Nëse them Etnon, emrat që ju vijnë ndërmend janë Genc Prelvukaj dhe Milot Hasangjekaj. Unë nuk mund të them as më shumë as më pak se frytet dhe sukseset që kanë korrur në kaq vite karrierë dhe ato çfarë ju thonë ata vetë, në vazhdim…
Fabjola Kuburi: – Si lindi këngë kaq e ndjeshme, “Pa ndjenja”?
Etnon: – Shumica e këngëve bëhen spontanisht, meqenëse asnjëherë nuk mund të dihet saktë se kur do të prodhohet diçka e mirë. Producentët janë gjithnjë në kërkim të materialit që mund t’i pëlqejë publikut dhe krijimi i tij nuk mund të parashikohet assesi. Edhe kënga e publikuar së fundi nuk përbën përjashtim. U krijua në një moment kur s’e prisnim dhe vetëm më pas diskutuam se cili do të ishte propozimi më i mirë për bashkëpunim. Shpejt, vendosëm për Teuta Selimin.
– Pse zgjodhët atë, këtë herë?
– Nuk do të kishte zgjedhje më të mirë për këtë material. Mënyra e saj e interpretimit përshtatej nga secili kënd që e analizonim këngën. Publiku e vërtetoi se kishim të drejtë.
– Domethënë, jeni të kënaqur nga impakti që pati kjo këngë?
– Po. Ndikimi që pati kënga në publik vetëm pak kohë pas publikimit ishte i jashtëzakonshëm, saqë tejkalonte dukshëm parashikimet tona. Nuk kishim dyshim që kënga do të pëlqehej, por nuk e mendonim deri në këtë masë. Shpërthimi i menjëhershëm na e bëri të qartë se kishim prodhuar një këngë që u përshtatet të gjitha gjeneratave, pa dallim.
– Ju keni pasur shumë bashkëpunime. Është një strategji për të qëndruar gjithmonë në treg?
– Bashkëpunimet nuk janë pjesë e trendit vetëm ndër shqiptarë, por në secilin vend të botës. Tani është e vështirë të numërohen mbi pesë këngë amerikane, për shembull, që kanë pasur sukses në 2014-n, pa qenë bashkëpunime mes artistësh. Ky fenomen është trend global. Në aspektin komercial, kjo natyrë e punës është pozitive sepse këngët në bashkëpunim mbledhin më shumë dëgjues dhe nga ana artistike, bëhen më atraktive, se kemi ndërlidhje të vlerave, që eliminojnë monotoninë brenda materialit.
– Pse keni zgjedhur stilin rep për t’u shfaqur në publik?
– Është vendim që e kemi marrë shumë vite më parë dhe nuk e kemi kontestuar asnjëherë. E kemi ndjerë veten shumë rehat brenda këtij zhanri, kështu që nuk kemi pasur nevojë as ta vëmë në diskutim nëse do të duhej të ndryshonim apo jo në këtë pikë.
– Kush i shkruan tekstet dhe ku gjeni inspirimin?
– Shumicën e teksteve i kam shkruar unë, sikurse edhe realizimin e tyre muzikor.
– Muzika për ju është vetëm pasion, apo mjet për ekzistencë. Si mendoni, a mund të jetohet me muzikë, në Kosovë e Shqipëri?
– Këtu ndërlidhën të dyja. Ne muzikën e nisëm si pasion dhe më pas shërbimet tona filluan të paguheshin. Kjo e ktheu edhe në punë të përhershme në aspektin ekonomik. Pastaj filluam të hyjmë në industrinë e saj, duke u marrë edhe me prodhimin e materialeve për artistë të tjerë. Themeluam Black Fish Entertainment, që sot është shtëpi e hapur për të gjithë artistët, pa dallim nëse janë të rinj apo të vjetër. Punohet në audio dhe video prodhim, marketing, menaxhim etj. Deri këtu, ka ecur mbarë. E gjitha kjo tregon se kemi pasur përfitim nga muzika, duke i krijuar vetes një jetë të qetë nga puna në industrinë e muzikës.
– Flitet se jeni rebelë edhe në jetën e përditshme. A është e vërtetë?
– Miloti është shumë më i qetë, ndërsa unë jam ana e kundërt. Skajshmërisht luftoj kundër rutinës dhe gjërave të përditshme. Jam i gjallë dhe kam ide më të çuditshme, por të tilla që mund të realizohen pa dëmtuar askënd. Mundohem ta shfrytëzoj çdo moment dhe kjo më bën të fle jo më shumë se pesë orë në ditë.
– Shpesh, në këngët tuaja, gjenden edhe fragmente në gjuhën angleze. Do të kemi ndonjë version të plotë në anglisht të ndonjërës prej këtyre këngëve?
– Nuk e besoj. Përderisa nuk e kemi bërë deri më tani, nuk mendoj se do ta bëjmë as në ditët në vazhdim. Shqip, transmetojmë më mirë atë që duam. Ndonjë fjalë aty-këtu mund të thuhet në gjuhë të huaj, por thelbi mbetet në shqip.
– Shihni ndonjë rivalitet me grupet e tjera të hip-hopit dhe repit?
– Konkurrencë mund të ketë sepse nuk jemi të vetmit që bëjmë këtë lloj muzike, mirëpo jo në masën acaruese. Ne u përmbahemi rregullave të caktuara shumë kohë më parë. Thjesht, kemi mënyrën tonë të punës dhe sjelljes, gjithnjë duke transmetuar respekt karshi të tjerëve.
– Dj Blunt, Kaltrina Selimi, Stine, Sheila Haxhiraj, Lyrical Son, Mc Kresha janë ndër emrat me të cilët keni bashkëpunuar. Si është të punosh me këta emra të njohur të muzikës shqiptare?
