1. Operacioni për rënien në peshë nuk është vetëm një. Ka disa lloje ndërhyrjesh metabolike dhe bariatrike, siç i quajnë doktorët. Ato funksionojnë në tre mënyra:
a. Duke kufizuar sasinë e ushqimit që mund të mbajë stomaku, kështu që hamë më pak dhe biem në peshë.
b. Duke penguar sistemin tretës të thithë disa nga kaloritë dhe përbërësit në ushqimet që hamë.
c. Duke i përdorur të dyja metodat.
2 Çfarë peshe duhet të kemi që t’i nënshtrohemi një operacioni të tillë?
Për të qenë kandidat për një operacion të tillë, duhet të kemi shumë mbipeshë: Një IMT (indeks i masës trupore) më i madh se 40 (afro 50 kg mbipeshë), ose IMT 35-40 (afro 40 mbipeshë) dhe sëmundje si tension të lartë, diabet, astmë, rikthim të ushqimit në ezofag, probleme me mbajtjen e urinës, marrja e frymës në gjumë etj. Në disa raste, nëse kemi diabet, apo sindromën metabolike, ndërhyrja bëhet edhe po të kemi IMT 30-35.
3 Tipet e ndërhyrjeve kirurgjikale
Ato janë të llojeve të ndryshme. Disa, si “mënga gastrike” ose fasha gastrike, zvogëlojnë madhësinë e stomakut, prandaj quhen edhe ndërhyrje shtrënguese. Operacione të tjera, si çelësi duodenal, vetëm bëjnë të evitohet një pjesë e zorrëve, që të thithet më pak ushqim. Doktorët, këto, i quajnë ndërhyrjet e keqthithjes.
4 Peshimi i pro-ve dhe kundra-ve
Doktori juaj do t’ju vizitojë me kujdes, për të vërtetuar nëse jeni fizikisht dhe mendërisht gati për ndërhyrjen, si edhe i përgatitur për të bërë ndryshime të mëdha, të nevojshme për të rënë në peshë. Së bashku, ju do të diskutoni rreziqet dhe të mirat e procedurës që doni të ndiqni. Doktori juaj mund t’ju kërkojë të bëni disa gjëra para ndërhyrjes, si lënien e duhanit, rënien pak në peshë dhe të sigurohet se niveli i sheqerit në gjak është nën kontroll.
5 Përgatitja për ndërhyrjen
Doktori juaj do t’ju thotë juve saktësisht se çfarë duhet të bëni. Ju do të evitoni aspirinën ose ndonjë produkt që e përmban atë, si edhe tabletat me përmbajtje bimore, një javë para operacionit. Në 24-48 orët para ndërhyrjes, ju duhet të hani vetëm lëngje. Gjatë operacionit, do t’i nënshtroheni anestezisë së përgjithshme.
————————————————–
6. METODAT KIRURGJIKALE
Doktori do të përdorë ose metodën klasike, ose laparoskopinë. Kjo e fundit lë shenja më të vogla dhe ka më pak ndërlikime. Për këtë arsye, pacienti e merr veten më shpejt. Për këtë procedurë, doktori bën vetëm disa vrima të vogla. Ajo do të përdorë një vegël të hollë, që quhet laparoskopi, që do të tregojë se çfarë ndodh brenda jush në një monitor, në sallën e operacionit. Nëse bëhet ndërhyrja klasike, ai do të bëjë një hapje 20-25 centimetra në barkun tuaj.
7. Baipasi në formë Y
Gjatë kësaj procedure, kirurgu do të përdorë kapëse kirurgjikale për të krijuar një xhep të vogël, që do të shërbejë si stomaku juaj i ri. Ky xhep mund të mbajë deri në një filxhan ushqim. Pjesa tjetër e stomakut do të jetë aty, por në të, nuk do të shkojë ushqim. Më pas, kirurgu do të presë zorrën e hollë pas stomakut dhe do ta lidhë me fundin e xhepit të vogël, duke krijuar kështu një formë Y-je. Pjesa tjetër e stomakut do të jetë ende aty, ajo do të lëshojë lëngjet e pankreasit për të ndihmuar në tretjen e ushqimeve që vijnë nga xhepi i vogël. Doktorët përdorin laparoskopinë në shumicën e bajpaseve gastrike.
