– Përshëndetje, doktor Dashamiri. Babai im është 54 vjeç dhe ka bërë vizitat për echo glandula thyroide. Rezultati i këtyre analizave është si më poshtë: Lobi dexter: Me vendosje normale, me sonde lineare 75 mz, ku rezulton një formacion policistoz 16 x 20 mm, me disa dhomëza, ku më i madhi rezulton me dimension 8.5 x 7.7 mm, me konture të diferencuara mirë. Në brendësi të cistit më lateral vërehet një calcifikim me dimensione 4.3 x 2.5 mm. Istmusi, normal, Lobi sinister me vendosje normale, me dimensione 25 x 13.5 mm, me strukturë të rregullt pa lezione patologjike evidente. Diagnoza: Formacion policistoz lobi dexter glandula tiroide. A mund të ma shpjegoni se çfarë është dhe si është gjendja shëndetësore e babait? Ju faleminderit paraprakisht. Ana.
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – Ju falënderoj shumë për pyetjen tuaj dhe për gjithë informacionin që më keni përshkruar më lart, meqenëse ekzaminimi i kryer nga babai juaj është ekografi e gjendrrës tiroide. Fillimisht, do t’ju sqaroja se me këtë ekzaminim nuk është se konkludojmë gjithçka në raport me diagnozën e gjendrrës tiroide. Ajo çka vihet re në pyetje-përgjigjen tuaj është fakti se struktura e gjendrrës tiroide është dëmtuar, pra, nuk e keni indin e tiroides të vendosur mirë, me ekosistencë normale dhe me paraqitje homogjene në gjithë tërësinë e gjendrrës tiroide. Prania e kisteve në gjendrrën tiroide nuk tregon gjë tjetër veçse një lodhje të kësaj gjendrre. Kryesisht, këto situata mjekësore vihen re në popullata që vuajnë defiçitin e rëndë apo të pjesshëm të jodit, por edhe në rastet kur gjëndrra tiroide mund të jetë dëmtuar nga rrezet, traumat apo shkaqe të tjera të brendshme dhe të jashtme. Do të konsideroja me rëndësi në këtë moment, në evolucionin dhe në menaxhimin e problemit të babait tuaj, faktin se do t’ju duhet të kryeni edhe një bilanc laboratorik hormonal, kryesisht të hormoneve më të rëndësishme të gjendrrës tiroide (TSH, FT4, FT3).
– Vetëm pasi të marrim përgjigjen e tyre, do të kishim gjykuar më drejt rreth statusit funksional të gjendrrës tiroide. Në të gjitha rastet, kur kemi prishje të strukturës së tiroides, kryerja e këtyre ekzaminimeve është e domosdoshme sepse përgjithësisht, dëmtimet strukturore çojnë në dëmtim të funksionit të çdo organi dhe tiroides, në veçanti. Kistet konsiderohen çrregullime nodulare (ose formimi i kokrrave në gjendrrën tiroide) e sigurisht që tregojnë vuajtje të kësaj gjendrre, por nga ana tjetër, ju garantoj se këto janë forma më e mirë e gjithë sëmundjeve tumorale të gjendrrës tiroide. Prania e kancerit të tiroides te kistet është jashtëzakonisht e rrallë, thuajse zero. Si hallkë tjetër diagnostike, në rastin tuaj, mund të konsideroheshin edhe ekzaminime të tjera imazherike, si për shembull shintigrafia etj. Në kushtet që jemi në rastin tuaj, mbetet për t’u vlerësuar sërish nga një mjek specialist me të gjithë elementët që ju sqarova më lart. Sigurisht, duke bërë sintezën, analizën dhe deduksionin e fakteve, ata mund të konkludojnë në një diagnozë sa më të saktë dhe më pas, vjen mjekimi rigoroz e profesional. Mos hezitoni të më kontaktoni sërish, nëse do të keni vështirësi të tjera. Të shkuara!
Advertisement