– Ka edhe shumë të tjerë… Sidoqoftë, edhe me këta që ju i përmendët, por edhe me të tjerët që nuk i thamë, kemi pasur komunikim të mirë gjatë punës dhe vlerësim për njëri-tjetrin. Kemi prodhuar materiale që më pas publiku i ka pranuar mirë dhe kjo është e rëndësishme.
– Këngëtarët përfliten si më të pasurit. Cila është pasuria juaj?
– Nuk e besoj që kjo është e vërtetëe. Muzika krijon shumë të mira materiale, mirëpo më të pasurit e popullit mendoj se janë njerëzit, emri i të cilëve lidhet me biznese. Sa i përket pasurisë time, nuk do të isha përgjigjur asnjëherë, meqenëse nuk e konsideroj të nevojshme, por nga ana tjetër, për shkak të punës institucionale që e bëj ndërkohë, më është dashur ta publikoj gjendjen ekonomike në agjencinë përkatëse në Kosovë ku deklarimi është i hapur dhe njerëzit mund të kenë qasje në atë informacion.
– Sa kohë i kushtoni familjes?
– Mundohem të kaloj sa më shumë kohë me djalin, mirëpo tani, meqenëse edhe ai është rritur dhe ka obligime në shkollë, kjo hapësirë është më e ngushtë se dikur.
– Për ç’arsye, në ndonjë rast, mund të reagoni keq?
– Nuk jam prej atyre individëve që grindet vazhdimisht apo reagon ashpër e pa vend. Në momentet që shfaqem i ashpër, duhet të ketë një arsye të fortë.
– Të bësh rep, do të thotë të mos ndikohesh nga ndjenjat apo e kundërta?
– Nëse e ke fjalën brenda këngës, unë i kam përjashtuar historitë personale dhe ndjenjat shumë kohë më parë. Nëse e ke fjalën për jetën private, kultura e hip hop-it nuk më ka “shkurtuar” nga ndjenjat.
– Cili është gatimi që ju e bëni mirë, apo nuk ia thoni fare gatimit?
– Me gatimin nuk jam mirë. Bëj gjëra të shpejta, shumicën e rasteve.
– Të dy jeni prindër. Çfarë ka ndryshuar nga jeta që bënit më përpara?
– Jeta si prind të jep obligime shtesë, mirëpo nuk të ndryshon tërësisht në personalitet. Të bën më të ndjeshëm karshi femijëve dhe fokusohesh më shumë në planifikimin e të ardhmes, mirëpo nga ana tjetër, shumica e parimeve, sjelljes dhe veseve, mbetën aty ku kanë qenë.
– Cilët janë miqtë tuaj në muzikë dhe jashtë muzikës?
– Rrethi ynë i ngushtë është ndërtuar nga njerëz të sferave të tjera dhe jo muzikës. Megjithatë, pak më larg, kemi miqësi edhe me asrtistë dhe grupe të cilët gjithsesi, i respektojmë.
– Sa të rrezikuar e shihni veten nga ata që ju rrethojnë?
– Jemi mësuar tanimë me qëllimet jo të mira të njerëzve dhe shumicën i identifikojmë që në fillim. Egoizmi mashkullor dhe xhelozia femerore gjithnjë janë aty, por i kemi menaxhuar mirë. Jemi të ngurtë në këtë pikë. Nuk jemi thyer asnjëherë.
– Momenti më i vështirë që keni kaluar në jetë…
– Ka pasur momente të bukura, por edhe të vështira gjatë viteve, që i kemi lënë pas krahëve. Megjithatë, momentet më të vështira jetësore ndodhen përgjatë viteve 1998-1999. E dini edhe vetë për çfarë bëhët fjalë.
– Po momenti më i bukur?
– Ka pasur shumë, por lindja e djalit ka qenë momenti që prin gjithnjë para momenteve tjera.
– Cili ka qenë gabimi më i madh që keni bërë?
– Deri më tani, nuk e mbaj mend të kem bërë ndonjë gabim për të cilin pendohem thellësisht. Megjithatë, ka shumë raste që një gabim i bërë të sjell sherr para hundëve pas shumë vitesh. Uroj të mos kem bërë një të tillë, që pasojat t’i vuaj sot apo nesër.
– Si dhe ku e shohin veten Genci dhe Miloti, pas 30 vjetësh?
– Nëse kemi fatin t’i kapim tridhjetë vitet e ardhshme, sigurisht që e shohim veten me flokë të thinjur. Se ku do të jemi me angazhime dhe me çfarë do merremi, është e pamundur të thuhet.
– Cila ka qenë prapësia më e madhe që keni bërë kur keni qenë adoleshentë?
– Ka shumë. Do të duhej të ishit gazetë shumë e guximshme që t’i botonit të gjitha. (Qesh)
– Nga këto “prapësi”, cila ju ka mbetur më shumë në mendje?
– Nuk e them dot këtë herë. Ndoshta herën tjetër , nëse intervista do jetë kryekëput për prapësitë, atëhere do flas.
– A keni ndonjë shenjë që ju ka mbetur që atëherë?
– Tani, pas një aksidenti që më ndodhi në dhjetor, e kam marrë një shenjë në pjesën anësore të ballit. Atëherë, jo.
– Kë keni pasur më shumë frikë në familjen tuaj, mamanë apo babain?
– Nuk jam rritur në frymën e frikës, por më shumë, të respektit. Sidoqoftë, babai është ai që ka pasur më shumë autoritet në familje.
– Harruam ndonjë gjë pa thënë?
– Mendoj se shumë u tha, por po ashtu, kemi lënë edhe shumë për të thënë herën tjetër.