Këtë herë ato vijnë bashkë në një duet interesant, një bashkëpunimin që fansat e prisnin prej kohësh. “S’jam jetime” është realizimi më i ri muzikor që përcjell emocion përmes tekstit të Ilir Beranit e zërit të motrave Koçi dhe që sigurisht, ka prekur mjaft zemra. Por përtej mesazhit që përçon kënga, fjalë zemre janë edhe ato të shprehura nga Greta në këtë intervistë e shumë prej tyre mund t’ju vlejnë si frymëzim për sukses. Kur ta keni mbaruar së lexuari, do të na jepni të drejtë…
Arjana Bregu: – Cila qe shkëndija që i risolli dy motrat bashkë në këngën “S’jam jetime”?
Greta Koçi: – Kishim kohë që bashkë me Enin, mendonim të sillnim një këngë në bashkëpunim. Të gjithë fansat dhe të njohurit tanë, kërkonin të na shihnin në një këngë.
– …si rrjedhojë, edhe komentet do të kenë qenë të shumta. Ka ndonjë që të ka mbetur në mendje?
– Komentet kanë qenë të pafundme, jashtëzakonisht pozitive. Jam ndjerë shumë e lumtur për impaktin e menjëhershëm që pati kjo këngë, për shkak të tematikës që ka, fabulës prekëse e cila i bën ta ndjejnë në mënyrë të veçantë këtë këngë të gjithë ata të cilëve u mungojnë prindërit dhe u është dashur ta përballojnë jetën vetëm, së bashku me motrën ose vëllain. Kjo këngë ka prekur edhe ata që, për fat të mirë, i kanë prindërit shëndoshë e mirë, por e duan shumë motrën dhe në fjalët e këngës “S’jam jetime”, kanë gjetur veten.
– Ku ndahen e ku takohen muzika dhe politika, këngëtarja dhe politikania?
– Bashkohen te popullariteti. Në politikë, duhet të kesh mbështetjen e njerëzve, respektin e tyre, të fitosh besimin e tyre dhe për këtë, do shumë mund. Duke qenë artist, ti tashmë je një njeri të cilin publiku e njeh mirë, e respekton, e merr edhe për model. Kështu, duke pasur këtë masë të madhe njerëzish që të përkrahin, është shumë më e lehtë të depërtosh në politikë. Çdokush që hyn në politikë, duhet të jetë një njeri i suksesshëm në jetën e tij, në çdo lloj fushe qoftë kjo, art, sport apo edhe biznes. Ku ndahen? Ndahen sepse në muzikë ti nuk ndreq e as nuk prish dot interesa. Muzika është e të gjithëve dhe për të gjithë. Në politikë, do të mbrosh me vendosmëri atë që ti mendon dhe beson, shpesh edhe duke kundërshtuar me argumente atë që mendon ndryshe nga ti.
– Suksesi është më lehtë i parashikueshëm në rastin e publikimit të një kënge të re apo të një takimi me sfond politik?
– Suksesi që vjen prej një takimi me sfond politik, nuk mund të krahasohet asnjëherë me suksesin që sjell një këngë sot. Muzika është e të gjithëve, pjesë e pandarë e jetës së njerëzve, pa dallime bindjesh politike. Suksesi në politikë ka pa diskutim, rëndësinë e vet, por nuk mund të ketë të njëjtin impakt siç e ka një artist kur promovon një këngë të re dhe të realizuar.
– Kushdo që të sheh, do ta kishte të vështirë të imagjinonte Gretën që thyen rregulla…
– Nuk ka njeri perfekt sot. Natyrisht, unë jam mësuar të jetoj me rregulla, qëndroj konform tyre dhe jam njeri që nuk deliroj asnjëherë, përherë jam korrekte me veten dhe me të tjerët. Gjëra të vogla, pa diskutim që edhe ka pasur. (Buzëqesh)
– Ku “ndizet” shpirti yt i rebelimit?
– Vetëm në ambientet e shtëpisë sime dhe kur jam pranë njerëzve më të afërt.
– I je mirënjohëse fatit, që nuk e ka bërë të mundur diçka që ti e dëshiroje fort dikur, por që kur e mendon sot, thua: “më mirë që ndodhi kështu!”?
– Unë jam sot këtu ku jam, së pari, sepse Zoti më ka ndihmuar dhe kam pasur fat. Kam qenë në kohën e duhur e në vendin e duhur, për të ndryshuar rrjedhën e jetës sime. Nuk ka pasur asnjë rast ku kam dashur të realizoj diçka dhe nuk ia kam dalë, ndaj asnjëherë nuk kam thënë: “Mbase më mirë që nuk u bë”. Jam natyrë që përkushtohem shumë dhe kërkoj shumë prej vetes. Nëse do të kisha një ambicie, me shumë punë do të bëja çmos për t’ia dalë.
– Duket sikur jeton në ujëra të qeta. Është gjithçka kaq e qetë përreth teje?
– Jo, nuk është kaq qetësi sa mund t’ju duket juve. Është qetësi sepse po shijoj suksesin, por është dinamikë, lëvizje, punë, lodhje me orë të tëra për ta arritur. Jeta ime është gjithë kohës në lëvizje.
– Ç’rol luajnë tanimë mami dhe babi, në jetën artistike të vajzave?
