Ishte vetëm 9 vjeçe kur pësoi një aksident i cili e paralizoi, por dhimbja jo vetëm që s’e mundi shqiptaren e vogël që jetonte në Itali, por edhe i dha asaj forcën për ta parë jetën me një sy tjetër dhe për të bërë përpara me guxim e vendosmëri, për t’u bërë kjo që është sot: Stilistja që dizenjon veshje për persona të famshëm dhe që, mbi të gjitha, di ta dashurojë jetën për atë që është. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën tonë, ajo vjen aq sinqerisht sa edhe jeton: Thjesht, Refiela!
Arlis Alikaj: – Refiela, ti ke bërë një rrugë të vështirë për të qenë kjo që je tani… Mund të na i përshkruash momentet e tua më të vështira?
Refiela Shoraj: – Kam jetuar larg atdheut tim. Fatkeqësia më shkëputi për një kohë të gjatë dhe tani që jam stabilizuar në Itali, e ndjej më shumë se kurrë mungesën e tokës shqiptare. Isha vetëm 3 vjeçe kur lashë vendim tim të lindjes. Me sa mbaj mend, isha e lumtur që do të bashkohesha me babain, i cili kishte një vit që jetonte atje. Në vitin 1996 u kthyem me familjen në Shqipëri sepse na mungonte atdheu dhe mezi po mësoheshim në Itali, por rrëmuja e asaj periudhe na ktheu sërish pas. Kam shumë kujtime të zymta në atë moment kaq të vështirë për Vlorën. U kthyem në Itali më 1997 dhe nga ai moment, Shqipëria u bë vendi ku mund të kaloja një pjesë të pushimeve të mia…
– Ndërsa momenti që të ndryshoi jetën…
– …ka qenë 28 shtatori 1999, kur fatkeqësisht pësova një aksident përpara shkollës sime fillore. Një kamionist që po udhëtonte dhe po fliste në telefon, nuk më pa as mua e as vizat e bardha. Që aty filluan shumë nga vuajtjet e mia… Jeta ime ndryshoi, u rrita para kohe, filluan vështirësitë në shkollë, në shoqëri dhe në të ardhmen time. Isha invalide, e larguar nga të gjithë. Askush nuk më kuptonte. Qëndroja e vetme me difektet e mia dhe me prindërit e mi, kundër gjithë botës.
– Kush qëndroi pranë teje në momentet e tua më të vështira?
– Prindërit kanë qenë të vetmit që më kanë ndenjur pranë. Ata ishin si dy yje polarë për mua, së bashku me Enoidin, vëllain tim, i cili sot e kësaj dite, megjithëse është larg meje, më këshillon dhe kujdeset për mua në çdo hap.
– Si arrite të gjeje forcë për ta kthyer fatkeqësinë në kreativitet?
– Forca është brenda çdo njeriu, duhet vetem t’i japësh zë. Zëri i forcës sime ka qenë besimi në Zot dhe në dashurinë e familjes. Unë e ktheva atë dëshpërim, jo vetëm në forcë për të ecur përpara, por edhe në kreativitetin me të cilën u mbrojta nga dashakeqësit dhe ktheva në bukuri gjithë “difektet” e mia.
– Jam shumë kurioz të di… Pse e ke titulluar “The Invalid Mode” projektin tënd?
– Projekti im lindi për t’u dhënë zë të gjithë atyre që kanë qenë të përjashtuar nga bota e modës, vetëm sepse nuk ishin shumë të bukur ose persona të ashtuquajtur, jonormalë. Unë flas në emër të të gjithë atyre që janë të ndryshëm ose me një difekt. Unë jam invalide për shkak të një aksidenti, ndaj edhe blogu im quhet INVALID! Është invaliditeti, ai që e bën projektin tim të veçantë dhe të hapur për të gjithë. Gjej veten duke u marrë me këtë gjë sepse flas për modën nëpërmjet trupit tim plot me shenja dhe difekte. Mund të jenë të shëmtuara për sytë e shumë njerëzve, por stili im, u jep atyre elegancë. Kush më sheh, mendon se unë nuk kam asgjë, mirëpo kjo vërtetohet nga ajo që unë transmetoj. Falë modës arrij të tregoj që mund të kesh stil, elegancë e bukuri edhe mbi një trup estetikisht jo të bukur. Arrij që nëpërmjet modës të tregoj krijimet e mia dhe jo sëmundjen time. “The Invalid Mode” lindi për t’u dhënë njerëzve kurajon, për të rikthyer tek ata dashurinë për jetën dhe për të luftuar kundër idesë së bukurisë së gabuar. Të gjithë jemi të bukur, vetëm se është e nevojshme të gjejmë mënyrën dhe mjetin për ta përcjellë. Unë gjeta modën! Cilido është i lirë të zgjedhë botën e tij ku plotësohet më mirë.
