Që koha ka ndalur për Mihrije Brahën, ky është një fakt i pamohueshëm, madje Mihrija, sa vjen e bëhet më sfiduese për të. E bukur, e komunikueshme, e çiltër, e dashur dhe shumë e veçantë, origjinaliteti i saj është pika e fortë me të cilën magnetizon publikun kur interpreton në skenë…
Fabjola Kuburi: – Mihrije, ku ke qenë? E di që publikun e ka marrë malli për ty?
Mihrije Braha: – Unë vazhdoj të jetoj në Prishtinë, nuk e kam humbur jetën artistike, nuk e kam ndalur as për një moment. Kam kënduar kudo ku ka shqiptarë, aty ku e duan këngën time.
– Po të ktheheshim pas në kohë dhe të të duhej të prezantoheshe përpara një jurie muzikore, si do të ishte prezantimi yt?
– Prezantimin do ta bëja njësoj siç e kam bërë gjithmonë, nuk do të kisha ndryshuar asnjë shenjë pikësimi, sepse unë jam kjo që jam dhe nuk e ndryshoj për asgjë në botë.
– I bën dhurata Naimit apo vetëm në raste festash?
– Unë kam dëshirë që në çdo rast të mundshëm t’i bëj dhurata Naimit.
– Po ai?
– Edhe Naimi më bën gjithmonë dhurata, ka qejf të më surprizojë herë pas here, ama kurrë nuk i harron datat e rëndësishme dhe kjo është dhuratë më vete.
– Cila është dhurata më e bukur që i keni bërë njëri-tjetrit?
– Platori është dhurata më e bukur dhe që na jep jetë të dyve. Ai është drita e syve tanë dhe e shohim edhe si dhuratën më të bukur që na ka bërë Zoti.
– Sa e vlerësuar ndihesh kur të komplimentojnë apo ndonjëherë edhe të vënë në siklet?
– Gjithmonë ndjehem mirë, gjithmonë. Nuk ka pse të më vërë në siklet një urim, një kompliment.
– Duket që koha ka ndalur për ty. Në realitet, sa rëndësi i kushton pamjes së jashtme?
– I kushtoj rëndësi, pa diskutim, por edhe shumë jo. Kështu jam unë; pamja ime e jashtme është dhuratë nga Zoti.
– Çfarë do të thotë sipas teje, kujdesi ndaj vetes?
– Patjetër që është kulturë të kurosh trupin, veten tënde dhe është njëkohësisht, kënaqësi e veçantë. Në fund të fundit, është edhe detyrë që të jesh model për rrethin ku jeton, sepse si artist, ke detyrim njerëzor dhe shpirtëror që nga skena, të kultivosh botën që të rrethon.
– Nëse në një të ardhme të largët, mosha do të bëjë të vetën, do të jesh pro apo kundër ndërhyrjeve plastike?
– Unë jam natyrale në përgjithësi dhe dua gjithçka që vjen nga natyra apo Zoti. Sigurisht, një ditë, plakja do të vijë si një proces i natyrshëm dhe ashtu, natyrshëm, do ta pres. Sa u përket ndërhyrjeve kirurgjikale, nuk jam kundër dhe nuk i gjykoj ata që bëjnë ndërhyrje, madje mendoj se është fat i madh që shkenca ka arritur deri aty sa të mundësojë ndryshimet në trupin e njeriut, duke ulur apo duke larguar fare vuajtjet e ndryshme të njeriut.
– Në fillimet e tua, a t’i ka hapur bukuria dyert për të ecur përpara?
– Dyert i kam hapur vetë, me shumë punë, por edhe bukuria më ka kompletuar si artiste.
– Ke ndonjë pasion të veçantë, për të cilin ia vlen të ndalemi dhe të flasim?
– Pasion të madh kam pikturën, por pika ime e dobët është rregullimi i kopshtit te vila ime, që është plot me lule.
– Zakonisht, kursen apo je dorëshpuar?
– E konsideroj veten goxha të zonjën edhe në këtë aspekt.
– Përveçse e bukur, ti njihesh edhe si një femër me shumë stil në të veshur. Për ty, stili lind apo kultivohet?
– Edhe lind, por edhe kultivohet me kalimin e kohës.
– Kombinimi më ekstravagant në veshje deri sot?
– Në klipin e parafundit “Krejt le ta dinë”, por ka edhe prezantime të tjera në të cilat kam përdorur ngjyrat e forta dhe ngjyrat neon, që janë kombinime shumë ekstravagante dhe nuk harrohen lehtë. (Buzëqesh)
– Sa orë kalon para pasqyrës, përpara se të dalësh nga shtëpia?
