Ajo është një këngëtare e re, por shumë e njohur në ekranet tona. E bukur e me një stil krejt të veçantë, krenohet kur e krahasojnë me Rita Orën, por shprehet se ka stilin e saj. Kida vjen këtë herë me hitin “M’ke rrejt”, edhe pse vetë, thotë se është shumë larg gënjeshtrave të dashurisë dhe zhgënjimeve. Nuk i pëlqen të flasë për meshkujt, edhe pse ne ngulmojmë… por ajo ka shumë gjëra të tjera për të na thënë…
Rita Rrjolli: – Përshëndetje Kida! Si shkon promovimi i këngës “M’ke rrejt”?
Kida: – Shumë mirë! Kënga ka arritur të mbledhë 4 milion klikime në Youtube dhe kjo e tregon vetë se si po shkon…
– Çfarë pret mbas mbarimit të një kënge të suksesshme?
– Pres që të pëlqehet shumë nga publiku dhe nis të punoj me projektin e radhës.
– Pse “M’ke rrejt”? Kush e ka rrejt Kidën?
– Jo, Kidën se ka rrejt askush, të jeni të sigurt. Ishte një frymëzim i tekstshkruesit; ndoshta atë e ka rrejt dikush. (Qesh)
– Pra, këto vargje nuk ia ke dedikuar dikujt në veçanti?
– Jo, teksti i këngës nuk ka të bëjë me jetën time.
– Ty të ka ndodhur që në dashuri të besosh dhe të zhgënjehesh?
– Unë ende s`kam qenë ndonjëherë e dashuruar dhe nuk e di si është të zhgënjehesh në dashuri.
– Po femrat, pse zhgënjehen sot?
– Po, ka që zhgënjehen, por ka edhe të tilla që kanë lidhje shumë të mira dhe kanë një jetë të mirë. Zhgënjimi mund të jetë i lloj-llojshëm, pra, edhe për arsye të tjera, jo vetëm për dashuri.
– Si do të reagoje ti, po të zhgënjeheshe?
– Nuk di, sepse s’kam qenë kurrë në një situatë të tillë.
– Po ti, a ke rrejt apo zhgënjyer dikë?
– Jo, besoj se s`kam rrejt dhe as kam zhgënjyer askënd.
– Si mendon ti, a mund të kthehet dashuria në urrejtje?
– Të thashë edhe më lart… jam ende e re edhe duke qenë se s`kam qenë e dashuruar, s’e di.
– Por ti i këndon dashurisë…
– Unë për momentin dashuri kam për prindërit e mi dhe muzikën, kështu që e përkufizoj si pjesa më e lumtur në jetën time.
– Ç`duhet të ketë një djalë që të të bëjë përshtypje?
– Me thënë të drejtën, s`mendoj për djemtë njëherë hiç, jam e përqendruar te karriera ime.
– A mendon se fama jote i largon djemtë?
– Them se më e mundshmja do të ishte që djemtë të më afroheshin për shkak të famës, por mendoj se, që dikush të të afrohet, duhet t’i japësh sinjale e unë s`kam mendime të tilla për momentin.
– Për pak kohë u bëre shumë e njohur… Kujt ia dedikon suksesin e menjëhershëm?
– Suksesin ia dedikoj ekipit tim, posaçërisht menaxherit tim Metit dhe producentëve të mi ZZAP CHRISS.
– Si ia del të merresh edhe me muzikën, edhe me shkollën?
– E kam pak të vështirë, por mundohem t’i menaxhoj të dyja.
– Të ka ndodhur ndonjëherë të kesh kënduar live gjithë natën dhe të nesërmen të paraqitesh si një nxënëse shembullore në shkollë?
– Jo, s`më ka ndodhur, pasi koncertet i kam zakonisht në fundjavë, kur s`kam shkollë të nesërmen.
– Ata që ju shohin, mendojnë se të jesh këngëtare është gjëja më e bukur dhe më e këndshme në botë. Cila është ana e “errët” e këaj pune, ajo që të tjerët nuk e dinë?
– Sakrifikimi i kohës së lirë, shoqërisë dhe familjes, sepse karriera do shumë punë dhe s`ke shumë kohë për gjëra të tjera.
– Sa kanë ndryshuar ditët e tua tani?
– Shumë kanë ndryshuar. Çdo gjë duhet të jetë e planifikuar, koha, paraqitja, dalja e çdo gjë me plan.
– Sa kohë u dedikon salloneve të bukurisë e palestrës?
– Aq sa mundem sepse krejt problemi është te koha.
– Po familjes?
– Karriera po më ha shumë kohë, por familja më mbështet dhe e kupton se kam zgjedhur këtë drejtim i cilli kërkon shumë angazhim.
– Ke një stil të veçantë si në muzikë, si në paraqitje… Kush të frymëzon?
– Kur kam qenë më e vogël, më kanë frymëzuar këngëtarët botërorë. Tani përqendrohem te stili im, se vetë dua të bëhem e veçantë, si artistet e tjera me famë botërore.
– A ke një idhull të huaj që e ndjek në Instagram dhe nga i cili merr shembull?
– S`mund të veçoj, por ndjek shumë këngëtarë me famë.
– Vazhdojnë të të krahasojnë me Rita Orën?
– Për mua, është nder një krahasim i tillë, por unë kam një stil krejt timin.
– Pse zgjodhe muzikën edhe jo modelizmin, apo diçka tjetër?
– Këtë kam aspiruar gjithmonë.
– Një pasion tjetër i yti…
– Vallëzimi edhe shopingu. (Qesh)
– Kur ndihesh e plotësuar?
– Kur më përqafojnë prindërit e mi.
– Ëndrra jote më e madhe…
– Të jem një këngëtare me famë botërore.
– Plane bën, apo je më shumë instiktive?
– Unë çdo gjë e bëj me plan.
– Këtë vit, do të realizosh se s’bën…
– Të shtunën do të lançoj projektin tim më të ri, që shpresoj t’ju pëlqejë. Këtë vit do të realizoj edhe 3 mega projekte me patjetër. Prisni për to!