– Ti sot mbledh fonde për të ndihmuar njerëz me aftësi të kufizuara. Sepse kështu të kanë ndihmuar edhe ty, apo pikërisht për të kundërtën?
– Pikërisht se asnjë jashtë familjes time kurrë nuk ka besuar tek unë dhe tek aftësitë e mia, unë besoj tek ata që janë si unë dikur. The Invalid Mode është një hapësirë dedikuar të apasionuarve të modës dhe atyre që besojnë në lirinë e të shprehurit. Ofroj një hapësirë ku secili mund të rigjejë bukurinë e vet. Sot, ky blog, është transformuar në një fondacion që ka detyrën të vazhdojë të ndihmojë të gjithë ata njerëz që vetë nuk kanë fuqi, fat, forcë ose zë, për t’u dhënë jetë ëndrrave të tyre. Por është vetëm fillimi… Dua që vuajtjen time të mos e kalojë askush, të mos ketë më njerëz invalidë që e mbyllin jetën me difektin e tyre dhe rrinë në errësirë. Personaliteti më i rëndësishëm që ka vlerësuar punën time jo vetëm me blogun dhe modën, por sidomos me fondacionin tim, është njeriu që ka marrë Çmimin Nobel për Paqe, Muhammad Yunus.
– Cili ka qenë donacioni yt i radhës?
– Kam ndihmuar disa familje me prindër me aftësi të kufizuar. Kam dhënë rroba dhe ndihma ekononime për këta fëmjë dhe do vazhdoj të ndihmoj…
– Sot je një stiliste me famë botërore. Kur fut emrin tënd në google dalin atelietë më pretigjoze ndërkombëtare. Na trego disa emra të mëdhenj me të cilët ke bashkëpunuar…
– Shumë faleminderit për komplimentin (buzëqesh), por kam akoma shumë rrugë për të bërë dhe për ta arritur suksesin siç dua unë. Megjithatë, jam e lumtur dhe me fat që kam pasur mundësinë të shijoj në këto vitet e fundit, pak nga kjo botë e modës që adhuroj kaq shumë. Kam bashkëpunuar me Trussardi, Armani, Moschino, Alessandro dell’Acqua, Guess, D&G, Versace, Valentino, Prada e shumë të tjerë. Të veçanta për mua mbeten edhe bashkëpunimet me artistët e rinj si fotografë, dizajner etj., që i kam ndihmuar të futen dhe të rriten në botën e modës.
– Gjithë këto suksese, çfarë kanë emërues të përbashkët?
– Dashurinë për jetën e artin dhe sidomos, këmbënguljen.
– Gjithashtu, në ndarjen e çmimeve Grammy 2015, kemi mësuar se do dizenjosh veshjen e një personazhi të famshëm, Melissa B. Si arrite të lidheshe me të?
– Ka qenë një rastësi e cila më ka dhënë shumë fat. Një mikesha ime ia prezantoi punën time Melissës dhe ajo më zgjodhi e më kontaktoi. Melissa është një inxhiniere infomatike dhe ka një fondacion me të cilen krijon bursa universiteti për shumë studentë. Është një artiste plot me ëndrra, si unë. Ashtu si unë, edhe Melissa po mundohet t’u japë jetë dëshirave të saj, pa harruar të tjerët. Jam duke jetuar në një ëndërr nga e cila nuk dua të zgjohem kurrë. Edhe pak kohë më ndan për të qenë në Amerikë ku do të dizenjoj veshje për këtë natë gala.
– Po në Shqipëri, e njohin punën tënde?
– Në Shqipëri kanë treguar interes këngëtare, fashioniste dhe artistë shqiptarë, nga të cilët veçoj Jonida Maliqin. Por,
– Ke marrë shumë çmime dhe ke veshur shumë personazhe të njohur. A thua ia ka “vlejtur” vuajtja jote?
– Çdo vuajtje, çdo dhimbje vlen për mundimin tonë, sidomos për rastin tim, jo vetëm se më ka sjellë sukses, por edhe se i ka dhënë një kuptim jetës time. Falë vuajtjes jam më e zonja, më e fortë dhe falënderoj Zotin që më ka bërë njeriun që jam sot. Ndjehem me fat që m’u dha kjo mundësi që pak vetë e kanë.
– Si mendon se do të kishte shkuar jeta jote, nëse nuk do të kishte ndodhur fatkeqësia që të futi në këtë rrugë?
