Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Dritan Prifti: “Meta ka porositur edhe vrasje të tjera”

Dritan Prifti: “Meta ka porositur edhe vrasje të tjera”

Zotin Dritan Prifti e takuam në kafe “Sheraton” ku sapo ishte ndarë nga miku i tij, Tom Doshi.

Kaso Kosa: – Sot, prokuroria publikoi kërkesën për arrestimin e Tom Doshit e Mark Frrokut. Keni frikë se mos arrestoheni edhe ju? Thuhet se filmimin e “komplotit” kundër Doshit e keni bërë ju…
Dritan Prifti: – Të arrestohem se bëra një film?! Ohu, sa filma kam bërë unë! Kur isha i vogël, merrja e ngjisja copëra filmash nga ato që prisnin me brisk operatorët në kinemanë e qytetit tim. Kisha aq shumë fantazi sa arrija të bashkoja kuadrot e një filmi me luftë me ato të një filmi me dashuri. Që atëherë më lindi dëshira për t’u marrë me filmime dhe kam patur shumë sukses, sidomos në këto vite pas vendosjes së demokracisë në vendin tonë, që edhe mjetet janë më moderne dhe mund të filmosh gjithçka, pa rënë fare në sy.
– Ky pasion ju shtyu ta filmonit Metën me atë bllokun e famshëm?
– Pa dyshim. Unë nuk rri dot më pa filmuar kudo e këdo, madje kam filmuar edhe veten duke biseduar, duke ngrënë apo në pozicione të tjera… Më është bërë mani. Doktorët thonë se është sëmundje, madje kam edhe raport mjeko-ligjor për këtë. Ndaj s’arrestohem unë o Kaso, jo…
– Por ama, Meta ju shpëtoi, si herën e parë, ashtu edhe tani…
– Eh, ç‘t’i bëja se brenda asaj videokasete ku ishte Meta, ishte edhe një filmim që bëra me Zenin dhe me një mikun tim tjetër, thjesht për hobi… Prandaj nuk më eci…
– Mos vallë për këtë kasetë e kishte fjalën Braho, kur deklaroi se do të ketë fakte tronditëse lidhur me çështjen “Doshi”?
– Videoja me Zenin ishte më e rënda sepse ai në atë kasetë ka deklaruar hapur: “Po qe se nuk më jep mua këto koncensione që po të kërkoj, do të të padis te baba për dallaveret me atë… e di vet ti, për atë lejen në minierë…”. Këtë filmim e kisha në videon që bëra edhe për Metën. Kur vendosa ta dorëzoja në prokurori, e fshiva, po do ti që ata dreq specialistësh amerikanë se si e nxorën edhe atë që kisha fshirë me Zenin?! Desha s’desha, hoqa dorë nga padia për Metën lidhur me 700 mijët, se doli ajo imja, ku flitej për një milion euro.
– Para disa ditësh, keni pohuar në emisionin e Ylli Rakipit se Meta ka dashur t’ju vrasë edhe juve…
– Po! Këtë ma tha Durim Bami, që ia kishte porositur Toni me ndërmjetësinë e Mark Frrokut, përmes Ilirit. Kur po e regjistroja, ai tha se edhe mua donte të më vriste Meta. Kur e pyeta se nga e dinte që donin të më vrisnin, ai më tha se ia kishte thënë Edi Paloka, i cili ishte shok i ngushtë me Altin Goxhajn dhe kishin kohë që prisnin të vritesha, por duket kisha takuar jetëgjatë sepse Metës i doli përpara emergjenca e vrasjes së Doshit dhe vrasjen time e shtyu për më vonë. Dhe e besova plotësisht, se këtë ma tha edhe mikesha ime, gruaja e Petritit…
– Pse Toma e la gjashtë muaj në sirtar videokasetën për vrasjen e tij? Kishte frikë apo diçka priste?
– Toma nuk donte ta bënte publike këtë video sepse priste që edhe Meta ta thërriste dhe t’i kërkonte falje, siç bëri Durimi, me burrëri e trimëri. Kur pa se Meta s’e rruajti fare dhe kur kuptoi se donin të eleminonin atë që i shpëtoi jetën, Durim Banin, i cili po rrezikohej seriozisht me tritol nga pushtetarët, vendosi të denoncojë. Në fund të fundit, ia kishte borxh jetën Durimit, pasi ai e shpëtoi nga vdekja e sigurtë. Po ju them drejtpërdrejt se Meta ka porositur edhe katër a pesë vrasje të tjera, të cilat, po nuk u hetuan, do të shkaktojnë tërmet në politikën shqiptare…
– Ju lutem, zoti Prifti, të mos i banalizojmë gjërat! Nuk mund të besohet që një kryetar parlamenti të porosisë disa vrasje me pagesë, sikur jemi në Italinë e viteve pesëdhjetë…
– Më dëgjoni kur t’ju jap disa fakte konkrete dhe pastaj gjykoni. Ma ka thënë me gojë Petrit Çinari të cilin e kanë thirrur jo vetëm Rexhep Meta, për të vrarë Tomën, por e ka thirrur edhe Monika Kryemadhi, duke i premtuar mbi 500 mijë euro dhe pasaportë diplomatike për të ikur në Kuala Lumpur, ku do të bënte jetë përrallore, pasi të kryente këto vrasje. Madje edhe gruaja e Petritit më tha gjithë krenari se nuk i hynte fare në sy apartamenti që i dhuroi Doshi, në krahasim me mbi 2 milion euro që do të merrte i shoqi nga katër apo pesë vrasjet…
– A i keni deklaruar ju në prokurori emrat e atyre që mund të vriten së shpejti veç jush dhe Tomës, apo keni frikë?
– Po, mund t’ua them sepse jam trim myzeqeje dhe nuk më ka bërë tërr syri edhe kur erdhi Spartaku me çantë e me videokaseta për të më bërë presion që të tërhiqesha nga akuza ndaj Metës për bllokun. Po jua them pa frikë se ai kërkon të vrasë Edi Ramën për t’i marrë partinë, Ben Blushin si rival në potencë për pushtet dhe Nard Ndokën, se me bëmat e tij, po e eklipson dhe po i merr popullaritetin.
– Një pyetje të fundit, zoti Prifti… Ju, do të kandidoni për kryetar në ndonjë bashki?
– Këto ditë do t’i diskutojmë me zotin Doshi ndarjet për secilën bashki, pasi kemi shumë oferta nga kryetarë partish që duan të na kenë partnerë, sepse janë të sigurtë që do të korrim fitore plebishitare. Me famën që ka zoti Doshi, mendojmë që ai të kandidojë për Shkodrën e unë për Fierin. Jemi të sigurtë në fitoret tona.

Advertisement

Bisedoi me shaka: KASO KOSA
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Cilët nuk intervistuam dot këtë javë? Nga ARTAN KRISTO

Next Post

Shenjat dhe bashkëjetesa

Advertisement