– Na përkrahin, na ndihmojnë shumë. Kanë qenë dhe mbeten çelës për suksesin tonë. Askush nuk mund të bëjë karrierë e të ecë përpara, pa pasur mbështetjen e familjes.
– Cilët janë njerëz interesantë, sipas teje?
– Interesantë më duken vetëm ata njerëz që kanë një qëllim në jetën e tyre.
– Ke takuar shpesh njerëz të tillë?
– Patjetër, kam takuar dhe takoj.
– Një pyetje që ia bën shpesh vetes…
– Pse të fle edhe një orë më shumë? Karriera ime është e para… duhet të çohem.
– Për çfarë të vjen më shumë keq këto kohët e fundit?
– Për gjendjen e rënduar të jetës në Shqipëri, për pasigurinë për të dalë në rrugë, për të shkuar në punë, në shkollë, për varfërinë e madhe.
– Për çfarë e ke dhënë shumën më të madhe të parave deri më sot?
– Për veshjet skenike kam shpenzuar shumë. Ka qenë dhe është një shpenzim i domosdoshëm.
– Nëse rikthehemi pas në kohë… Të kujtohet për çfarë i ke shpenzuar paratë e tua të para?
– Kam blerë magnetofon dhe mikrofon, për t’u ushtruar në shtëpi. (Buzëqesh)
– Nëse do të doje të ishe në një moshë të caktuar për vetëm një javë, ç’moshë do të doje të kishe dhe pse?
– Po gjashtëmbëdhjetë, pra! (Qesh) Kanë qeshur ata që po e lexojnë tani. Do të doja të isha edhe njëherë fëmijë, 6 vjeçe mbase… Është mosha më e bukur, kur gëzon shumë në çdo moment, me shpirtin e një fëmije. (Buzëqesh)
– Çfarë bëre për ditëlindjen tënde të fundit?
– Kam festuar, ftova disa nga miqtë, kolegët e mora urime pafund. Ditë shumë e veçantë.
– Po mëson akoma rreth vetes apo beson se tashmë e njeh mjaftueshëm atë?
– Besoj se e njoh veten, tashmë.
– Cilat janë format që ke gjetur për t’u kujdesur për veten, mirëqenien fizike dhe shpirtërore?
– Unë, tre herë në javë, merrem me aktivitet sportiv. Ana ime shpirtërore plotësohet kur kam shëndoshë e mirë familjen dhe kur punët me profesionin më ecin mbarë.
– Nëse do të të duhej të haje vetëm një ushqim për gjithë jetën tënde, cili do të ishte?
– Specat e mbushura janë të preferuarat… ama, të gatuara vetëm nga mami im. (Buzëqesh)
– Cili është personi që i drejtohesh për një këshillë?
– Prindërit, kryesisht, babai.
– Cila është ajo për të cilën kanë nevojë të gjithë, por shpesh nuk e thonë?
– Aaaa, që nuk e thonë, mund të ketë shumë, por unë po ju them njërën: “vëmendja”. Të gjithë duan vëmendje, edhe pse nuk e pranojnë.
– Të ndodhin shpesh të papritura apo gjithçka ndodh sipas një axhende të mirorganizuar?
– Më dalin edhe gjëra të papritura, ndonëse përgjithësisht, mundohem ta programoj ditën.
– Si do ta menaxhoje një ngecje në ashensor?
– Një ngecje në ashensor… Shumë me siklet e kam. Deri tani, s’më ka ndodhur. (Qesh)
– Me dhe pa çfarë, bota do të ishte një vend më i mirë?
– Bota do të ishte më e mirë me më tepër mirënjohje dhe pa njerëz që qëllim në vetvete nuk kanë të jetojnë për vete, por të jetojnë për t’i bërë keq tjetrit.
– Udhëtimi më i fundit…
– Në SHBA.
– E veçanta e tij?
– Çdo udhëtim ka veçantinë e vet.
– Çfarë mendon se po ndodh me tregun muzikor aktual, krahasuar me atë të disa viteve më parë, kur ti pate edhe “shpërthimin” tënd si këngëtare?
– Ka shumë prurje të reja të mira dhe kjo është për t’u vlerësuar shumë. Po u jepet mundësia talenteve të reja që dikush t’i dëgjojë dhe t’u japë një shans. Problemi që kemi sot në muzikën shqiptare janë tekstet, fabulat e këngëve, të cilat shpesh kalojnë në banalitet. Për mendimin tim, kjo është shqetësuese sepse muzika është edukim edhe për këtë brez të ri. Duhet të jemi të kujdesshëm në mesazhet që duam të përcjellim nëpërmjet këngëve.
– Kujtimet që të lidhin fort me atë periudhë…
– Çmimet e para, çmimet e kritikës dhe turneu gjigand në të gjithë Shqipërinë.
– Një “hyrje e re” në muzikë, që të pëlqen kohët e fundit…
– Aaa, nuk mund të veçoj. Shumë ka talente të reja që i dëgjoj me kënaqësi dhe gëzohem që sot ka të rinj që këndojnë kaq bukur dhe me mjeshtëri.
– Me sa di, kënga e fundit do të pasohet shumë shpejt nga një tjetër… Ndonjë info paraprakisht?
– Jam duke punuar. Shumë shpejt, do të publikohet.
– Më shumë muzikë dhe politikë, do të thotë më pak…
– Më pak kohë për të marrë frymë. (Buzëqesh) Punë, punë, punë.