Rovena shumëdimensionale; kështu do ta quaja vajzën e cila çdo herë vjen me një ambicie të re… Puna në zyrë, modelingu, biznesi dhe tani televizioni, janë synimet e Rovenës të cilat, me vendosmërinë që e karakterizon, duket se po i përmbush. Kështu si e ka nisur, Rovena Domi do jetë një emër mjaft i lakuar në media…
Rovena shumëdimensionale
– Rovena, ti kërkon t’i bësh të gjitha: Punën në zyrë, modelingun, biznesin dhe televizionin. Nuk ke frikë se po të synosh shumë, mund të mbetesh pa gjë?
– Një përgjigje retorike kjo. (Qesh) Është më se e vërtetë që të gjitha këto fusha janë pasioni im. Frika ekziston në momentin kur gjërat që synon nuk i arrin, pastaj më pas, kur ëndrrat realizohen, çdo gjë e dhimbshme harrohet shpejt.
– Më shpjego me pak fjalë se ku ndryshon njëri angazhim nga tjetri dhe cili është ai që ke më për zemër?
– Ndryshojnë shumë, më saktë, njëra fushë nuk ka lidhje me tjetrën. Unë njëkohësisht punoj çdo ditë në zyrë, por pa harruar gjërat për të cilat ushqej pasion dhe mundohem shumë për t’i arritur. Më për zemër, dihet, kam televizionin. (Buzëqesh)
– Po ai që të shkon më shumë?
– Në këtë pikë, nëse bëhet fjalë për karakterin tim, më shkon më shumë puna në zyrë. (Qesh)
– Sapo ke realizuar një set fotosh tepër hot. Mua ma the arsyen, por mund ta shpjegosh më mirë edhe për ata që ende nuk e dinë?
– Mbi të gjitha, bëhet fjalë për një super set fotosh me të cilin kam ngelur tepër e kënaqur, falë talentit që ka fotografi mirënjohur Endrit Mertiri. Arsyeja themelore gjithnjë ngelet në shije të publikut…
– Në fakt, në treg ekzistonin shumë revista, kur ti solle tënden… Çfarë mendon se solle apo deshe të sjellësh ndryshe?
– Ekzistojnë vërtet shumë revista, por unë kam terrenin tim (qesh) dhe nuk kam zili askënd. Jam më se e sigurtë për veten! Ndryshimi themelor ka të bëjë së pari, me lukun tim dhe së dyti, me publikun.
– Në tregun mediatik, flitet për kriza të mëdha… Beson se ke gjetur fushën e duhur për të financuar?
– Po, sigurisht që po, është fusha e duhur, pasi jam e apasionuar pas kësaj fushe dhe nuk pendohem aspak për investimin e bërë. Pastaj, fjalën “krizë” s’e njoh, e urrej! (Qesh)
– Me ç’synim e ke hapur revistën? Beson se do të kesh fitime me të?
– Pa dyshim që po! Me dy revistat e para pata shumë fitim. Edhe me këtë kopertinë të tretë timen, jam e bindur që do kem shumë sukses e fitime, gjithashtu.
– Pas revistës, prezantove eventin e madh me 25 nëntor “Stop dhunës ndaj gruas”. Me siguri, ke edhe një synim tjetër. Cili do të jetë ai?
– Çdo gjë ia lë së ardhmes ta vendosë; asnjëherë nuk është mirë të bësh plane.
– Je kurioze për ta lexuar horoskopin? Çfarë shenje je?
– Nuk besoj fare në horoskop, por në gjërat objektive, reale dhe live. (Qesh) Jam Peshqit, shenja e fundit e horoskopit.
Rovena dhe luku
– Çfarë ke ndryshuar në lukun dhe në stilin tënd, vitet e fundit?
– Luku është pika ime e dobët. Përsa i përket ndryshimit, them që jam gjithnjë në përmirësim.
– Po atë që nuk e ndryshon kurrë?
– Nuk ndryshoj kurrë tiparet e fytyrës. (Qesh) I kam perfekte!
– Kush të shoqëron zakonisht për shopping? Ka ndodhur që ai që të ka shoqëruar, është lodhur aq shumë duke të pritur sa ka ikur dhe të ka lënë aty?
