– I drejtohem Dr. Nikolinit për një shqetësim që kam. Më thanë që para disa kohësh keni trajtuar një rast të ngjashëm me timin, por unë do të doja të më jepnit përgjigje edhe mua. Unë vuaj shumë nga pagjumësia dhe do të doja ta shmangia këtë gjë sepse po më streson. Çfarë më sugjeroni të bëj? E shoh vërtet problematike pagjumësinë që kam. Faleminderit.
Nikolin Lacaj, psikiatër: – I nderuar lexues, është e vërtetë që kam shkruar rreth pagjumësinë në një rast të mëparshëm, por problemi i letrës tuaj qëndron në faktin që ju nuk na jepni shumë të dhëna, kohën kur e keni këtë pagjumësi dhe rastet e pagjumësisë që bëhen problematike për ju sepse çrregullimet e gjumit kanë shkaqe të ndryshme. Mund të jenë faktorë të jashtëm, ashtu sikurse edhe faktorë me prejardhje nga sëmundje të ndryshme, qofshin këto mendore apo organike. Ka shumë shkaqe, por edhe lloje të ndryshme pagjumësie. Po ju përshkruaj disa lloje: Pagjumësi predormicionale, pra, pagjumësia para se të të zërë gjumi, që do të thotë, personi bie për të fjetur, por atij apo asaj i duhet një kohë relativisht e gjatë ta zërë gjumi, nga 30 min., në një orë apo më shumë. Në rastin kur personin e ka zërë gjumi në kohën e duhur, por pasi ka bërë tre apo katër orë gjumë ai zgjohet, kjo quhet pagjumësi dormicionale, pra, pagjumësia gjatë gjumit. Kur personit i del gjumi rreth orës tre-katër të mëngjesit, kemi të bëjmë me pagjumësi postdormicionale, e thënë ndryshe, pagjumësia e pasfjetjes. Jua përshkrova të gjitha këto lloj pagjumësish, jo pa ndonjë qëllim të caktuar. Për mua, është e rëndësishme të di se cilën nga këto lloj pagjumësish keni ju. Tani për tani, ju sugjeroj ose të na shkruani me hollësi herën tjetër që të mund t’ju japim këshillat përkatëse, ose hajdeni direkt në klinikën tonë apo të shkoni në klinikë tjetër që të konsultoheni drejtpërdrejt me mjekun përkatës. Nëse do të ndiqni këto këshilla, do të gjeni zgjidhjen e problemit të pagjumësisë.
Advertisement