– Nuk e di dhe as nuk dua ta di, por jam e lumtur me këtë jetë që kam. Edhe pse plot me vështirësira, këto m’i kanë dhënë bukuri dhe kuptim jetës. Hëm… mbase do të isha më e bukur nga ana fizike, por nuk do isha njeriu i mirë ose artistja që jam sot.
– Po të kishe mundësi të ktheheshe pas…
– …nuk do të ndryshoja asgjë e do ta pranoja vuajtjen sepse dhe po të bëhesha arkitekte ose mjeke, prapë nuk do ta gjeja veten siç e gjej në art. Moda më jep gjithçka.
– Refiela, si je ti në jetën e përditshme?
– Jetoj me buzëqeshje, punoj ditë edhe natë (ndonjëhere zgjohem natën dhe vizatoj ose shënoj ëndrrat e mia), vlerësoj çdo gjë dhe çdo ditë, sikur të ishte e fundit. Arti mbështetet në gjërat më të thjeshta që shumë nga ne i kanë harruar; unë mundohem t’u jap jetë atyre.
– Çfarë mendimi ke për Shqipërinë?
– Jam shqiptare, krenare, patriote dhe e dua shumë tokën time. Jemi një popull fisnik. Edhe pse me shumë vështirësi, besoj se shqiptarët e vërtetë do ta nxjerrin në dritë… Vetëm duhet të jemi më pak materialistë dhe ta duam më shumë njeriun!
– Çfarë përpiqesh të tregosh ti, me një veshje që krijon?
– Përpiqem të interpretoj një shije, një stil, një histori e ta shpreh në një ndjenjë. Moda nuk është vetëm për të bukurit, por për gjithë ata njerëz që e pëlqejnë atë. The Invalid Mode lindi për t’u dhënë njerëzve kurajon, për të rikthyer tek ata dashurinë për jetën dhe për të luftuar kundër idesë së gabuar për bukurinë.
– Të frymëzon personazhi kur krijon një veshje për të, apo frymëzimi është brenda teje?
– Qëndrojnë të dyja, por duhet gjithmonë të respektosh dhe të njohësh shijen e stilin e njeriut që ke përpara, ta bësh atë të jetë i lirë. Megjithatë, frymëzimi im personal është shumë i rëndësishëm, pasi mundohem të lë nga një “shenjë” timen, në çdo personazh që vesh.
– Çfarë duhet të ketë domosdoshmërisht dhe çfarë nuk duhet të ketë një veshje?
– Çdo veshje duhet të shprehë personalitetin e atij njeriu, e para. E dyta, duhet të jetë gjithmonë e veçantë dhe jo kopje! Gjithashtu, kurrë nuk duhet të jetë vulgare. Gjithmonë duhet të tregojmë cilësitë tona, mund të jenë edhe estravagante, por asnjëherë të ekzagjeruara.
– Cilat janë projektet që ke në dorë?
– Veç veshjes për Melissa B., po vizatoj një koleksion të ri për Amerikën, për të cilin nuk mund të jap shumë detaje. Do të dal më 1 dhjetor me një koleksion me katër çanta të vizatuara nga mua në bashkëpunim me një brend italian, dhe quhet: “I Misteri” by Refiela Shoraj. Do të jetë i disponueshëm edhe online për shumë fashionista shqiptarë. Nga ana fotografike, po përgatis një projekt-shooting shumë të veçantë që do të tregojë: “Refielën e vërtetë”!
– Së fundi…
– Kam një këshillë për lexuesit e bukur të “Intervistës”: Çohuni dhe transformojeni jetën tuaj në sukses, pa frikë! Bota është e madhe dhe mundësitë, ndonjëherë, përveçse kërkuar, edhe duhen krijuar.
– Sipas teje kush është personazhi publik, që vishet më mirë në Shqipëri?
– Edi Rama është për mua një artist 360 gradë dhe vishet shumë bukur.
– Po më keq?
– Jozefina Topalli.
– Çfarë note do t’u vije në përgjithësi veshjeve të Edi Ramës?
– 10! Edhe kur ka qenë i ri, ka qenë ekstravagant.
– Erion Veliajt?
– 8.
– Sajmir Tahirit?
– 7.
– Lulzim Bashës?
– Basha është shumë i kollarisur dhe nuk demonstron aspak moshën e tij me atë veshje aq të ngrirë.
– Këngetarja femër që vishet në mënyrën më skandaloze…
– Ka kaq shumë saqë s’po them një emër se do t’i ngelet hatri ndonjërës.
– Këngëtarja femër që vishet më mirë…
– Aurela Gaçe.
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)