1. Dhimbja e kokës nga akullorja
Oh, jo, përsëri! Një tjetër ëmbëlsirë e ngrirë, një tjetër “ngrirje truri”. “Dhimbja e kokës nga akullorja” ndodh kur diçka e ftohtë prek nervat në qiellzën e gojës, duke bërë që enët e gjakut në kokë të fryhen. Kjo fryrje shkakton dhimbjen e mprehtë në kokë. Zgjidhja më e lehtë për të evituar një dhimbje të tillë është ta hash më ngadalë akulloren ose ushqimet e tjera të ftohta.
2. Djersitja e tepruar (hiperhidrosis)
Ky është një problem i bezdisshëm, por i përhapur dhe u ndodh njerëzve që janë krejtësisht të shëndetshëm. Zakonisht, ndodh në pëllëmbët e duarve, shputat e këmbëve dhe sqetulla, por mund të ndodhë më rrallë edhe në fytyrë e trup. Trajtimi mund të bëhet me antidjersë që përmban klorid alumini, me injeksione botoksi, mjekime nga goja, rrymë të ulët elektrike, bile edhe me ndërhyrje kirurgjikale.
3. Marramendja
Nëse të duket sikur dhoma po rrotullohet, atëherë mund të vuash nga marramendja. Nganjëherë ajo shkaktohet nga problemet me veshin e brendshëm, ose nga dëmtimi i nervave dhe mund të zgjasë nga disa minuta, deri në disa orë. Mund ta dallosh nga marramendja e zakonshme, nëse ke ndjesinë sikur lëviz bota përreth. Simptoma të tjera mund të jenë humbja e dëgjimit, bezdia në vesh dhe lëvizjet e pazakonta të syve. Trajtimi i marramendjes varet nga shkaku.
4. Mpirja e dorës apo këmbës
E keni ndjerë ndonjëherë këtë ndjesi të çuditshme? Kjo ndjesi e padëmshme dhe e përkohshme, shkaktohet nga një presion i vazhdueshëm te nervat, duke i bërë ata të paaftë të transmetojnë mesazhet në trurin tuaj. Trajtimi është i thjeshtë: ndërroni pozicion. Kur ndjesia rikthehet në zonën e mpirë, mund të ndjeni mizërime dhe pickime për njëfarë kohe. Nëse këto janë kronike, kjo do të thotë se keni një problem më serioz të fshehur, të cilin duhet ta zbulojë doktori.
5. Lemza
Lemza është një kontraktim i pakontrollueshëm i diafragmës (muskulit nën mushkëri). Nëse hani shumë, ose shumë shpejt, nëse konsumoni shumë alkool, apo thithni shumë ajër, mund të vuani nga lemza. Zakonisht, ajo largohet vetë, por ju mund të provoni ta ndërprisni duke pirë ujë shpejt, duke mbajtur frymën, ose duke marrë frymë në një qese plastike, apo letre.
6. Gurët e bajameve
Megjithëse këta toptha të vegjël të bardhë, që mbajnë erë të keqe dhe që dalin nga bajamet, mund të jenë të bezdisshëm, gurët e bajameve në përgjithësi janë të padëmshëm. Ata formohen në bajame, kur ngelin aty bakterie dhe mbeturina. Ju mund t’i hiqni me një napë të pastër, por nëse nuk ju bezdisin, nuk nevojitet ndonjë trajtim.
7. Kërcitja e veshit
Ne të gjithë kemi provuar të gogësijmë në një udhëtim me avion, për të “kërcitur” veshin. Në këtë mënyrë, ne barazojmë presionin e brendshëm me atë të jashtëm të veshit kur ndryshon lartësia. Kjo kërcitje tregon se një tub që lidh veshin e brendshëm me pjesën e pasme të fytit është hapur, duke lehtësuar presionin. Ju, gjithashtu, mund të mbyllni gojën, hundën dhe të shfryni lehtë. Ose përpiquni të hani çamçakëz dhe të gogësini.
8. Ngërçi
Kjo është një spazmë e papritur e një muskuli, që mund të zgjasë nga disa sekonda, deri në disa minuta. Shkaktar mund të jetë çhidratimi, lodhja e muskulit, irritimi i një nervi dhe niveli i ulët i disa kripërave minerale, si kaliumit, magnezit dhe kalçiumit. Ecni pak për të lehtësuar dhimbjen, ose shkundni këmbët dhe shtriquni. Nëse ngërçi vazhdon, duhet të shkoni te doktori.
9. Dylli i veshit
Mbajini gishtat dhe shkopat me pambuk larg kanaleve të veshit. Dylli i veshit ndihmon që të luftohet infeksioni, i mban veshët e pastër dhe trupi ynë e nxjerr vetë dyllin e tepërt nga kanali i veshit. Kur mundohemi t’i pastrojmë veshët me shkop me pambuk, ose me ndonjë objekt tjetër, ne mund të bllokojmë kanalin e veshit, ose të dëmtojmë daullen. Simptomat mund të përfshijnë dhimbje, kruarje, zhurmë në vesh, ose humbje dëgjimi. Doktori mund ta heqë dyllin e tepërt me larje veshi, ose në mënyrë manuale.
