Përshëndetje të gjithëve! Unë që ju shkruaj jam një baba dhe gjysh. Gjithë jetën time kam qenë shumë i rregullt, aq sa edhe dashurinë e kisha “të programuar”. E dija shumë mirë sa duhet të doja dikë dhe sa dikë tjetër. Unë kështu jam bërë. Me profesion kam qenë oficer, gjë që më ka bërë shumë të rreptë në regjimin tim ditor. Gjithçka e doja të programuar deri në detaj.
Unë dhe gruaja ime kemi pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë. Secili prej tyre kishte të mirat dhe të këqijat e tij, por në përgjithësi kemi rritur fëmijë të mbarë. Sidomos djali i vogël ka qenë shumë i ndjeshëm dhe i dashur. Të tjerët ishin pak a shumë si unë: Të ftohtë dhe që i llogarisnin gjërat deri në detaj.
Kur u rritën, fëmijët u martuan një e nga një. Unë dhe gruaja ime vendosëm të qëndronim me djalin e vogël. Ndonëse nuk ishim shumë të afërt me të e dinim që ai ishte njeriu tek i cili mund të mbështeteshe dhe të kaloje një pleqëri të sigurtë. Të tjerët kundërshtuan, ndoshta sepse unë dhe gruaja ime zotëronim një shtëpi shumë të madhe në qendër të Tiranës, të cilën e synonin të gjithë fëmijët e mi.
Pak pasi kishim nisur të jetonim me ta, më ndodhi një fatkeqësi. Gruaja ime vdiq. Gjithçka ndodhi krejt papritur, pasi ajo ishte shumë në formë dhe mirë me shëndet. Djali im i vogël e përjetoi shumë keq. Ai e donte shumë të ëmën, të cilës ia bëri të gjitha nderet deri në fund, ndërsa të tjerët, qëndronin më larg. Tashmë i kisha njohur të gjithë. E dija që Arbeni do të ishte ai që do të përkujdesej për gjithçka, por edhe që do ta përjetonte më keq vdekjen e nënës së tij. Kjo më bëri të mendoja edhe një herë që unë dhe guaja ime kishim bërë zgjidhjen e duhur. Ai do të ishte njeriu i përshtatshëm tek i cili mund të mbështeteshim gjatë viteve tona të fundit të jetës.
Pas vdekjes së gruas sime, djali m’u përkushtua edhe më shumë. Ai kujdesej për të gjitha, sepse donte që të mos më mungonte asgjë. Unë sigurisht që isha i moshuar, por mbahesha shumë mirë. Regjimi që kam mbajtur në të ngrënë dhe në veprimet e mia të përditshme kanë bërë që të jem shumë i shëndetshëm dhe i fortë. Asnjëherë nuk e kam treguar moshën, pasi dukesha shumë i ri. Me gruan time, të them të drejtën, kishim kohë që nuk kishim marrëdhënie. Ajo e kishte lëshuar shumë veten. Pastaj, jeta jonë rrotullohej te fëmijët dhe punët e shtëpisë, sipas saj. Ishte shumë korrtekte dhe nikoqire, por më dukej sikur kishim pasur marrëdhënie vetëm për të bërë fëmijët. Vitet e fundit, nuk dëshiroja fare të isha i martuar me të, por sigurisht që nuk mund të ndahesha. Kishim fëmijë, kishim një familje që nuk mund të ndahej për një shkak të tillë. Pastaj, ishin kohë të tjera. Unë, edhe sikur ta mendoja, as që e çoja në mendje për ta bërë diçka të tillë, ndaj edhe qëndrova i martuar me gruan time, derisa ajo vdiq. Deri në atë moment, e respektova atë ashtu siç duhej.
Më pas, kur vdiq, nisa të mendoja që kohët kishin ndryshuar, që edhe unë kisha nevojat e mia personale, që isha ende i ri për ta ngrysur jetën i vetmuar.
Ishte e vështirë të vije në praktikë atë që mendoja. Pastaj, Tirana është një qytet kaq i vogël dhe njerëzit të njohin ngado që shkon.
Në fillim nisa të shkoja me femra me pagesë. Një miku im më kishte thënë se e bënte gjithnjë.
Hera e parë ishte e çuditshme. Nuk dija se si t’i flisja apo si ta merrja me vete një femër, por ato ishin profesioniste. Me sa duket, ishin mësuar me njerëz të moshës sime. Ajo që erdhi me mua, më tha se më shumë i shkonin pleqtë sesa të rinjtë. Kështu, e gjithë kjo u kthye në një ritual. Përgjithësisht, zgjidhja të njëjtën grua. Ajo ishte rreth të dyzetave. Nuk ishte shumë e mbajtur, por dukej që kishte qenë e bukur. Megjithatë, erdhi një moment kur edhe kjo mënyrë më erdhi në majë të hundës, kështu që e mendova gjatë se si mund t’i gjeja një zgjidhje. Një ditë, teksa po rrinim bashkë, i thashë nëse kishte dëshirë të martohej me mua. Ajo hapi sytë.
“Të dy e dimë se nuk bëhet fjalë për dashuri!”, i thashë, “ama unë do të kem një grua pranë vetes, ndërsa ti do të kesh një vend të mirë ku të rrish dhe të jetosh si zonjë!”.
Ajo u mendua pak dhe pastaj më tha se pranonte. Mbetej vetëm problemi i djalit dhe i gruas së tij, por nuk mendoja se do të kishte shumë kundërshtime. Në fund të fundit, ai donte lumturinë time.
Nga gëzimi, e mora për dore Shpresën dhe e çova në shtëpi. I thashë djalit se e doja atë grua dhe do ta merrja për nuse, por reagimi i tij qe i tmerrshëm. Më kapi nga fyti dhe më mbështeti pas murit. Nisi të ulërinte dhe të thoshte se grua tjetër përveç nënës së tij nuk do të shkelte në dhomën tonë të gjumit apo në të gjithë shtëpinë tonë. Atë e mori për krahu, e nxori nga shtëpia dhe i tha të mos kthehej më, ndërsa mua më plasi në krevat dhe u largua.
Gjatë ditëve në vijim nuk më fliste fare. Nusja vinte vetëm që më sillte për të ngrënë por edhe ajo nuk më fliste. Pak ditë më pas, më thanë se do të më ndanin veçmas. Unë do të jetoja me pensionin tim, në shtëpinë time, por i veçuar. Nuk kisha çfarë të bëja tjetër.
Tani të gjitha i bëj vetë. Bëj pazarin vetë, gatuaj vetë dhe rrobat i laj në pastrim kimik. Më merr malli të ha një pjatë gjellë të gatuar në shtëpi, por as që mund ta mendoj. Vajza ime nuk kujtohet as të më takojë e jo më të më marrë ndonjëherë në shtëpinë e saj. Ky ishte shpërblimi që mora, vetëm sepse nuk doja të rrija vetëm…
Advertisement