– Për shopping, më shoqëron gjithnjë mamaja ime, të cilën e adhuroj. Nuk kam bërë shopping deri më sot me askënd, përveçse me atë.
– Ne femrat, edhe pse i kemi dollapet të mbushura me rroba, përsëri themi: “S’kam ç’të vesh”…
– Ndodh gjithmonë kështu. Gjithnjë them që nuk kam asgjë, kur realisht, kam rroba pa fund.
– Ku ke bërë më shumë shopping?
– Te Coin! E adhuroj.
– Veshja që e ke blerë, por nuk e ke veshur fare…
– Janë shumë.
– Veshjet që nuk i përdor më, i hedh, i fal, apo i lë aty?
– Të treja bashkë.
– Produkti i bukurisë që nuk mungon kurrë në produktet e tua kozmetike…
– Nuk mungojnë kurrë produktet kozmetike të Chanel dhe ato të lëkurës, Avene.
– Vajzat e ekranit duhet të kujdesen gjithmonë për lukun e tyre. Ti, je e fiksuar të ndjekësh trendet e fundit?
– Po, sigurisht që i ndjek trendet dhe modën e fundit, por gjithnjë brenda limiteve të mia.
– Për shembull, vazhdon t’i përdorësh edhe veshjet e sezoneve të kaluara?
– I përdor me kënaqësi madje. (Qesh)
– Çfarë ke menduar të blesh këtë herë?
– S’e di, shumë gjëra, por varet sa i arrij, jo të gjitha blihen.
Rovena dhe udhëtimet
– Valixhja jote e udhëtimeve është e vogël, mesatare apo e madhe?
– Mesatare.
– Çfarë nxiton të fusësh sa më parë në valixhe kur po bëhesh gati për një udhëtim?
– Rrobat e zgjedhura dhe të preferuara, fiks për udhëtime.
– …dhe çfarë harron gjithmonë ta marrësh?
– Asgjë nuk harroj. (Qesh)
– Destinacionet më të shpeshta…
– Tiranë-Romë, te tezja ime e dashur, të cilën e përshëndes.
– Gjatë udhëtimit, lexon apo dëgjon muzikë?
– Fle gjumë. (Qesh) Nuk lexoj dhe as dëgjoj muzikë.
– Situata më e veçantë që ka ndodhur në aeroport…
– Asnjë situatë e veçantë, përkundrazi, kanë qenë udhëtime më se normale.
– Hera e fundit që ke humbur avionin apo valixhen?
– S’ka ndodhur asnjëherë.
– Ku ke menduar ta bësh udhëtimin e radhës?
– Në Gjermani, pa dyshim, tani në dimër.
– Pushimet më të bukurat që mban mend?
– Në Gjermaninë time të bukur.
– Vendi ku ke ëndërr të shkosh për pushime?
– Kuba, Ibiza dhe Sardenja, por sidomos kjo e fundit. (Buzëqesh)
– Kur je me pushime, u përgjigjesh të gjitha telefonatave apo personave të caktuar?
– Përderisa je me pushime, nuk ke pse u përgjigjesh telefonatave të askujt. (Qesh)
Si do të reagoje nëse…
…pasi del nga uji, vë re që të kanë rënë rrobabanjot?
– Uau! (Qesh) As nuk dua ta mendoj reagimin tim; nuk ia lejoj kurrë vetes këtë.
…të humb diçka me vlerë?
– Për momentin, do ta kërkoja për ta gjetur. Nëse humbi, humbi, s’ke çfarë bën.
…ndërsa je në shezlong, një djalë që sapo del nga deti, kalon pranë teje dhe të bën qull?
– Do ta mbysja në shuplaka! (Qesh)
…do të të zhysnin në ujë pa mendje?
– Do dilja nga uji me forcën time më të madhe. (Qesh)
…kamerieri, bashkë me porosinë, të sjell një pusullë nga dikush që do të të takojë?
– E refuzoj direkt, me sigurinë më të madhe.
…dikush të mbyll telefonin?
– Unë nuk ia hap më kurrë. (Qesh)
…djali përballë flirton me ty?
– Le ta bëjë, nga unë vetëm refuzim do ketë.
…dikush të zhgënjen?
– Të garantoj që e zhgënjej dyfish. (Qesh)
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)