Që nga mjekësia e deri tek eksplorimi i hapësirës dhe historia e jetës në Tokë, pothuajse çdo aspekt i shkencës është prekur nga një zbulim i rëndësishëm këtë vit. Mënyra të reja janë zhvilluar për të trajtuar disa nga sëmundjet më vdekjeprurëse, ndërsa shkencëtarët janë futur edhe më thellë në botën mikroskopike të atomeve, për të kuptuar bazat e jetës sonë. Vetëm muajin e fundit, shkencëtarët e Agjencisë Hapësinore Evropiane kanë bërë të ulet një anije kozmike në sipërfaqen e një komete, ndërkohë që ajo po udhëtonte në hapësirë. Ja, 5 arritjet më të rëndësishme shkencore të 2014-s!
1. Ulja në kometë
Shkencëtarët ulën një anije kozmike në një kometë për herë të parë në nëntor, falë punës së shkencëtarëve të Agjencisë Hapësinore Evropiane. Pasi kaloi 10 vjet duke udhëtuar nëpër sistemin diellor, anija kozmike Rozeta preku më në fund tokën e kometës Churyumov-Gerasimenko.
Ky moment shkakoi shumë psherëtima lehtësimi në qendrën e kontrollit të misionit, në Darmstadt të Gjermanisë. Në fakt, projekti ishte shumë i shtrenjtë dhe nuk kishte garanci se do të funksiononte. Shpresohet që Rozeta do të dëshifrojë disa nga sekretet e universit, të Sistemit tonë Diellor, mbase edhe të jetës në Tokë. Anija do të kalojë vitin që vjen duke ndjekur kometën, ndërkohë që ajo i afrohet diellit, duke kaluar dhe analizuar pjesëza të ndryshme, për të përcaktuar përbërjen e tyre.
2. Një pjesëz e re e atomit
Megjithëse emri i tij mund të duket i mërzitshëm, mezon Ds3*(2860) është një nga pjesëzat më të vogla të materies të zbuluara deri më sot, e përbërë nga një kuark dhe një antikuark. Zbulimi i tij mund të na bëjë të kuptojmë si janë formuar pjesëzat më thelbësore të universit tonë. Kjo pjesëz është zbuluar nga shkencëtarët e Përplasësit të Madh të Hadronëve (pjesëz), CERN, në Gjenevë dhe mendohet se do të japë të dhëna për forcat natyrale që mbajnë të bashkuar bërthamën e atomit. Në tetor, mbi 800 autorë u bashkuan për të shpallur zbulimet e tyre për mezon Ds3*(2860) dhe studimet tani po vazhdojnë për “të transformuar kuptimin tonë” mbi ndërveprimin e fuqishëm, forcën thelbësore që ndodhet ndërmjet protoneve të një bërthame.
3. Një enzimë, që mund të korrigjojë genet tona
Ky është një subjektet më të ndjeshëm, që i ndan shkencëtarët në dysh. A duhet të jenë të aftë njerëzit, që të korrigjojnë genet e njerëzve të tjerë? Përfitimet mjekësore janë të qarta, sepse mund të shërohen sëmundjet e trashëguara nëpërmjet geneve. Nga ana tjetër, disa kanë frikë nga kjo fuqi që vihet në duart e njerëzve. Ka prindër që do të duan të zgjedhin tiparet e fëmijëve të tyre, gjë që mund të shihet si të luash rolin e Zotit. Megjithëkëtë, shkencëtarja amerikane që ka zbuluar enzimën në fjalë, të quajtur CRISPR/Cas9, është lëvduar për kontributin e saj në fushën e gjenetikës dhe thuhet se mund të marrë çmimin Nobel. Duke studiuar një grup enzimash të disa bakterieve, Xhenifer Dudna gjeti se secila prej tyre mund të ngjitej pas disa geneve specifike të një qenieje të gjallë. Kjo çoi në shpikjen e enzimës CRISPR/Cas9, e cila jo vetëm është e aftë të njohë ADN-në e njeriut, por edhe ta ndryshojë atë.
4. Rrezatimi
Teoria e Big Bang-ut supozohet të jetë shkaku i ekzistencës sonë, shpjegimi shkencor i jetës në Tokë. Një nga konceptet në qendër të kësaj teorie është ai i zmadhimit kozmik, i cili thotë se universi pësoi një zgjerim të fuqishëm në një të triliardën sekondë të parë të ekzistencës së tij dhe që prej asaj kohe, ka vazhduar të zgjerohet. Për të testuar këtë teori, një grup shkencëtarësh vajtën në Polin e Jugut, në një mision të quajtur bashkëpunimi BICEP2, në të cilin ata përdorën një teleskop për të zbuluar dritën më të lashtë që mund të vrojtohet në botë.
Nëse zgjerimi kozmik është vërtet mënyra se si ka filluar universi, kjo do të thotë se duhet të kenë mbetur rrezatime kozmike në qiell, valë të energjisë gravitacionale që ofrojnë të dhëna se çfarë ka ndodhur në fillimin e kohërave. Para disa kohësh, shkencëtarët thanë se kishin gjetur sinjalin të cilin kërkonin: Një vizatim në qiell, të shkaktuar nga rrezatimi, që është tregues i zgjerimit kozmik. Deri tani, ekzistojnë disa dyshime për vlerën e rezultateve dhe metodën e përdorur, por kërkimet vazhdojnë.
5. Vaksina kundër kancerit
Në maj, studiuesit e klinikës Majo, në SHBA, arritën të shëronin një grua nga një kancer gjaku, i cili deri tani konsiderohej si një formë e pashërueshme. Kjo u bë e mundur duke i dhënë asaj një dozë të madhe vaksine kundër fruthit. Kaq i lartë ishte përqendrimi i virusit në vaksinë, sa do të mjaftonte të mbronte 10 milionë njerëz nga fruthi. Shpejt paskëtaj, doktorët zbuluan se trupi i saj ishte krejtësisht i lirë nga kanceri që dukej se do t’i jepte fund jetës së gruas. Drejtuesi i kërkimeve, Stefen Rasëll, e përshkroi këtë gjë si një “pikë referimi”. “Ne e dimë prej shumë kohësh që mund ta fusim virusin nëpërmjet enëve të gjakut dhe të shkatërrojmë kancerin me metastaza te minjtë, por nuk e kishim provuar më parë te njerëzit”, tha ai. Kështu pra, nëse një vaksinë me virus mund të shërojë një tip kanceri, duhet të ketë edhe të tjerë në luftën kundër kancerit.
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)