Duket shumë e çuditshme biseda me Esmen, pasi ajo është aq e thjeshtë dhe e ëmbël, sa nuk e beson dot se po flet pikërisht me një yll në ngjitje në karrierën e saj, që ka nënshkruar tashmë kontratën e dytë me një kompani të famshme muzikore në Londër dhe që ka kënduar një hit me Xhastin Timberlejk… Kënga “Love Dealer”, ka dhjetë milionë shikime në kanalin e saj në Youtube dhe, përveçse kësaj, është bërë trend në shumë radio dhe e bëri Esmen të njohur në tregun ndërkombëtar. Me të, folëm për shumë gjëra, që ju do t’i zbuloni më poshtë, por më së pari për Shqipërinë, të cilën, edhe ajo tashmë, është shumë kurioze ta njohë nga afër…
Arlis Alikaj: – Esme, përshëndetje nga Shqipëria; jemi shumë të lumtur që të kemi në gazetën tonë…
– Përshëndetje! Faleminderit juve për ftesën dhe që vendosët të më bënit pjesë të saj…
– Keni dëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë?
– Më vjen keq, por nuk kam dëgjuar dhe do të më pëlqente ta vizitoja ndonjë ditë. Sapo ju më thatë që në Shqipëri kam shumë fansa të këngës “Love Dealer”, u entuziazmova dhe hyra në google, hulumtova për vendin tuaj dhe më pëlqeu shumë. Ndaj pranova ta bëj me kënaqësi intervistën, për fansat e mi në radhë të parë që i përshëndes shumë dhe sepse m’u duk interesante ideja të jap intervistë për një vend për të cilin nuk kisha dëgjuar.
– Ne, kemi pasur shumë këngëtarë ndërkombëtarë të ftuar në Shqipëri, si Akon, Jessie J së fundmi dhe Rita Orën, që është nga Kosova, simotër e Shqipërisë…
– Ou, vërtet? Atëhere do ta postoj menjëherë në Instagram intervistën e dhënë për ju dhe do t’i bëj “hash tagg”, Rita Orës! Po ndjehem e vlerësuar që vendin tuaj e paskan shkelur kaq artistë nga të cilët frymëzohem dhe ëndërroj të bëhem po aq e madhe sa ata. (Buzëqesh)
– Le të bëjmë një prezantim të shkurtër për ju…
– Po, sigurisht. Unë jam 26 vjeçe dhe vij nga Hollanda. Për momentin, jetoj në Londër dhe këndoj muzikë statike pop. Që e vogël doja të bëhesha këngëtare, edhe sepse vij nga një familje e tillë. Motra ime më e madhe, Daphne Denters, ka kënduar në Broadvvay përkrah artistëve të mëdhenj. Tanimë, unë po jetoj suksesin tim dhe po punoj shumë që ta mbaj atë. Po përgatis një album solo, por edhe bashkëpunime me emra të mëdhenj si Natasha Bedingfield dhe amerikania Ciara.
– Si arritët të bashkëpunonit me Xhastin Timberlake dhe si i ngjitët shkallët e suksesit?
– Unë jam një koveriste, bëj cover në youtube, pasi u gjej instrumentalen. Në vendin tim, më karahasojnë për nga suksesi me Xhastin Biber i cili gjithashtu, u zbulua nga Asher, ndërsa mua më zbuloi Xhastini, pasi dhe kënget e tij i pëlqeja dhe më pas, i këndoja. (Buzëqesh) Një nga këto këngë, “VVat Comes Around, Goes Back Around” mori me miliona shikime në kanalin tim youtube (jo atë aktualin EsmeeDentersVeVo) dhe falë një talent shovv në Angli, emri im u bë i dëgjuar derisa mbërriti te veshët e Xhastinit. Më pas, gjatë apelit tim live në shoun e Oprah VVhinfrey, një nga emisionet e saj, më bëri një dhuratë, një kontratë një vjeçare me Interscope Records, ndërsa Xhastini më dhuroi një bashkëpunim me të.
– Si u ndjetë në ato çaste?
– E ndjeja veten si në piedestalin e Kristina Aglierës, madje kur fitova çmimet “Teen Avvards” takova në prapaskenë shumë VIP-a, me muzikën e të cilëve isha rritur. Uh, si ndjehesha, njësoj siç ndjehet dikush që shijon kulmin e suksesit, madje për disa kohë nuk u përgjigjesha miqve në telefon, u bëra mendjemadhe! (Qesh) Isha gjatë gjithë kohës euforike dhe në qiellin e shtatë, pasi shihja shumë të rinj që shkarkonin këngët e mia në mp3 dhe i dëgjonin ato.
