– Doktoreshë, dua të di se çfarë është koliti dhe si mund të trajtohet? E bëj këtë pyetje për arsye se motra ime vuante shumë për të dalë jashtë dhe pasi u vizitua, i thanë që ka kolit. A ka shenja të veçanta që përcaktojnë se vërtet është kolit? A ka mundësi të shërohet kjo sëmundje apo bëhet kronike? Pres një përgjigje nga ana juaj. Faleminderit.
Dr. Valdete Malaj, gastro-hepatologe: – Koliti, ose thënë ndryshe, sindromi i zorrës së irrituar, është një sëmundje kronike, karakteristikë e së cilës është dhimbja ose diskomforti abdominal. Ai shfaqet si te moshat e reja, ashtu edhe te më të mëdhatë, por më të predispozuar ndaj kësaj sëmundjeje janë personat që stresohen. Shenja të veçanta janë dhimbjet e barkut në formë krampesh, me ndërprerje. Këto dhimbje fokusohen zakonisht në pjesën e poshtme të barkut dhe nuk ndodhin natën. Ai apo ajo që ka këtë sëmundje, ka ndryshime të jashtëqitjes, që mund të jetë diarre ose konstipacion. Motra juaj duhet të bëjë një sërë ekzaminimesh radiologjike dhe të feçeve, për të përjashtuar sëmundje të tjera të aparatit tretës, siç janë koliti ulçeroz, tumoret e zorrëve, sëmundja e tiroides etj.
– Përsa i përket shërimit, kjo është një sëmundje në të cilën mjeku ndërhyn për të mos shkuar në një gjendje më të rëndë. Si çdo sëmundje tjetër funksionale, një rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet mjekimit dhe ndërhyrjes që i ofrohet të sëmurit, si dhe informacioni i duhur rreth trajtimit të kësaj sëmundjeje. Një rëndësi të veçantë, ka edhe dieta. Ka shumë pacientë që paraqesin intolerancë ndaj disa ushqimeve, kryesisht, me yndyrë dhe që kanë në përbërje kafeinë. Këta përbërës tolerohen keq nga shumica e të sëmurëve. Disa ushqime të tjera bëhen shkak për flatulencë (fryrje), siç janë fasulet e kuqe, lakra, rrushi, kafeja, vera e kuqe, birra. Një dietë e pasur me fibra, është e domosdoshme te këta të sëmurë. Për të qetësuar dhimbjet e barkut, përdoren disa preparate që quhen antispastikë.
Advertisement