Mungesa e estrogjeneve dhe e testosteronit, si pasojë e menopauzës, mund të çojë në ndryshime në trupin e gruas, si edhe në dëshirën e saj për seks. Gratë në menopauzë dhe në pasmenopauzë, mund të vënë re se nuk eksitohen lehtë dhe mund të jenë më pak të ndjeshme ndaj prekjeve e përkëdheljeve. Kjo mund të çojë në uljen e interesit për seks. Gjithashtu, ulja e nivelit të estrogjeneve mund të shkaktojë një ulje të furnizimit me gjak të vaginës. Kjo ndikon në lubrifikimin e saj, duke e bërë vaginën shumë të thatë për një seks cilësor, por për këtë, ekzistojnë ndihma të ndryshme…
– Cilët faktorë mund të ndikojnë në nivelin e interesimit për seks gjatë menopauzës dhe pas saj?
– Ata janë të ndryshëm dhe përfshijnë: Probleme të kontrollit të fshikëzës së urinës, problemet me gjumin, depresioni apo ankthi, stresi, marrja e ilaçeve dhe së fundmi, problemet shëndetësore.
– A e ul menopauza dëshirën për seks te të gjitha gratë?
– Jo, disa gra në pasmenopauzë thonë se kanë pasur një përmirësim të jetës seksuale. Kjo mund të shkaktohet nga ulja e ankthit për një shtatzani të mundshme. Gjithashtu, shumë gra në këtë moshë kanë më pak përgjegjësi për rritjen e fëmijëve, gjë që u jep mundësi atyre të relaksohen dhe të shijojnë intimitetin me partnerin.
– Çfarë mund të bësh për të trajtuar thatësirën vaginale gjatë menopauzës?
– Gjatë dhe pas menopauzës, thatësia vaginale mund të trajtohet me lubrifikantë të tretshëm në ujë, si Astroglide apo K-Y Jelly. Mos përdorni lubrifikantë jo të tretshëm në ujë, si vazelinën, sepse ato mund të dobësojnë lateksin, materialin që përdoret për prezervativët. Ju dhe partneri juaj duhet të përdorni prezervativët derisa doktori juaj konfirmon se ju nuk ovuloni më dhe për të parandaluar një SST. Gjithashtu, lubrifikantët jo të tretshëm në ujë mund të krijojnë një mjedis për rritjen e bakterieve, sidomos te njerëzit, sistemi imunitar i të cilëve është dobësuar nga kimioterapia. Edhe hidratantët e vaginës, si Replens dhe Luvena, mund të përdoren rregullisht për të hidratuar këtë zonë. Ju mund të flisni edhe me doktorin për një terapi vaginale me estrogjene. Një ilaç nga goja, Osphena, i bën indet e vaginës më të trasha dhe më pak të brishta, duke bërë që ato të ndjejnë më pak dhimbje gjatë seksit, ama specialistët paralajmërojnë se Osphena mund të shkaktojë edhe trashjen e endometrit (indet që mbështjellin mitrën) dhe të shtojë rrezikun për koagulimin e gjakut dhe infarktin.
– Si mund ta përmirësoj dëshirën për seks gjatë dhe pas menopauzës?
– Zëvendësuesit e estrogjeneve mund të funksionojnë, por duhen bërë ende kërkime në këtë drejtim. Megjithatë, estrogjenet mund të bëjnë të kesh më pak dhimbje gjatë seksit, duke trajtuar thatësirën vaginale. Doktorët, ende po studiojnë mundësinë nëse një kombinim mes estrogjeneve dhe hormoneve mashkullore, të quajtura androgjene, mund të ndihmojnë për të nxitur dëshirën seksuale te gratë. Megjithëse mund ta keni të vështirë të flisni për problemet tuaja seksuale, këshillohuni me doktorin tuaj. Ai mund t’ju drejtojë te një specialist për problemet seksuale. Këshillat e tij mund të jenë zgjidhja për problemin tuaj.
– Po intimitetin me partnerin, si ta përmirësoj?
– Gjatë menopauzës, nëse dëshira për seks ka rënë, por ju nuk mendoni se keni nevojë për këshilla, përsëri duhet t’i kushtoni kohë intimitetit. Ju përsëri mund t’i tregoni partnerit dashurinë dhe afërsinë, pa bërë seks. Shijojeni kohën tuaj së bashku: Dilni shëtitje, hani darkë nën dritën e qirinjve ose bëjini masazh njëri-tjetrit. Për të përmirësuar intimitetin tuaj fizik, provoni këto metoda:
– Mendoni të eksperimentoni me libra dhe video erotike, masturbim dhe ndryshim të rutinës seksuale.
– Përdorni teknika hutimi, për t’u relaksuar dhe lehtësuar ankthin. Këto mund të përfshijnë fantazitë erotike, muzikë, video, apo televizor. Zbavituni me lojërat paraprake, si masazhet sensuale dhe seksi oral. Këto aktivitete mund t’ju bëjnë të ndjeheni më rehat dhe të përmirësojnë komunikimin mes jush e partnerit tuaj.
– Minimizoni çdo lloj dhimbjeje që mund të keni, duke përdorur pozicione që ju lejojnë të kontrolloni thellësinë e penetrimit. Mund të bëni edhe një banjë me ujë të ngrohtë para seksit, që të relaksoheni dhe të përdorni lubrifikantë për të lehtësuar dhimbjen e shkaktuar nga fërkimi. Thuajini partnerit se çfarë ju bezdis dhe çfarë jo.
– Duhet të shqetësohem për sëmundjet seksualisht të transmetueshme?
– Po, menopauza dhe pasmenopauza nuk ju mbrojnë nga SST-të. Ju mund të sëmureni nga një SST në çdo moment të jetës, në të cilën jeni seksualisht aktive. Ky rrezik nuk pakësohet me moshën, apo me ndryshimet në sistemin tuaj riprodhues. Nëse lihen pa trajtuar, disa SST mund të shkaktojnë sëmundje serioze, ndërsa të tjera, si SIDA, nuk mund të trajtohen dhe mund të jenë fatale.
– Si ta mbroj veten nga një SST?
– Ja disa të dhëna për këtë: Mungesa e seksit është e vetmja mënyrë e sigurtë për të parandaluar SST-të. Përdorni një prezervativ prej lateksi sa herë bëni seks. Kufizoni numrin e partnerëve seksualë. Sa më shumë partnerë, aq më i madh është rreziku për t’u infektuar nga një SST.