– Jam Merita, 36 vjeçe. Dua të di më shumë për infeksionet seksualisht të transmetueshme. E bëj këtë pyetje sepse kam një shqetësim të cilin nuk e kuptoj dhe për të cilin, pasi të lexoj përgjigjen tuaj, do t’ju kontaktoj sërish…
Dr. Mehmet Rrodhe Patholog (Citolog): – Përshëndetje Merita. Infeksionet seksualisht të transmetueshme, pra, IST e SST janë sëmundje, disa prej të cilave janë njohur shumë kohë më parë. Një pjesë e tyre transmetohen vetëm me rrugë seksuale e një pjesë tjetër transmetohen me rrugë të tjera dhe më pas, me atë seksuale. Këto sëmundje kanë një shtrirje në mbarë botën, janë tipike për moshat 15-50 vjeç dhe prekin si femrat, ashtu edhe meshkujt. IST/SST kanë ndikim jo vetëm në shëndetin publik, por edhe në jetën social-ekonomike. Një rëndësi të madhe për këto sëmundje ka diagnoza etiologjike. Këto sëmundje, duke u transmetuar me rrugë seksuale, kanë mundësi të infektojnë dhe njerëz të tjerë. Rrugët e mundshme janë ato vaginale, orale dhe anale. Këto infeksione ndodhin gjatë kontaktit seksual të pambrojtur. Rrugët e tjera të transmetimit të infeksionit janë këto që do ju përshkruaj mëposhtë: – Marrja e gjakut dhe e nënprodukteve të tij të infektuar. – Përdorimi i drogave me shiringë. – Injeksionet e ndryshme jo sterile. – Procedura invazive josterile. – Ushqyerja me gji etj.
– Shkaktarët kryesorë janë viruset, bakteriet, parazitët etj. Nga viruset kryesore është HIV-1 e HIV-2 që shkaktojnë sëmundjen e AIDS-it (ose SIDA, siç njihet nga populli) e HPV, që shkakton kancerin e qafës së mitrës te gratë. Shumica e këtyre sëmundjeve kanë shenja kimike lokale si në vulve, vaginë, penin, anus e aparatin urinar si të femrës apo mashkullit e simptoma të tjera që varet dhe nga lloj i shkaktarit të sëmundjes, koha e marrjes dhe rruga e transmetimit të infeksionit. Disa nga këto simptoma janë: rrjedhje uretrale si tek femra dhe mashkulli, rrjedhje vaginale jo normale si në sasi apo erë e rëndomtë e të ngjyrosura e sekrecioneve, dhimbje, pelrike, limfonodula inguinale, ulçera genital, luthe ose shenja të tjera si skuqje, pruritis, edem, etj. Shpesh herë ndodhin proçese inflamatore në koken e penisit, dhimbje gjatë kontaktit seksual ose temperaturë të pashpjegueshme. Për çdo shqetësim si femra ose mashkulli duhet të bëjë një vizitë tek mjeku specialist. Duhet të jepen të dhëna të rëndësishme, si dhe jepet anamneza individuale, ekzaminimi klinike e ai laboratorik. Vendosja e diagnozës ka rëndësi të madhe për trajtimin e sëmundjes, si dhe një rëndësi të madhe ka marrja e masave parandaluese dhe ato mbrojtëse. Asnjëherë nuk duhet të përdoret mjekimi pa u bërë një vizitë mjekësore, pasi shumë medikamente nuk veprojnë te disa shkaktarë sëmundjesh, sidomos te viruset, të cilat duan trajtim të veçantë nga mjeku specialist. Femrat dhe meshkujt duhet t’u nënshtrohen disa testeve për zbulimin e SST-ve që përcaktohet nga mjekët specialistë. Gratë duhet të bëjnë edhe ekzaminime për vaginozat bakteriale. Po ashtu, çdo femër duhet të bëjë rregullisht Pap-testin (për zbulimin e parandalimin e kancerit të qafës së mitrës) e mamografinë, për zbulimin e kancerit të gjirit. E rëndësishme është që të mos neglizhohet asnjë shenjë klinike dhe të drejtoheni te mjeku e të merrni masa mbrojtëse, siç është edukimi seksual, marrëdhënie intime të shëndetshme e të mbrojtur për të ndaluar sëmundjet seksualisht të transmetueshme, siç është edhe sëmundja e shekullit, SIDA.
Advertisement