– Nuk rri shumë para pasqyrës. Nëse dal për kafe, për 10-15 minuta jam gati, por nëse kam ndonjë paraqitje skenike po, më nevojitet rreth 1 orë.
– Që të jesh e bukur, duhet të jesh patjetër e stërdobësuar nga dietat?
– Në këto kohëra që po jetojmë, nuk është e vështirë të dukesh bukur, sepse ka mënyra e mënyra për t’u kujdesur për veten, vetëm shtrohet pyetja: Do apo nuk do? (Qesh)
– Cila është pika jote e fortë?
– Zëri dhe vetëm zëri, pastaj vijnë të tjerat.
– Cilat janë këngëtaret që të frymëzojnë?
– Këngët e Adele dhe Madonës.
– Do të doje të ndryshoje ndonjë gjë në jetën tënde?
– Jo, gjithçka është shumë mirë, madje nuk harroj të falënderoj Zotin për gjithçka që më ka dhënë.
– Cila është filozofia që beson për të qenë e lumtur?
– Respekt, mbi të gjitha. Përveçse të bën të ndihesh mirë, të bën madhështore.
– Frika më e madhe që ke…
– Nuk kam frikë nga asgjë, nuk i frikësohem jetës, jam femër që mendoj vetëm pozitivisht, vdekjen nuk e mendoj fare.
– Me sinqeritet dua të më thuash, çfarë të pëlqen nga muzika shqiptare dhe çfarë jo?
– Më pëlqejnë të gjithë ata që dinë të këndojnë bukur, por kjo periudhë kohore lë shumë për të dëshiruar.
– Lajmi më i bukur që ke marrë kohët e fundit?
– Më ka bërë të ndjehem mirë lajmi që koncerti im i fundvitit, është pëlqyer jashtë mase.
– Ku i përqendron më tepër energjitë e tua?
– Përveç jetës profesionale, të tërë energjinë e shpenzoj me familjen, që për mua është e shenjtë.
– Çfarë do ta bënte dikë simpatik apo antipatik në sytë e tu?
– Rrezatimi pozitiv është ai që i bën njerëzit simpatikë në sytë e mi. Sigurisht, mendja dhe syri im nuk i pranon gjërat e pakëndshme.
– Ke bërë ndonjë gabim që nuk ia fal dot vetes?
– Në jetë ka shumë sfida, por unë nuk kam bërë ndonjë gabim që s’do t’ia falja vetes. Gabim do të quaja shpirtbardhësinë dhe kulturën që i dhuroj ndokujt që nuk e meriton.
– Publiku duket sikur është hipnotizuar pas teje. Meritë e kujt është?
– Ndoshta është meritë e origjinalitetit tim dhe e interpretimit me shpirt. Kjo i bën të ndihen mirë.
– Sa ndihen te ti dashamirësia dhe vlerësimi i publikut?
– Jashtëzakonisht shumë. E ndjej si hija që e ndjek njeriun… Sapo dal nga apartamenti im, e ndjej dashurinë e njerëzve, apo më mirë të them, aty ku e vë këmbën, njerëzit më përshëndesin me shumë dashamirësi e kjo më bën të ndihem jashtë mase mirë dhe e lumtur.
– Sot ka më shumë gjëra false apo origjinale?
– Më duket se edhe disa njerëz janë bërë fallco apo edhe kanë qenë, por kanë ditur ta fshehin mirë. (Qesh)
– Çfarë ke ti me shumicë e do t’ua jepje të gjithëve pa kursim?
– Rrezatimin pozitiv do t’ua dëshiroja të gjithëve, por nëse dikush kërkon ndihmë nga unë, kam qenë dhe jam e gatshme të jap maksimumin nga vetja, gjithmonë brenda mundësive.
– Të pëlqen të jesh në qendër të vëmendjes?
– Po, shumë. Nëse kam diçka të bukur për të dhuruar, siç mund të jetë një këngë e bukur apo një interpretim i bukur dhe vlerësohem, pse të mos jem në qendër të vëmendjes?!
– Çfarë duhet për një jetë me dashuri?
– Dashuri të sinqertë, pa hile, pa interes dhe të ketë shumë, po shumë respekt.
– Cila është shprehja më e bukur që ti e ke edhe si moto në jetë?
– Shprehjen më të bukur ua them dy më të dashurve të mi, Naimit dhe Platorit: Zoti ju ruajt!