Ai shquhet si fotografi bardhë e zi, një stil që duket se e ka bërë të famshëm dhe unik në llojin e tij. Por ç’është ky stil? Si ka mundur ai të depërtojë në treg? Plani i ardhshëm i fotografit shqiptar që jeton në Suedi, është të fotografojë një nga emrat më të lakuar të vendit, siç është princesha e Suedisë. Ju ftojmë më poshtë të zbuloni më shumë rreth këtij djaloshi të ri, që para pak kohësh, fitoi çmimin dhe si i riu më kreativ në Suedi…
Arlis Alikaj: – Përshëndetje Dardan! Sapo je kthyer nga një ekzpozitë e suksesshme. Çfarë i tërheq njerëzit tek arti yt?
Dardan Gashi: – Përshëndetje Shqipëri! Jam shumë i lumtur që intervistën time të parë po e jap në gazetën tuaj, ku kam lexuar edhe emra të tjerë kolegësh të njohur. Mendoj që është arti dhe kreativiteti im, për të krijuar një foto artistike, ajo që i tërheq. Pataj, tek unë rritet vështirësia, pasi të bukurën e sjell bardhë e zi, pa efekte. Pra, mundohem të jem sa më afër artit natyral. Këtu në Suedi ka shumë dashamirës të fotografive bardhë e zi.
– Pse pikërisht bardhë e zi? Mendon se këto foto e shprehin më mirë botën shpirtërore?
– Nuk jam unë ndryshe. Të gjithë janë unikë dhe dallojmë nga të tjerët. Për mua, fotoja bardhë e zi është foto që shpreh shumë dhe fokusohet për të vënë në pah shpirtrat e bukur të personave e jo veshjet apo vlerën e asaj që ua mbulon trupin. Bota ime shpirtërore është plot ngjyra, por për ta ngrirë në kujtim, unë e bëj me së miri në fotot bardhë e zi.
– Gjithashtu, në Suedi, disa gazeta lokale të kanë quajtur: “Shqiptari që po zhvesh modelet suedeze”. Sa prej tyre ke zhveshur deri tani?
– Unë nuk zhvesh modelet suedeze, janë vetë ato që zhvishen para fotoaparatit tim. (Buzëqesh) Nuk mund të them një numër se janë shumë, por mund të them se brenda kësaj jave, kanë qenë dhjetë. Po vajti mirë kështu, ku i dihet, ndoshta do kem mundësi ta zhvesh princeshën Viktoria e t’i bëj foto me sfond shqiponjën tonë. Shprehja “kurrë mos thuaj kurrë” është motivimi im. E besoj këtë gjë dhe do t’ia arrij, aq më shumë që Princesha e Suedisë e ka pasion fotografinë dhe jemi ndeshur së bashku në disa sfilata.
– Përse mendon se modelet zhvishen lehtë përpara aparatit tënd? Çfarë i bën ato për vete?
– Çiltërsia ime, natyrisht, por mbi të gjitha, bindja që fotoja do të jetë artistike dhe jo e llojit “Playboy”. Pastaj, suedezët janë rritur me artin, i cili është pikë kyçe në edukimin dhe evoluimin e personalitetit të tyre. Ata janë të njohur si mendjehapur.
– Me çfarë po merresh tani?
– Po bëj disa sete fotografike të personaliteteve të ndryshme këtu. Në këtë mënyrë, kam arritur të jem i veçantë duke marrë nga emri i tyre. Një ndër projektet e mia më në zë është ai e Nichtsckhlm. Ndjehem i bekuar pasi do të bëj unë zgjedhjen dhe fotografimin e modeleve për fotografitë e kësaj marke. Jam unë që zgjedh modelet e jo ato mua. Pastaj do të jetë Josef style për ata që e njohin, kurse nga shtatori, kam disa foto me disa VIP-a shqiptarë.
– Ke fituar çmim si i riu më kreativ në komunën e Stokholmit, në një konkurs arti dhe disa të tjera për të cilat ne duam të na tregosh më shumë…
– E vërtetë, ekspozita që sapo bëra ka qenë e financuar nga komuna. Ishte kryetari i komunës i cili financoi projektin tim dhe atyre iu duk i suksesshëm. Sa i përket çmimit si i riu më kreativ, kam fituar një shumë prej 3000 eurosh për të vetëfinancuar projektin tim të radhës, që do të quhet “African beauty” e të cilin do ta hap më 3 maj, në pranverë. Gjithashtu, drejtoria e shkollës vlerësoi dashamirësinë time për artin me një çmim për të qenë fotografi zyrtar dhe përgjegjës i fotove që do të postohen në faqet sociale të shkollës.
