Historia ime mund t’ju duket pak e çuditshme, por në fund, do kuptoni se nuk është e thënë që lumturia të të vijë nga gjëra të përsosura, të cilat presim me vite të na vijnë në shteg e ndoshta asnjëherë nuk i arrijmë dot. Mua më trokiti lumturia në derë tamam atëherë kur nuk e prisja.
Unë tani jam 40 vjeçe dhe jam e divorcuar. U martova në një moshë që mund të quhet nga disa jo fort e përshtatshme për martesë. Isha 35 vjeçe. Ia kisha kushtuar të gjithë jetën karrierës e punës e nuk i kisha lënë kohë familjes, pra, krijimit të saj.
Në gjimnaz isha e dashururar me një shokun e klasës dhe për disa vite ne qëndruam të lidhur së bashku, deri në universitet. Na rastisi të dyve të shkonim në të njëjtin universitet, edhe pse kishim degë të ndryshme. Ishim një çift, siç na thoshin edhe të tjerët, që shkonim shumë me njëri-tjetrin, mirëpo difekti i kësaj lidhje ishte se ai ishte mjaft xheloz dhe kështu, sa herë dilnim, ktheheshim të zënë me njëri-tjetrin, sepse edhe njerëzit e rrugës i dukej sikur më shikonin mua. Prandaj u kënaqa shumë kur ai u largua jashtë shtetit. I mbajta lidhjet për pak kohë, por më pas nuk më mori për një kohë të gjatë. Mendova se ndoshta diçka nuk kishte shkuar mirë në jetën e tij, prandaj e mora unë. Ai më tha se kishte probleme me letrat e duhet të martohej me një të huaj, që të mund të merrte nënshtetësinë. Edhe unë nuk doja të përfundoja me të, prandaj edhe nuk u mërzita shumë.
Më pas u martova me një burrë me shkuesi. Ai nuk ishte i keq, por nuk ishte edhe aq i shkathët e kishte mbetur vetëm me atë që kishte trashëguar nga i ati, se nuk arriti të bënte gjë vetë. Por kjo nuk ishte asgjë para asaj mungese që kisha unë: Nuk mund të bëja fëmijë! Mendova t’i jepja leje të merrte një grua tjetër, por problemi ishte shtëpia sepse unë do të mbetesha në rrugë. Ai më tha se në fillim do të rrinim në një shtëpi. Meqenëse ishte shtëpi private, hapëm një derë nga ana e kundët e derës që kishim e kështu, ai u martua, mirëpo unë e ndjeja vetën jo shumë rehat në atë shtëpi. Doja të isha sa më larg, sepse se si më dukej kur ai të bënte fëmijë e më pas, kështu që prenotova një shtëpi e për fat, gjeta edhe një punë me pagë të lartë e pas saj, meqë nuk kisha okupime të tjera, fillova edhe një punë të dytë.
Pata disa flirtime, por asgjë serioze. Kur prisja në stacionin e urbanit, në të njëjtën orë çdo ditë kalonte një autobus me fëmijë që mua ma tërhiqte gjithmonë vëmendjen. Te xhami i përparmë i autobusit kishte të shkruar në një letër emrin e shkollës së tyre. Ishin fëmijë me Sindromën Daun. Të gjithë mund t’i shohin pak ndryshe këta fëmijë, por unë nuk e kisha këtë problem. Mua gjithmonë më shkonin sytë te njëri nga fëmijët i cili rrinte gjithmonë në të njëjtin vend në autobus dhe mbështeste kokën në dritare. Asnjë ditë nuk rastiste të mos e shihja autobusin dhe fëmijën që përshkrova më lart.
Një ditë, ai ma bëri me dorë. U ktheva prapa të shikoja se mos ishte ndonjë njeri pas meje dhe ai po e përshëndeste. Pashë që isha vetëm unë. Pra, ai ma bënte me dorë mua. Ia ktheva përshëndetjen. Deri në fund, ku nuk shihej më, ai nuk e uli dorën. Shkova në shtëpi dhe mendja më rrinte aty. Përse vallë po më përshëndeste? Të nesërmen u vonova pak më shumë në punë se kisha disa shkresa urgjente dhe në stacion, u gjenda një orë më vonë se herët e tjera. Në fakt, kisha shumë punë dhe nuk mendova ndonjë gjë tjetër. Pastaj në darkë dola me disa shoqe, kështu që vetëm pas tri ditësh, kur mbaroi uikendi dhe dita e hënë e punës, më rastisi ta shoh prapë autobusin e shkollës.
Djaloshi ma bëri përsëri me dorë. U bëra shumë kurioze dhe vendosa të shkoja ta takoja në shkollën e tij djaloshin që më kishte tërhequr kaq shumë. Shkova me një shoqen time e cila ka një shoqatë humanitare. Drejtoresha na priti mirë. Pas një bisede të ngrohtë, e pyeta për fëmijët dhe prindërit e tyre. Më pas, ajo na çoi të shihnim fëmjët e të flisnim me ta. Menjëherë më shkuan sytë te djali që më përshëndeste nga autobusi. Ai, sa më pa, m’u hodh në qafë, thua se më kishte takuar dhe më parë. Mendona se, ose i ngjaja me një të afërt të vetin, ose mendoi se kisha ardhur për të. Drejtoresha u habit e më pyeti:
– E njeh? – Pastaj pyeti djalin: – Alan, e njeh zonjën?