10. Gjuha e zezë me qime
Mund t’ju duket sikur po flasim për ndonjë krijesë të çuditshme, por në fakt, kjo ndodh te njerëzit. Gjuha e zeza më qime shkaktohet kur puprrat e gjuhës zgjaten dhe në to, grumbullohen bakterie. Higjiena e dobët e gojës, pirja e duhanit, disa solucione për larjen e gojës, terapia me rreze në kokë e qafë dhe disa ilaçe mund të luajnë një rol në këtë problem. Lajini dhëmbët dhe gjuhën dy herë në ditë, përdorni një pastrues gjuhe dhe evitoni faktorët që e rëndojnë problemin.
11. Tiket në sy
Spazmat e qepallave janë të paparashikueshme, të bezdisshme dhe të padëmshme. Tiku në sy mund të shkaktohet nga stresi, lodhja e trupit, e syrit, kafeina, tharja e syve, ndërsa në rastet më të rënda, mund të shkaktohet nga çrregullime neurologjike, si sindroma e Turetës. Spazmat e qepallës zakonisht largohen vetë, por nëse janë serioze, mund të rekomandohen injeksionet me botoks.
12. Gjoksi i zhvilluar te meshkujt
Ky problem, që në gjuhën shkencore quhet gjinekomasti, zakonisht shkaktohet nga ndryshimet normale të niveleve të hormoneve në lindje, pubertet dhe më vonë në jetë. Për të porsalindurit dhe djemtë e vegjël, raporti mes estrogjeneve (hormone femërore) dhe androgjeneve (mashkullore), balancohet me kalimin e kohës. Është parë edhe te burrat me kalimin e moshës, shpesh e lidhur me marrjen e disa ilaçeve, kur kanë probleme me mëlçinë apo veshkat, apo tumore. Vlerësimi i mjekut është i rëndësishëm për të gjetur shkakun e saktë, sepse, në vetvete, ky është një problem i padëmshëm.
13. Rrathët e zinj poshtë syve
Keni sy si të rakunëve? Njerëzit ia hedhin fajin moshës ose lodhjes dhe kanë të drejtë. Mungesa e gjumit e bën lëkurën tuaj të zbehtë, duke theksuar rrathët e zinj, ndërsa mosha bën që të hollohet lëkura rrotull syve, gjë që nxjerr në pah çngjyrimet e ndryshme. Alergjitë gjithashtu mund të shkaktojnë rrathë të zinj në sy, por mund të luajë rol edhe trashëgimia.
14. Rritja e tepruar e qimeve
Grave nuk u pëlqen të kenë shumë qime në fytyrë dhe trup. Hirsutizmi mund të jetë joestetik, por në përgjithësi, është i padëmshëm. Ai prek afro 5% të grave, mund të jetë gjenetik, ose i shkaktuar nga sindroma e vezoreve polikistike, që shkaktohet nga tepria e androgjeneve. Në raste të rralla, hirsutizmi shkaktohet nga tumoret që sekretojnë hormone. Trajtimi varet nga shkaku dhe mund të përfshijë zbardhjen e qimeve, elektrolizën e tyre, terapitë hormonale dhe heqjen me lazer.
15. Thonjtë e çngjyrosur
Jeni kureshtarë të dini pse ndodhin ndryshime ngjyre në thonjtë tuaj? Afro 50% e problemeve në thonj shkaktohen nga myku. Thonjtë si në jeshile mund të shkaktohen nga bakteria pseudomonas dhe trajtohen lehtë me antibiotikë. Thonjtë e verdhë janë shpesh shenjë e mykut. Njollat e kuqe, vjollcë ose të zeza nën thua mund të jenë gjak i shkaktuar nga ndonjë dëmtim. Ndryshimet mund të kenë lidhje edhe me trajtimet mjekësore, ose të jenë sinjal i një problemi më serioz. Nëse nuk e dini shkakun, është mirë të shkoni te mjeku.
16. Skuqja e hundës nga Rosacea
Rosacea shpesh shkakton njolla të kuqe në lëkurën e ndjeshme të fytyrës. Në raste të rralla, lëkura e hundës skuqet dhe fryhet, një sindromë e quajtur rhinophyma. Kjo ndodh më shpesh te burrat sesa te gratë, por rol luan edhe trashëgimia. Trajtimi mund të bëhet me lazer, dritë dhe dermaabrazion.
17. Plagët në gojë
Këto plagë janë ulçera të vogla brenda gojës dhe quhen edhe afta. Ndryshe nga herpesi, që shkakton dhimbje, fllucka të vogla dhe është shumë ngjitës, plagët në gojë nuk shkaktohen nga një virus. Ato mund ta kenë origjinën te përdorimi i disa ushqimeve, ose nga disa mungesa në përbërësit ushqimorë, si edhe te stresi emocional apo lëndimi i gojës. Kur nevojitet, trajtimi mund të bëhet me ilaçe të lokalizuara në vendin e plagës, si edhe me solucione për shpëlarjen e gojës.