duke lidhur dhëmbë artificialë në to. Pastaj, ura “çimentohet” në vend. Ka ura me një krah, pra, kur ura ka vetëm një këmbë, si edhe ura e ashtuquajtur e Merilendit, ku ura mbahet nga një skelet metalik.
13. Plotësimi i mishrave
Nëse mishi i dhëmbëve tërhiqet, atëherë rrënjët e dhëmbëve janë të ekspozuara dhe mund të jenë të ndjeshme ndaj të nxehtit e të ftohtit, si dhe mund t‘i bëjnë dhëmbët të duken të gjatë. Tërheqja e mishrave mund t’ju bëjë të pësoni një prishje në rrënjën e dhëmbit dhe një pakësim të masës kockore, gjë që shkakton rënien e dhëmbit. Plotësimi i mishrave, që bëhet duke marrë mish nga njëra anë e gojës dhe duke e vënë aty ku mungon, mund të ndalojë tërheqjen e mishit dhe humbjen e kockës, si dhe të përmirësojë anën e tyre estetike.
14. Rregullim buzëqeshjeje
Për të pasur një buzëqeshje të bukur, mund të përdoret një kombinim i teknikave dentare. Kështu, veshjet prej porcelani dhe këllëfët mund të korrigjojnë dhëmbët e dëmtuar, të rregullohet vija e mishit, etj. Kozmetika dentare mund të bëjë një ndryshim dramatik në buzëqeshjen dhe shëndetin e gojës së një personi. Ajo, shpesh, është e kushtueshme dhe e përpunuar, por në fund, mundimi i vlen.