Pa më lënë kohë të flisja, ai tha: – Po unë e shoh përditë!
Mbeta pa fjalë, sepse nuk prisja asgjë nga këto po ndodhnin, prandaj ia lashë shoqes sime fjalën.
– Pikërisht ky është fëmija që na ngjalli kureshtjen të vinim këtu…
– Çdo ditë më përshëndet nga autobusi. Më ka ngjallur shumë kureshtje dhe mendoj se mos i ngjaj me të ëmën. – thashë.
– Po edhe nëse i ngjan, nga do ta dijë ai? Ai nuk e ka njohur kurrë të ëmën. Ai jeton te Shtëpia e Fëmijës, që nga lindja.
Atëhere mendova se kjo ishte një shenjë për mua. Mendova se Zoti më kishte sjellë këtë rastësi që unë ta ndihmoja këtë fëmijë. E mora afër dhe ndjeva se duhej ta ndihmoja urgjentisht. Më pas, i kërkova drejtoreshës të shkoja përsëri kur të kisha kohë dhe kështu bëra. Kaloja andej sa herë kisha mundësi, madje disa herë mora disa prej nxënësve dhe i çova në një park lojrash. Vëreja se sa fëmijë të mbarë ishin! Sa mirë silleshin dhe sa dashuri më falnin!
Aty, një grua, më pyeti:
– Sa vjeç e ke fëmijën?
Kur desha t’i ktheja përgjigje se nuk kisha fëmijë, pashë që ajo po shikonte nga Alani.
– Si? Oh, po nuk është fëmija im. Unë kujdesem për të.
– Më falni, por nuk e dija, fola para se të të pyesja, por ai kur afrohet afër teje i ndrijnë sytë dhe dukeni si nënë e djalë.
– Ashtu duket? – pyeta që të vërtetoja atë që kisha kohë që e dija, se mes nesh ishte një tërheqje e madhe.
– Po, ashtu! Unë kam qenë mësuese dhe me të gjithë fëmijët, sidomos me fëmijët me sindromën Daun i mbaj ende lidhjet. Edhe po të mos dua unë, ata më kujtojnë shpesh e madje kur i shoh në rrugë, ka raste që më puthin duart. Kanë zemër të madhe.
Të gjitha këto fjalë më shtynë të merrja në vendim të cilin pothuajse e kisha marrë me mendjen time. Kështu, unë vendosa të birësoja Alanin. Ai fëmijë më kishte ndryshuar jetën, që në çastin e parë kur më përshëndeti nga autobusi. I kreva të gjitha procedurat dhe më pas, e mora në shtëpi. I kisha rregulluar dhomën e tij, ashtu si ai ma kishte përshkruar kur unë e pyeta, para se të vinte të jetonte me mua.
Tani kam tre vite që e kam birësuar. Kur unë u njoha me të, ai ishte 7 vjeç, tani është 10, madje sapo i ka mbushur dhjetë. Ia festova ditëlindjen te Shtëpia e Fëmijës. Atje ai ka të gjithë shokët me të cilët është rritur, prandaj nuk i kemi humbur lidhjet me ta. I kam ndryshuar edhe shkollën, që ai të mësohet edhe me fëmijë që nuk janë me sindromën Daun. Këtë e bëra që të integrohet në shoqëri, por e shoh se më mirë do të ishte që ai të vazhdonte shkollën atje ku edhe u njohëm, sepse atje ka shokët e tij. Ndoshta këtë vendim mund ta marr vitin tjetër.
Pra, siç ju thashë, jeta ime ndryshoi tërësisht. Alani është një fëmijë shumë i dashur dhe me shumë botë. E kuptojmë njëri-tjetrin dhe unë tashmë ndjehem shumë mirë. Edhe në lidhjet sentimentale mund të them se më ka ndihmuar shumë. Ja, arsyeja: Kur nuk e kisha birësuar Alanin, nuk e kuptoja se kush më donte me interes e kush pa interes. Sapo birësova Alanin, njoha një burrë të cilit nuk kishe se çfarë defekti t’i gjeje. Edhe pse kishim dalë disa herë bashkë e dukej se çdo gjë po funksiononte, aq më shumë se ai e dinte se unë djalin e kisha të birësuar, sapo u njoh me djalin tim, ai nuk e honepsi dot se ishte me sindromën Daun. Më erdhi keq për këtë njeri. Dukej se ishte intelektual e pa komplekse, por nuk mundi ta tregonte “qytetërimin e tij”.
Ndryshe ndodhi me burrin që kam tani. Ai e do shumë Alanin dhe të tre jetojmë bashkë e ndjehemi shumë të lumtur. Përveç të tjerave, ai më do edhe më shumë për faktin që unë kam birësuar Alanin, këtë djalë të mrekullueshëm, që të bën ta jetosh jetën me të gjithë kuptimin e saj.
Tani jetoj e lumtur dhe mendoj se jeta ka surprizat e saj. Është pak e vështirë t’i gjesh, por kjo nuk është më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është të dish t’i shijosh këto surpriza dhe unë po i shijoj në maksimum. Familja ime tani u kompletua. Tani dua që të tre të kemi shëndet e jetë të gjatë, që të çojmë përpara lumturinë e gjetur.
Advertisement