Test
Jeni sensualë?
Trupi juaj shpreh dëshirat e tij. Dini t’i kuptoni dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjeni? Disa kanë frikë se mos humbasin kontrollin dhe janë mosbesues përballë sensualiteit, ndërkohë që të tjerë ia kanë dalë mbanë të gjejnë një ekuilibër të vërtetë mes dëshirave të trupit dhe vullnetit të mendjes së tyre. Po ju e kuptoni sensualitetin tuaj dhe dini ta jetoni në jetën e përditshme? Zbulojeni, duke iu përgjigjur këtij testi.
1. Ka rënë zilja e alarmit…
a. Ju i jepni vetes edhe pak minuta në shtrat
b. Ju rrini në shtrat edhe 5, 10 minuta, ose më shumë…
c. Ju ngriheni menjëherë
2. Cila aromë ju evokon më shumë ndjesi të këndshme?
a. Parfumi juaj i preferuar.
b. Ajo e bukës së thekur në mëngjes
c. Zjarri me dru
3. Ju kanë pëlqyer shumë një palë këpucë të bukura, por në dyqan kanë mbetur vetëm një palë, që janë një numër më i vogël se juaji.
a. Do të përpiqeni t’i zmadhoni te këpucari.
b. Janë shumë të bukura, i blini.
c. Sa keq! Nuk i blini…
4. Dita e parë e ngrohtë dhe me diell. Shkoni në plazh, por nuk keni krem dielli…
a. Nuk ekspozoheni shumë gjatë…
b. S’ka problem për djegiet, bëni banjo dielli.
c. Nuk keni ndërmend të digjeni, rrini veshur.
5. Ju kanë bërë një dhuratë, të cilën do ta zgjidhni vetë:
a. Përkujdesje për trupin.
b. Një seancë masazhi
c. Një prerje flokësh te parukieri juaj i preferuar.
6. Kënaqësia më e madhe:
a. Një akullore kur bën shumë vapë.
b. Të flini kur vdisni për gjumë.
c. Një gotë me ujë kur po vdisni nga etja.
7. Cila fjalë është më e këndshme për veshin tuaj?
a. Mërmërit
b. Pëshpërit
c. Këndoj nën zë
8. Cila kafshë është më antipatike për ju?
a. Miu
b. Merimanga
c. Gjarpëri
9. Cila situatë ju duket më romantike?
a. Një banjo në mesnatë, në detin e vaktë.
b. Një shëtitje nën dritën e hënës, në plazh
c. Një shëtitje mbi gamile, në shkretëtirë
10. Cili është pozicioni juaj i preferuar për të lexuar?
a. I/e shtrirë në shtrat.
b. I/e ulur në një kolltuk.
c. Kjo varet nga humori juaj.
11. Për zgjedhjen e një veshjeje, cili është kriteri juaj prioritar?
a. Prerja
b. Ngjyra
c. Coha
12. Burrat që përdorin kremëra, ju duken…
a. Nuk kam ndonjë opinion
b. Normalë
c. Qesharakë
13. Për t’ju ngritur moralin, më efikase është:
a. Ëmbëlsira juaj e preferuar
b. Blerja e një veshjeje
c. Vajtja në kinema
14. Kur filloni një dietë…
a. Ju e prishni që ditën e parë.
b. Ju i shmangeni herë pas here.
c. Ju e respektoni deri në fund.
15. Problemi më i vështirë për t’u duruar:
a. Të mos keni elektricitet
b. Të mos keni ujë të ngrohtë
c. Të mos keni valë për celularin
Rezultatet
Nëse keni dhënë më shumë përgjigje a.
Për ju, sensualiteti është një çështje kontrolli
Ju keni një dëshirë të madhe për sensacione, por nganjëherë tregoheni i/e vështirë në shije. E keni pak të vështirë të pranoni ato që ju kërkon trupi. Ekziston një zë i vogël brenda jush që ju censuron dëshirën për të përfituar nga gjithë pasuria e kënaqësive që ju reklamojnë shqisat. Në realitet, keni pak frikë se mos humbisni kontrollin e situatës dhe të udhëhiqeni nga dëshirat tuaja shumë instiktive. Mos kini frikë! Përkundrazi, sensualiteti juaj është një aleat i çmuar që ju lejon të relativizoni problemet, kur ato bëhen shumë të rënda dhe të rigjeni shumë shpejt dëshirën për ta jetuar jetën plotësisht.
Nuk ka kurë më të mirë ndaj problemeve sesa një seancë masazhi, një ëmbësirë e shijshme, ose akoma më mirë, një përkëdhelje dashurore. E kotë të përpiqemi t’ju bindim, ju e dini tashmë, por mbase injoroni dhuntitë krijuese të sensualitetit. Shumë artistë, piktorë, shkrimtarë e muzikantë e kanë gjetur aty frymëzimin e tyre. Po sikur të ndiqnit shembullin e tyre?
Nëse keni më shumë përgjigje b. Është një çështje ekuilibri
Jo vetëm që u kushtoni vëmendje gjithë mesazheve që trupi ju transmeton, por sensualiteti juaj luan një rol thelbësor në jetën tuaj dhe në ekuilibrin tuaj të përgjithshëm. Ju zotëroni artin e përfitimit nga momenti i tanishëm, duke shijuar mbresat që ju lënë kënaqësitë e thjeshta, banale, të jetës së përditshme. Disa minuta të vjedhura në mëngjes, në shtrat, ku jeni ngrohtë, me trupin ende të përgjumur, ja çfarë ju kënaq dhe ju bën të buzëqeshni.
Mirëqenia fizike luan një rol të rëndësishëm në moralin tuaj. Ju rigjeneroheni duke shijuar kënaqësitë e shqisave dhe në momentet kur nuk ndjeheni mirë, përshtypjet e këndshme fizike ju rijapin dëshirën për të jetuar dhe dashuruar. Sensualiteti është gjithashtu për ju një gjuhë të cilën e zotëroni shumë mirë. Në marrëdhëniet tuaja dashurore, kur ndjeheni në harmoni me tjetrin, dini të gjeni e të kënaqni dëshirat e tij, edhe para se ato të shprehen. Partneri/ja juaj është vërtet me fat.
Nëse keni më shumë përgjigje c. Është një çështje edukimi
Çfarë mosbesimi kundrejt sensualitetit! Ju nuk i krijoni vetes shumë momente mirëqenieje dhe kënaqësie të pastër fizike. Pse? Mbase jeni viktimë e një edukimi shumë strikt, apo keni frikë të humbisni kontrollin e vetvetes? Ju ushtroni dhunë mbi veten dhe është për të ardhur keq. Ju e dini mirë se çfarë është e këndshme, por mendja ju bëhet pengesë dhe ju pengon të përfitoni plotësisht nga ndjesitë e kënaqësisë që përbëjnë thelbin e jetës. Në momentet e rralla kur u nënshtroheni dëshirave, menjëherë ndjeheni keq, gjë që prish gjithçka! Tregohuni më tolerant/e ndaj vetes dhe përpiquni të kënaqni më shumë pesë shqisat tuaja. Në mjedisin tuaj rrethues ka patjetër njerëz epikurianë që do të dinë t’ju komunikojnë oreksin e tyre për jetën. Udhëhiquni prej tyre dhe ndani me ta momente kënaqësie të vërtetë. Jeta juaj do të mbushet me ngjyra më të gëzueshme dhe sensualiteti juaj do të jetë më i përmbushur.
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)