– Ku u xhirua kënga “Love Dealer”?
– Ka skena të ndryshme, por në Nju Jork, më së shumti, pasi aty ka më shumë grataçela dhe Xhastini, në kohën kur producenti telefonoi për këngën, ishte i zënë me projektet e tij e nuk mund të udhëtonte për tek unë.
– Bashkëpunoni ende me Interscope?
– Jo, kontrata jonë përfundoi dhe nuk u ripërtëri, pasi unë gjeta një kontratë më të mirë në Londër, ku mund të këndoja akustikë pa autotune si Interscope. Tani jam pjesë e Tennman Records dhe më vonë mbase kthehem në Interscope, kur edhe ata të pranojnë kushtet e mia dhe kriteret pak më specifike se ato të përgjithshmet, që kanë ata si kompani.
– Esme, me gjithë suksesin, ju jeni kaq modeste! Këtu në vendin tonë, në Shqipërinë e vogël, mjafton të bësh një këngë dhe je i famshëm…
– (Qesh) Epo, vendet e vogla, janë vendet e çudirave!
– Për çfarë flet kënga “Love Dealer”?
– Shkurt, thotë se dashuria është si një marrëveshje. Në momentin që prishet, nuk ka më dashuri.
– Ju jeni rritur me prindër të divorcuar… A jeni privuar nga ky fakt?
– Nuk e kuptoj mirë pyetjen tuaj dhe përse unë duhet të mërzitem nga kjo gjë. Unë përkundrazi, jam frymëzuar më shumë nga ky fakt. Prindërit kanë bërë zgjedhjet e tyre, duke qenë më mirë larg njëri-tjetrit dhe kaq. (Buzëqesh)
– Me çfarë projektesh po merreni tani?
– Po regjistroj albumin tim të tretë solo pas “Outta Here”, singëllit të albumit tim të dytë. Kam bërë backvocals me artistë si Ciara, që i kam njohur falë Xhastinit.
– Po si tip, si jeni?
– Prekem shpejt për çdo gjë dhe më thyhet zemra kur dëgjoj për luftëra ose fatkeqësi botërore.
– Gjithashtu, ju keni linja të shkëlqyera për modele…
– Po, mund të isha një modele hollake, por fatmirësisht, në zë kam një karrierë më të gjatë, ndaj nuk iu futa asaj rruge.
– Shoh që në kanalin tuaj në YouTube, ka shumë komente nga fansat, ku nuk mungojnë as deklaratat e dashurisë…
– (Qesh) Epo, nuk më braktisin asnjëherë dhe i dua aq shumë sa shpeshherë, këngët cover që bëj, i bëj për ta dhe sugjerimet i marr po nga vetë ata. Kur nuk jam në humor, flas në Skype me ta, madje shkrihem kur ata i marrin shumë personale gjërat dhe kur largohem, më luten duke qarë të mos iki. Për ta, jam Diva!
– Tek interesat e bandës ju thoni: “Madhështia është ajo të cilën e kërkoj”…
– Po, çdo njeri për atë duhet të kërkojë dhe t’ia ndjellë vetes, ta afrojë. Nëse nuk sheh larg në horizonte, njeri i vogël do të mbetesh.
– Po shprehja juaj e preferuar?
– Edhe këtë duhet ta keni parë! (Qesh) “Pa dashuri, jemi robotë, kështu që mos harroni të doni sot dhe të falni dashuri”. Kur fal, çelesh edhe në fytyrë.
– Po t’ju ftonin në Shqipëri, do të vinit?
– Me kënaqësinë më të madhe. Kam dëshirë të vizitoj vende të panjohura, vetëm se për 1 vit, duke nisur që nga tani, nuk kam mundësi të udhëtoj dhe t’i përgjigjem asnjë ftese, pasi po punoj fort me albumin e ri, duke e konkretizuar atë me klipe dhe duke u dhënë jetë projekteve të reja.
– Esme, një mesazh për lexuesit e gazetës sonë…
– Ju falënderoj që jeni fansa të muzikës sime dhe që i luani këngët e mia. U përlota, kur gazetari më tregoi se sa ju e doni dhe vlerësoni muzikën time. Së shpejti, ju premtoj gjëra të bukura!
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)