Fluturës time mam
Sot kisha shumë ftohtë,
u vesha trashë, siç më thoje ti,
madje vesha edhe papuçet
që m’i ke punuar ti
netëve të gjata të dimrit,
tek ngroheshim pranë zjarrit
e bisedonim gjithfarë gjërash,
si e kisha kaluar ditën në punë,
si doli ajo mbledhja me shefin,
po babai i shoqes a u shërua,
do vijë vallë djali për Krishtlindje?
Eh, nuk harroje asnjë pa përmendur,
lajmet e hidhura shumë të trishtonin,
se vuajtjet e njerëzve ty të dhimbnin,
për të tuat nuk doje të flisnim,
e kuptoja që doje të më mbroje
e më ruaje si një lule delikate,
por nuk e besove asnjëherë
që unë të isha mjaft e fortë
ndaj të papriturave të jetës,
madje, kishe shumë frikë për mua
në ato çaste të fundit të jetës,
si do ta përballoja humbjen tënde,
të ardhmen e panjohur që më priste,
harroje që vajza jote ishte rritur
dhe vajzat e rritura mësojnë të mos qajnë,
por sot jam një grua e fortë mam,
që ka një familje e një engjëll në gji,
ashtu si ti ëndërroje shumë për mua,
nuk di a më sheh nga ku je tani,
por fluturave kur netëve më vijnë,
dua shumë t’u besoj, siç më thoje ti,
se çdo flutur mban në vete një shpirt,
e me to shumë fjalë dua të të çoj
dhe të besoj se ti më sheh nga larg,
engjëlli im mbrojtës je ti përsëri,
se s’ka gjë në këtë botë e përtej saj,
që shpirtin e nënës nga fëmija ta ndajë
U çmalla pak sonte me ty, mam
mos prit leje nga unë të shkosh tani,
nëse frikë ke për mua, të them nuk do t’qaj,
do të pres me fluturat të vish përsëri. Aida Previzi
Mund të shkosh, nëse…
Më thuaj që bota e gjeti fundin
Më thuaj, dielli më s’do ngrohë’
E them me bindje edhe plumbin
e duroj… Të humb ty, jo.
Mblidhi ëndrrat e mesnatës
Shpirtin nxirre e ma trego
Hesht më pas a bëj ç’të duash
…veç mos shko.
Veç mos shko ta hajë e mira
Këtu ke shpirtin tënd binjak
Është kjo jetë mbushur dëshira
Herë me shkak e herë pa shkak
Lëre mllefin sonte vetëm
E bëmë mua shoqëri
Unë të dua sa dhe jetën
…dashuri !
E nëse nesër s’do më duash
Mund të ikësh përgjithmonë
Sot asgjë mos të më thuash
…nesër thomë.
Nesër mllefi do t’ketë ikur
E do t’mund të logjikosh
Nëse nesër s’do t’më duash
…mund të shkosh! Bledi Ylli
Pasqyra do ketë pamjen time
Sonambulizohu në një karrige,
në një cep dhome të vetmisë,
me sytë e ngulur drejt hijes time
prit të bjerë këmbana e dashurisë.
Hija ime ngadalë do të tretet,
ashtu siç trete ti ndjenjat e mia
e nëse as hija e hijes,
një ditë nuk do të mbetet,
ti mos u zgjo
pa kumbuar dashuria.
Nga vilanosja, një ditë kur të zgjohesh,
vetëshpërfillja të t’rëndojë në ndërgjegje,
as fytyrën tënde në pasqyrë nuk do njohësh
se edhe pasqyra, do ketë marrë pamjen time! Ylli Jahaj