– Dardan, po lexoja online faqet e tre gazetave lokale suedeze që të kishin dedikuar artikull…
– Po, kam qenë pjesë e tre gazetave lokale suedeze ku është shkruar për punën që bëj. Të them të drejtën, nuk e kam pritur që do të kontaktohesha nga të tilla gazeta si “Jan Stockholms”, “Tidningen LT” dhe “Södertälje posten” se punoj pa bërë shumë zhurmë, e lë suksesin të flasë për mua. Çdokush mund të ishte në vendin tim, nëse nuk resht kurrë së punuari për realizimin e ëndrrave të tij.
– A ndjen keqardhje për bashkëmoshatarët e tu që po largohen masivisht nga Kosova dhe nuk u jepet mundësia për të vënë në pah talentin e tyre?
– Kjo është pyetja që shumë shpesh ia bëj vetes. A jemi ne shqiptarët atdhedashës? Përgjigjja është: Gjermanët kanë ngrënë gjashtë vite vetëm prodhime të tilla si patate dhe të tjera vendase për të rritur ekonominë e shtetit, që t’i vënë gjërat në binarët e duhur. Ndjehem keq dhe më dhemb shpirti për talentet që vdesin e shuhen e nuk kanë mundësinë të duken, por një gjë di, se korrupsioni në vendin tim duket sikur nuk do të marrë fund ndonjëherë. Jemi ne që e bëjmë ndryshimin dhe kemi forcë t’i bëjmë të mëdhenjtë në qeveri të largohen me ndërgjegjen jo të pastër.
– Dardan, më ke thënë se në ekspozitën e sotme ishte e pranishme edhe ambasada shqiptare dhe ajo kosovare në Suedi. Çfarë thanë ambasadorët për punën tënde?
– Ishte ambasadori kosovar dhe një delegat i ambasadës shqiptare. Ata u krenuan te fotoja e varur në ekspozitë, ku si prapavijë ishte edhe Ibrahim Rugova, të cilin ata e prezantuan përpara publikut suedez, si Mahatma Gandhi i Ballkanit.
– Ke zhveshur Miss Guinean… Si ishte të zhvishje një vajzë ngjyrë çokollatë?
– Mmmmmm si çokollatë. Të vinte ta haje! (Qesh)
– Çfarë mendon se e bën më të bukur fotografinë e një femre?
– Në ato momente që bën fotografinë, ta bëjë me gjithë shpirt, ta ndjejë admirimin e kameras dhe të jetë gjatë gjithë kohës, e buzëqeshur.
Dardani dhe aparati fotografik
– Cilin personazh shqiptar do të doje të fotgrafoje?
– Adelina Ismajlin, pasi në të shoh femrën e fortë shqiptare.
– Cila mendon se nuk do t’i shkonte aparatit tënd?
– Ka edhe të tilla dhe një ndër to është Gjyste Vulaj. (Qesh)
– Do të doje ta fotografoje Edi Ramën nudo, bardhë e zi?
– Sigurisht, do të ishte e mahnitshme. Do ishte bashkëpunimi më i mirë mes artistësh.
– Të pëlqen të të bëjnë dhe ty ato foto të çuditshme që ti ua bën të tjerëve?
– Të tilla foto më kanë bërë mua më parë, pastaj fillova t’ua bëj unë.
– Je ti më shumë i çmendur pas aparatit, apo ai pas teje?
– Në fakt, është dashuri nga të dyja palët. (Buzëqesh)
– Dardan, deri ku do të shkojnë përpjekjet e tua për të fotografuar princeshën e Suedisë?
– Nuk do të dorëzohem kurrë…
– Veç kësaj, cilat janë planet për të ardhmen?
– Kam një plan që shpresoj ta konkretizoj së shpejti: Të hap një agjenci modelesh, me një mikeshën time, Fanny Månsson dhe bashkë të bëjmë revolucion fotografik; t’i edukojmë sytë e artistëve me art dhe jo me komercialitet.
– Kur bën një foto, çfarë shprehjeje të frymëzon?
– Jep shumë nga vetja se, si ti ka plot!