Tai Chi ka lindur në Kinë si një art marcial mbrojtjeje. Ai vepron te personi në tërësi, si në trup, ashtu edhe në mendje dhe ka për qëllim arritjen e mirëqenies së përgjithshme, duke përfshirë muskujt, mushkëritë, zemrën, frymëmarrjen dhe lëvizjet e trupit. Në Tai Chi realizohen një seri lëvizjesh të ngadalshme dhe rrethore, si një kërcim i heshtur. Kështu, nëpërmjet lëvizjeve të trupit, karikohesh me energji, apo relaksohesh. Teknikat e Tai Chi kanë rrënjë shumë të lashta dhe kanë lidhje edhe me taoizmin. Edhe sot, Tai Chi është shumë më tepër sesa një gjimnastikë e thjeshtë. Shkenca po e merr atë në konsideratë si një formë parandalimi dhe një lloj mjekësie plotësuese dhe alternative. Ja, disa nga efektet pozitive të Tai Chi:
1. Ndihmon në plakjen e mirë
Tai Chi u bën vërtet shumë mirë të moshuarve pas moshës 60 vjeç, kur trupi fillon të tregojë shenjat e dobësimit. Këtë e pohon një studim i publikuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese. Ndër 69 të moshuar që u morën në vrojtim, 29 praktikonin Tai Chi prej të paktën 3 vjetësh, një orë e gjysmë në javë. Rezultatet treguan se këta njerëz ishin më të shëndetshëm, sidomos përsa i përket presionit arterial, rezistencës së enëve të gjakut dhe presionit të pulsit. Në Tai Chi parashikohen lëvizje të buta dhe harmonike, që mund të praktikohen edhe në moshë të shtyrë.
2. Redukton stresin
Çfarë duhet bërë për të reduktuar stresin? Së pari, është mirë të gjesh një moment relaksi çdo ditë. Ky relaks mund të shoqërohet nga Tai Chi, që mund të bashkojë efektet pozitrive të meditimit, me ato të lëvizjes. Me gjestet e ngadalëshme dhe rrethore, Tai Chi, jo vetëm e bën trupin e shkathët dhe harmonioz, por ka një efekt pozitiv edhe në sistemin nervor; për pasojë, në reduktimin e stresit.
3. Ul gliceminë
Thuhet që Tai Chi ul edhe gliceminë dhe është i përshtatshëm për ata që vuajnë nga diabeti i tipit 2. Studimi është bërë mbi një grup diabetikësh koreanë dhe ka pasur një kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Praktikimi i vazhdueshëm dhe i rregullt i Tai Chi ka çuar në një ulje të dukshme të glicemisë. Pacientët kanë mundur ta menaxhojnë më mirë sëmundjen dhe të jetojnë me më shumë energji dhe vitalitet.
4. Ul presionin e lartë të gjakut dhe kolesterolin
Praktika e Tai Chi mund të jetë e dobishme për të reduktuar presionin e lartë dhe kolesterolin. E kanë treguar këtë disa studime të kryera nga Universiteti i Tajvanit, vend ku banorët praktikojnë këtë disiplinë. Me kalimin e viteve, shkenca ka filluar të pohojë efektet e shumta pozitive për shëndetin psiko-fizik që kjo prakikë e lashtë mund të sjellë në jetën tonë të përditshme. Tai Chi mbase nuk mund të bëjë mrekulli, por ia vlen ta provoni, sepse vetë aktiviteti fizik është i mirë për shëndetin.
5. I bën mirë zemrës
Tai Chi i bën mirë zemrës, sidomos për ata që kanë probleme të insufiçiencës kardiake. Këtë e tregon një studim i bërë me 100 pacientë nga një qendër spitalore në Boston. Tai Chi ka një impakt pozitiv në cilësinë e jetës. Ai u ka lejuar pacientëve të mposhtin përtacinë, sepse nuk kërkon të bësh sforcime të tepruara, por të vazhdosh të lëvizësh.
6. Ndihmon të flesh më mirë
Praktikimi i Tai Chi mund të jetë i dobishëm në rastin e problemeve të gjumit. Universiteti i Kalifornisë ka kryer një studim me 112 persona të moshuar, që kishin probleme jo të rënda me gjumin. Pas 16 javëve të praktikimit të Tai Chi, ata përmirësuan cilësinë e jetës së tyre dhe kohëzgjatjen e gjumit, në mënyrë domethënëse. Studimi është publikuar në korrik 2008, në revistën shkencore “Sleep”.
7. Të ndihmon të marrësh veten pas një goditjeje në tru
Siç është treguar nga Universiteti i Harvardit, në një studim të publikuar në janar 2009, në revistën shkencore “Neurorehabilitation and Neural Repair”, në 136 pacientë që kishin pësuar një goditje në tru, të paktën 6 muaj më parë, 12 javë praktikë e Tai Chi kanë kontribuar për të përmirësuar ekuilibrin, shoqëruar me një program riaftësimi, të përbërë nga ushtrime frymëmarrjeje, shtriqje për muskujt e kyçet dhe shëtitje në këmbë.
8. Trajton simptomat e depresionit
Një studim i publikuar në gazetën Amerikane të Psikiatrisë së të Moshuarve, ka treguar se shoqërimi i trajtimeve të zakonshme kundër depresionit me Tai Chi mund të ndihmojë të përmirësohet cilësia e jetës dhe gjendja shëndetësore e pacientëve. Studimi është bërë te persona të moshuar, të cilët, me gjithë moshën e shtyrë, kanë mundur të praktikojnë Tai Chi falë lëvizjeve të ngadalshme dhe delikate.
9. Ndihmon trurin dhe shton përqendrimin
Studiues të Universitetit të Floridës Jugore kanë bashkëpunuar me ekspertë kinezë për të thelluar njohuritë e tyre mbi efektet pozitive të Tai Chi në tru dhe kanë zbuluar se, ata që kishin praktikuar Tai Chi tre herë në javë, kanë pësuar përmirësim në tru, sidomos përsa i përket vëllimit të tij, që mund të reduktohet me kalimin e moshës. Kjo shkaktohet nga niveli i lartë i vëmendjes dhe përqendrimit të nevojshëm për të kryer në mënyrë korrekte lëvizjet e Tai Chi.
10. Ndihmon kyçet
Një studim i kryer pranë Tufts Medical Center ka treguar se të rriturit që vuanin nga artriti në gju kanë parë një përmirësim të dukshëm të simptomave përsa u përket dhimbjeve dhe funksionimit të kyçeve, duke praktikuar Tai Chi dy herë në javë. Përveç përfitimeve për trupin, kërkimet kanë treguar efektet pozitive të Tai Chi për të lehtësuar ankthin dhe përmirësuar frymëmarrjen, falë një kombinimi të lëvizjeve dhe meditimit.