Ajo është një imazh i ri në Top Channel. Edhe pse vjen nga një karrierë në Top Albania radio dhe në My Music Digitalb, deri më 9 shkurt, imazhi i saj ishte i panjohur. Zëri kumbues e solli deri këtu edhe tashmë, ju do të bëni lidhjen e figurës me zërin që mund të keni dëgjuar shpesh në udhëtimet tuaja të gjata… Flasim për Dojna Memën, e cila tashmë prezanton Top Fest 2015. Dojna është një vajzë e thjeshtë, natyrë ekspresive edhe shumë këmbëngulëse për të marrë atë që do. Përditshmërinë ende ia dedikon shkollës, shoqërisë edhe familjes. Ndryshe nga motrat Vjollca, që nuk i njeh personalisht, Dojnën nuk do ta shikojmë të prezantojë ndonjëherë me motrën. Ajo nuk jep shumë detaje rreth jetës private, mirëpo Shën Valentinin e festoi…
Rita Rrjolli: – Dojna, si të erdhi propozimi për të prezantuar Top Festin?
Dojna Mema: – Rastësisht… Çdo gjë e bukur që më ka ndodhur ka ardhur gjithmonë rastësisht në jetën time.
– Personi i parë me të cilin e ndave lajmin…
– Motra ime.
– Si ndihesh?
– On Top.
– Si t’u duk dita e parë e prezantimit?
– Ishte intensive, e bukur, e ndryshme nga eksperiencat që kisha pasur deri më tani dhe shpresoj që publiku të më mbështesë e mirëkuptojë.
– Vjen nga një karrierë televizive?
– Vij nga një karrierë radiofonike në Top Albania Radio dhe një vjeçare në My Music-Digitalb, por ftesa, gjithsesi, ishte e papritur për mua.
– Ke provuar më parë të dalësh para publikut?
– Jo Top Festi ma dha për herë të parë këtë mundësi. Tashmë, njerëzit nuk do më thonë më: “Hej, ku e kam dëgjuar këtë zërin tënd?”. (Buzëqesh)
– E aspiroje Top Channel-in?
– Aspiroja Top Media-n.
– Ndër prezantueset tona dhe ato të huaja, kë simpatizon?
– Janë të shumta, por ajo që më frymëzon më tepër është Aleksa Chung. Ndërsa në Shqipëri, preferoj Arbana Osmanin.
– Pse Arbanën?
– Më pëlqen shumë lirshmëria, imazhi dhe mbi të gjitha, vlerësoj faktin që karriera e saj ka nisur në Top Albania Radio, duke krijuar menjëherë stilin e saj të prezantimit.
– Si është të zëvendësosh motrat Vjollca?
– Përgjegjësi e madhe do të ishte vetëm njëra, jo më të dyja bashkë, që është përgjegjësi e dyfishtë!
– I ke takuar?
– Nuk i njoh personalisht.
– Pra, nuk ke marrë këshilla nga ato?
– Jo.
– Po ti, a ke një motër me të cilën mund të prezantuar, ndoshta, në të ardhmen?
– Kam një motër me të cilën prezantimet i bënim së bashku vetëm kur ishim të vogla, kur luanim. Për momentin, ajo ka pasione të tjera, shumë të ndryshme nga spektaklet.
– Ç’të veçantë do t’i japësh ti këtij kompeticioni?
– Do t’i jap veten time. Nuk mjafton?! (Buzëqesh)
– Po ti, këndon?
– Më pëlqen të këndoj, vetëm se kur e bëj, të tjerët më kërkojnë gjithmonë të pushoj.
– Cilën muzikë preferon?
– Dëgjoj gjithçka më pëlqen. Top Albania Radio më mban gjithmonë në dijeni me muzikën më të mirë. Gjithsesi, nëse do të më duhej patjetër të zgjidhja, do të veçoja muzikën alternative.
– Si të duket fillimi i Top Festit?
– Me shumë energji.
– Ne s’dimë asgjë për jetën tënde të mëparshme… Si e kaloje kohën e lirë?
– Kisha pak kohë të lirë. Kam studiuar për piano në “Liceun Artistik” të Tiranës, më pas nisa punën në radio, universitetin dhe çdo gjë tjetër, në të cilën po angazhohem.
– Pasionet e tua më të mëdha…
– Gjithçka që bëj tani dhe kinematografia. Më pëlqejnë shumë filmat bardhë e zi, madje është kthyer në traditë familjare që të enjten të shohim filma të vjetër. Pasion i trashëguar nga babi.
– Filmi që të pëlqen më tepër?
– Një bashkëpunim mes regjisorit tim të preferuar Zhan Lyk Godard dhe muzës se tij, Ana Karina. Titulli i filmi është “Vivre sa Vie”, i vitit 1962. Jua këshilloj të gjithëve sepse është filmi më dinamik i regjisorit franko-zvicerian Godard.
– Një pasion tjetër është edhe pianoja…
– Pasioni im i parë ka qenë pikërisht pianoja, kur nisa të studioja që në moshën 6 vjeçare në Liceun Artistik. Studiova 12 vjet në atë shkollë dhe e kujtoj si periudhën më të bukur të jetës sime. Tani, edhe pse nuk studioj më për piano, për fatin tim të mirë, jam gjithmonë në kontakt me muzikën në emisionet që prezantoj.
– Libri më i bukur që ke lexuar?
– “1984”, nga Xhorxh Oruell.
– A ke ëndrra që s`të janë bërë ende realitet?
– Kam më shumë se ato që më janë bërë realitet.
– Ekziston një person special një jetën tënde?
– Rrethohem çdo ditë nga njerëz specialë.
– Dashuria për ty është…
– Ndjenjë…
– Urrejtjen, e njeh?
– Më njeh ajo mua.
– Me kë dhe ku e festove Shën Valentinin?
– Me miqtë edhe familjarët.
– Zakonisht, të pëlqejnë këto festa?
– Mua më pëlqejnë festat dhe Shën Valentini është një ditë më shumë për të festuar, kështu që, pse jo?!
– Si reagoi shoqëria jote kur mësoi se do bëheshin me një shoqe VIP?
– Më kërkuan ftesa për natën finale të “Top Fest 12”. (Qesh)
– Ata janë më shumë njerëz të njohur, apo jo?
– Nuk e ndaj shoqërinë time në “VIP-a” dhe “jo VIP-a”. Për mua, është shoqëri. Kaq.
– Si e organizon ditën tani?
– Po përpiqem të familjarizohem me kohën e ngjeshur. Mundohem të zgjohem më herët, por në të shumtën e rasteve, pa sukses.
– I përshkruan dot emocionet që po ndjen këto ditë?
– Duhet t’i pikturoj, sepse me fjalë s’po di t’i shpreh.
– Me kë i ndan?
– Tingëllon shumë klishe, por me familjen time.
– Çfarë aspiron të arrish?
– Nuk jam personi që bëj plane, por di me siguri se gjithmonë do të bëj punën që dua dhe gjithçka që më bën të lumtur.