1. Seksi mund të shkaktojë amnezi (humbje të kujtesës)
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
2. Sindroma “Truri i bebes” (harresa gjatë dhe pas shtatzanisë) mund të jetë thjesht një mit:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
3. Mund të kesh probleme me kujtesën edhe disa javë pasi ke pirë hashash:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
4. Ti hyn në një shtëpi dhe të duket se e ke parë (deja vu), sikur ke qenë aty më parë. Pse ndodh kjo?
a. E ke vizituar atë shtëpi në fëmijërinë e hershme
b. Të kujtohet një shtëpi tjetër e ngjashme
c. Të vjen ndërmend një ëndërr që ke parë.
5. Njerëzit fillojnë të humbasin qelizat e tyre të trurit duke filluar nga mosha:
a. 20 vjeç
b. 30 vjeç
c. 40 vjeç
6. Pse ne mund të kujtojmë fjalët e një kënge që e kemi dëgjuar 20 vjet më parë, por jo emrin e dikujt që e kemi dëgjuar javën e kaluar?
a. Është më e lehtë të harrosh kujtimet e kohëve të fundit
b. Emrat janë më të vështirë për t’u mbajtur mend
c. Këngët nga rinia na zgjojnë emocione të vjetra
d. Të gjitha së bashku
7. Nëse do të evitoni vaktin e mëngjesit, keni më shumë gjasa:
a. Të keni një rezultat më të keq në një test inteligjence
b. Të harroni fjalët e një fjalimi që do të mbani
8. Pirja e alkoolit, vështirëson:
a. Kthimin e kujtimeve të reja, në afatgjata
b. Të risillni ndërmend kujtime afatgjata që kanë ndodhur para se të filloni të pinit.
c. Të bëni kujtime të reja afatshkurtra
9. Një stres i madh, i papritur, mund të nxisë kujtesën:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
10. Ilaçet antihistaminike dhe pilulat e gjumit mund të ndikojnë negativisht në kujtesë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
11. Kur i afrohen menopauzës, gratë fillojnë ta humbasin kujtesën e tyre në mënyrë të përhershme:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
12. Njerëzit që mund të kujtojnë çdo ditë të jetës së tyre:
a. Kanë një nivel IQ (koeficient inteligjence) shumë të lartë
b. E kanë trurin njësoj me shumicën e njerëzve
c. Nuk mund të kujtojnë një rresht numrash më mirë se të tjerët
13. Gjatë gjumit, mendja juaj punon fort për:
a. Të futur informacionin e ri në trurin tuaj
b. Të forcuar kujtesën
c. T’u futur në kujtimet që keni bërë
14. Ngrënia e brokolit, të forcon kujtesën:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
15. Humbja e shikimit, mund të çojë edhe në humbje të kujtesës:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
16. Nëse keni fibromialgji (dhimbje kronike), dhimbja mund t’ju mjegullojë trurin.
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
17. Fjalëkryqet mund të nxisin kujtesën nëse i filloni që në të 30-tat.
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
18. Truket për të kujtuar diçka, që quhen pajisjet mnemonike, janë shpikur që në:
a. Greqinë e lashtë
b. Anglinë mesjetare
c. Rilindjen italiane
1. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Bëhet fjalë për një humbje të përkohshme dhe të papritur të kujtesës, të njohur si amnezi e rastit. Ju mund të mos e dini se ku jeni, apo sa është ora, por të njihni veten dhe pjesëtarët e familjes. Kjo lloj amnezie shkaktohet zakonisht nga një eveniment i caktuar dhe nganjëherë, nga seksi.
2. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Shumë gra thonë se e kanë provuar “trurin e bebes”, por në një studim të kohëve të fundit, grave u janë dhënë teste kujtese para, gjatë dhe pas lindjes së fëmijës dhe ato kanë zbuluar ndryshime shumë të vogla gjatë shtatzanisë. Atëhere, pse gratë betohen se kjo është e vërtetë? Fuqia e sugjestionimit, thonë shkencëtarët.
3. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Pirja e hashashit shkakton probleme në kujtesë dhe në të mësuar. Ajo mjegullon të menduarit, zgjidhjen e problemeve e koordinimin fizik dhe mund të ndërhyjë në kujtesë ditë, bile edhe javë pasi e ke pirë. Kështu, përdoruesit e saj të vazhdueshëm kanë probleme me trurin. Shkencëtarët ende nuk e dinë nëse këto ndryshime në tru janë të përhershme apo jo.
4. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Ky është njëri nga shpjegimet për një deja vu. Megjithëse e di që nuk ke qenë aty më parë, kur një shtëpi ngjan me një tjetër që ti e kujton, edhe objektet e panjohura të duken familjare. Është mënyra me anë të së cilës, kujtesa ju thotë se kjo është një situatë e njohur. Shumica e të rriturve nuk mbajnë mend asgjë nga fëmijëria e hershme.
5. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Që në të 20-tat ne fillojmë të humbasim qelizat tona të trurit. Ky është proces normal i plakjes, por ju mund ta ngadalësoni këtë humbje kujtese që ka lidhje me moshën, duke qëndruar aktivë: Bëni fizkulturë, kërceni, lexoni, bëni fjalëkryqe dhe jini aktivë me shoqërinë.
6. Përgjigjja e saktë është d-ja.
Kujtimet e vjetra janë më të ngulitura në mendjen tonë. Truri ynë i ndërton kujtimet e reja duke u bazuar tek të vjetrat. Kështu, kur ne plakemi, nuk mund t’i kujtojmë gjërat e reja si të vjetrat. Gjithashtu, emrat është e vështirë t’i mbash mend, pa pasur ndonjë kujtim të lidhura me to. Në kundërshtim me këtë, muzika një lidhje të fuqishme me ndjenjat dhe kujtesën, prandaj ngulitet më mirë në mendjen tonë.
7. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Mamaja juaj ka të drejtë, ngrënia e një mëngjesi të mirë është vërtet e rëndësishme, jo se të bën më të zgjuar, por sepse të ndihmon të kujtosh më mirë gjëra, si fjalët e një fjalimi, apo faktet e një libri. Ka gjasa që kjo t’i detyrohet rritjes së nivelit të sheqerit në gjak, që ndodh kur hani.
8. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Alkooli mund ta bllokojë trurin për t’i shndërruar kujtimet e reja në afatgjata, që ruhen për shumë kohë në tru, por nuk ndërhyjnë në kujtimet e vjetra që keni pasur para se të filloni të pini; as nuk ju pengon të keni kujtime afatshkurtra ndërkohë që pini. Sa më shumë të pini, aq më shumë ndikohet kujtesa juaj.
9. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Falë sekretimit të madh të hormoneve të stresit, nëse shihni papritur diçka shqetësuese, kjo mund t’jua mprehë kujtesën dhe t’ju bëjë më vigjilentë. Megjithatë, trupi nuk mund ta durojë stresin e vazhdueshëm. Stresi afatgjatë, kronik, mund të tkurrë një pjesë të trurit dhe ta bëjë më të vështirë për t’u përqendruar dhe kujtuar gjërat. Kjo është e lidhur edhe më probleme të tjera të shëndetit, si: Depresioni, ankthi, sëmundjet e zemrës dhe diabeti
10. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Me miliona njerëz i marrin këto ilaçe kundër alergjive, ose për gjumin, por ato mund të shkaktojnë probleme të humbjes së përkohshme të kujtesës. Disa njerëz që marrin ilaçe kundër kolesterolit, të quajtura statina, gjithashtu, raportojnë humbje të lehta të kujtesës dhe konfuzion. Për fat të mirë, problemet me kujtesën ndalojnë pasi ndërpret ilaçin. Flisni me doktorin nëse dyshoni se keni një problem të tillë.
11. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Paramenopauzë quajmë muajt apo vitet para se një gruaje t’i ndërpritet periodat. Ndryshimet hormonale mund të shkaktojnë ndryshime të mëdha në trup gjatë kësaj periudhe. Bashkë me afshet e nxehta, 60% e grave kanë disa humbje kujtese, për fat të mirë, jo të përhershme. Ato i rikthehen gjendjes normale afro një vit pas ndalimit të periodave.
12. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Njerëzit që mund të kujtojnë çdo ditë të jetës së tyre, kanë atë që quhet një kujtesë super autobiografike. Ata mund të kujtojnë detajet e çfarë kanë veshur në një ditë të caktuar, 20 vjet më parë, por ata nuk kanë një nivel prej gjeniu në testet e inteligjencës, ose nuk kanë kujtesë afatshkurtër fantastike. Sekreti këtu është se disa pjesë të trurit të tyre janë më të mëdha.
13. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Kur ju mund të jeni duke gërhitur, truri juaj është i zënë duke forcuar kujtimet në të. Futja e informacioneve të reja dhe kujtimi i tyre ndodh kur jeni zgjuar. Ju duhen të treja hapat që kujtesa juaj të punojë mirë. Kështu pra, sigurohuni të flini aq sa duhet. Shumica prej nesh kanë nevojë për 7-9 orë gjumë çdo natë, që të ndjehen mirë.
14. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Perimet si brokoli dhe ato me gjethe jeshile, si spinaqi, janë të shkëlqyera si për zemrën, ashtu edhe për kujtesën. Njerëzit që i konsumojnë ato rregullisht, kanë më pak humbje të kujtesës. Ushqimet që kanë shumë acid folik, si thjerrëzat, bizelet dhe drithërat, gjithashtu, ju ndihmojnë të ruani kujtimet, njësoj si disa peshq, sepse acidet omega3 ndihmojnë në zhvillimin e trurit.
15. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Kur njerëzit nuk shohin mirë, ata kanë tendencë të dalin keq edhe në testet e kujtesës. Pse ndodh kjo? Shkencëtarët ende nuk janë të sigurtë. Një teori thotë se problemet me shikimin, pengojnë edhe aktivitetet stimuluese, kështu që truri e humbet mprehtësinë e tij.
16. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Njerëzit me fibromialgji, shpesh kanë mjegullim të trurit. Ata kanë probleme me kujtesën e emrave dhe fytyrave, ngatërrojnë fjalët dhe nuk përqendrohen dot. Skaneri i trurit tregon se dhimbja kronike mund të shkaktojë edhe mjegullimin. Sinjalet e dhimbjes në tru e vënë të punojë këtë të fundit me mbingarkesë, duke vështirësuar kryerjen e gjërave të përditshme. Edhe njerëzit me lupus (sëmundje e imunitetit, që shfaqet me skuqje në fytyrë) mund të kenë mjegullim të trurit.
17. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Një studim ka treguar se njerëzit që bënin puzzle-s dhe fjalëkryqë në moshë të vonë, e kanë ngadalësuar humbjen e kujtesës me 2.5 vjet. Kjo, pavarësisht se çfarë shkolle kishin bërë, apo çfarë gjëje tjetër bënin për të qenë të zënë me punë. Edhe aktivitetet e tilla si leximi, lojërat e shoqërisë, instrumentet muzikore, kërcimi, si edhe të qenit të shoqërueshëm dhe fizkultura, ulin rrezikun e prekjes nga demencia (dëmtimi i trurit në moshë të vonë). Humbja e kujtesës është një nga simptomat më të zakonshme të demencias.
18. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Pajisjet mnemonike janë truke të kujtesës që janë përdorur që në Greqinë e lashtë. Ato na ndihmojnë të kujtojmë gjëra të vështira, nëpërmjet rimave, akronimeve (inicialeve të fjalëve) dhe mjeteve të tjera. Për shembull, në anglisht fjalët “Roy G. BIV” janë për të kujtuar me radhë ngjyrat e një ylberi: red, orange, yellovv, green, blue, indigo dhe violet.