– Jam Sabria, 43 vjeçe. Kam një pyetje për doktor Mehmetin. Çfarë është ky virusi HIV dhe si merret ai? Po trajtimi mjekësor si bëhet? A transmetohet te fëmija etj.? Pres një përgjigje të detajuar nga ana juaj. Ju falënderoj paraprakisht.
Dr. Mehmet Rrodhe Patholog (Citolog): – E nderuar zonjë, HIV (Human Immunodeficiency Virus) është një virus që futet në organizmin (trupin) e njeriut dhe dëmton në mënyrë progresive sistemin mbrojtës (imunitar), me pasojë shfaqjen e sëmundjes së AIDS-it (Acquired Immune Deficiency Syndrome). Pra, që të shfaqet sëmundja, duhet që virusi HIV të futet në organizmin e njeriut. Në vitet ‘60-‘70 filloi të lulëzonte i ashtuquajturi Revolucioni Seksual, në emër të “dashurisë së lirë”, e cila pati ndikim edhe në përhapjen e HIV/AIDS, pasi marrëdhëniet seksuale nuk ishin të mbrojtura, u përhap gjithashtu homoseksualiteti dhe për pasojë, edhe informimi mjekësor nuk ishte i mjaftueshëm. Për pasojë, në vitin 1980 u shfaq HIV/AIDS, që vazhdon të jetë një problem i madh shëndetësor edhe sot e kësaj dite, sidomos në vende të tilla siç është Afrika, por jo pak edhe në vendin tonë. Prandaj, sot kërkohet një kujdes i veçantë ndaj IST-ve (Infeksioneve seksualisht të transmetueshme) e veçanërisht ndaj HIV, AIDS.
– Ka dy tipe HIV: HIV-1 dhe HIV-2. Tipi i parë është më i përhapur, por të dy tipet shkaktojnë sëmundjen AIDS. Rrugët e përhapjes së HIV janë:
– Nga nëna e infektuar te fëmija.
– Nga shpimi me gjilpëra ose manipulime mjekësore të infektuara.
– Përdorimi i drogave me shiringë.
– Procedura që shkaktojnë gjakosje etj.
– Rruga seksuale është më e shpejtë kur seksi është i pambrojtur. Të njëjtën rrezikshmëri ka, edhe seksi oral, edhe ai anal, sigurisht.
– Rruga e marrjes nga nëna te fëmija ndodh para lindjes, gjatë lindjes dhe pas lindjes. Duhet theksuar se virusi HIV është i pranishëm në të gjitha lëngjet biologjike të personit të infektuar nga HIV-i. Në përqindje më të ulët ndodhet në pështymë, lot e urinë. Jo të gjithë njerëzit që infektohen me HIV, kanë shenja klinike. Shenjat kryesore klinike janë: temperaturë, gjendje gripale, linfonodula etj. Pastaj personi i infektuar nga HIV ka një periudhë rreth 10 vjet për t’iu shfaqur sëmundja AIDS. Sëmundja zbulohet me ekzaminime serologjike: 1. Identifikimi i virusit HIV, 2. Zbulimi i antitrupave anti HIV të cilat shfaqen që nga java e dytë deri në të gjashtën e infektimit nga virusi HIV. Trajtimi kryhet nga mjekë specialistë.
E rëndësishme për çdo person është të bëjë një jetë seksuale të shëndetshme e të mbrojtur. Duhet të bëjë konsultë të menjëhershme mjekësore te mjeku specialist sapo të shfaqen shenjat e para klinike si për femrat, ashtu edhe burrat, sidomos kur keni kryer seks të pambrojtur, transfuzion gjaku, apo ndonjë manipulim tjetër, ose duke përdorur drogë introvenoze etj. Uroj t’ju kem ndihmuar sadopak me këtë informacion. Gjithë të mirat!
Advertisement