– Doja t’i bëja një pyetje stomatologes, por do të doja një përgjigje sa më të saktë dhe të shpejtë. Si mund t’i lajmë dhëmbët në mënyrën më të mirë të mundshme? Unë i laj dhëmbët çdo ditë, në mëngjes dhe në darkë, por një konsultë me mjekun këtu ku jetoj, më kushton shumë, prandaj dua që të parandaloj prishjen e tyre, sa më shumë të mundem. Ju drejtohem edhe me anë të gazetës, meqenëse për momentin nuk ndodhem në Shqipëri.
Anisa Nasto, stomatologe: – I nderuar lexues, larja e dhëmbëve në sipërfaqen e përparme duhet të bëhet me lëvizje të furçës nga lart-poshtë, ndërsa sipërfaqja e brendshme e dhëmbëve të përparshëm dhe e dhëmbëve të pasëm (dhëmballët) lahen me lëvizje nga brenda jashtë ose duke e lëvizur furçën para-prapa. Duhet të bëni kujdes që të lahet çdo dhëmb dhe çdo sipërfaqe e tij për 3 minuta, sidomos dhëmballët e pjekurisë, të cilat, duke qenë të fundit, janë më vështira për t’u larë. Duhet të kini parasysh që, gjatë larjes së sipërfaqes së përparme (pra, nga ana e faqes) të mbyllet pak goja që furça të mund të hyjë me lehtësi. Uroj të keni marrë shpjegimin e duhur. Kini parasysh që, mënyra se si lahen dhëmbët, është shumë e rëndësishme për ruajtjen e tyre.
Advertisement