8. Mënga gastrike
Në këtë operacion, doktori do të heqë shumicën e stomakut tuaj (75%) dhe të krijojë një stomak në formë tubi, ose një mëngë gastrike, që është ende e lidhur me zorrët. Pas operacionit, stomaku juaj do të mund të mbajë vetëm 55-85 gramë ushqim. Ju do të ndjeheni të ngopur më shpejt, sepse stomaku juaj është më i vogël. Nuk do të jeni as të uritur, sepse shumica e indeve që prodhojnë hormonin e urisë, të quajtur ghrelin, do të ketë ikur. Kjo procedurë është e parikthyeshme.
9. Unaza e rregullueshme
Kirurgu do të vërë një unazë që fryhet, në majë të stomakut tuaj. Ai do të fryjë unazën, duke shtrënguar një pjesë të stomakut, për të krijuar një xhep të vogël, me një hapje të vogël në pjesën tjetër të organit. Ai mund ta bëjë këtë me anë të laparoskopisë. Kur ju hani, ushqimi shtyn poshtë muret e stomakut dhe i dërgon trurit sinjale për të ulur oreksin. Madhësia e unazës mund të rregullohet, ose ajo të hiqet kurdoherë.
10. Unaza vertikale (ose kapja e stomakut me kapëse)
Doktorët nuk e përdorin këtë metodë aq shpesh sa më parë, sepse tani kanë dalë teknika të reja, më të mira. Ajo funksionon kështu: Kirurgu bën një vrimë në pjesën e sipërme të stomakut dhe vë disa kapëse kirurgjikale në stomak, duke bërë një xhep të vogël. Pas kësaj, kirurgu kalon një fashë plastike në vrimë, duke e lidhur në fund të xhepit, për të parandaluar hapjen e këtij të fundit. Ushqimi kalon nga xhepi nëpërmjet një vrime të vogël, në pjesën tjetër të stomakut.
11. Metoda biliopankreatike
Kjo është një procedurë e keqthithjes, gjë që do të thotë se pakësohen kaloritë dhe përbërësit që thithen nga ushqimi. Në fillim, kirurgu bën një xhep të vogël në stomak. Ky xhep mund të mbajë vetëm 110- 220 gramë ushqim, kështu që ju do të hani shumë më pak. Pastaj, kirurgu do të bëjë një bajpas që do të evitojë pjesën tjetër të stomakut dhe shumicën e zorrëve. Doktorët ua rezervojnë këto operacione njerëzve që kanë më shumë peshë për të humbur, sepse me anë të saj, trupi juaj thith shumë më pak përbërës të nevojshëm ushqimorë.
12. Pas operacionit
Pas operacionit, cilidoqoftë ai, ju do të qëndroni në spital disa ditë, për t’u siguruar që jeni mirë. Gjatë kësaj kohe, do të merrni ilaçe kundër dhimbjes dhe doktori do t’ju kontrollojë vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak, dehidratimin, ose ndonjë koagulim të mundshëm të gjakut.
13. Të ngrënit pas operacionit
Në fillim, do të hani vetëm gjëra të lëngshme. Pas nja dy javësh, mund të filloni të hani ushqime të ngurta. Ju do të punoni me një nustricionist që ka eksperiencë për këto lloj operacionesh, për të bërë një plan ushqimi. Ju mund të hani ato gjëra që hanit më parë, por duhet të hani racione më të vogla dhe më pak kalori. Gjithashtu, duhet të siguroheni që të merrni substancat e nevojshme dhe mbase do të keni nevojë të merrni tableta me vitamina dhe kripëra minerale.
14. Sa kilogramë mund të humbisni?
Rënia në peshë mund të jetë drastike në disa raste, si për shembull, gjysmë kilogrami në ditë, gjatë tre muajve të parë. Operacioni i kombinuar, që shkakton keqthithjen dhe zvogëlon stomakun, çon në një rënie peshe më të madhe sesa ato që bëjnë vetëm zvogëlim, por është më e vështirë për ju të merrni substancat ushqimore për të cilat keni nevojë.
15. Përfitime të tjera për shëndetin
Nëse keni presion të lartë të gjakut, diabet, ose probleme të tjera të lidhura me peshën, ato mund të përmirësohen pas operacionit. Këshillohuni me doktorin për të marrë ilaçet e duhura. Rënia në peshë do të ndihmojë edhe artritin, dhimbjen e kyçeve, apo marrjen e frymës gjatë gjumit. Gjithashtu, do ta keni më të lehtë për t’u marrë me fizkulturë.
16. Ndryshimet në mënyrën e jetesës, pas operacionit
Që rezultatet të zgjasin dhe kilogramët të mos rikthehen, duhet të bëni kujdes gjithë jetën. Kështu, do t’ju duhet të hani shumë vakte të vogla gjatë ditës, të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme dhe të bëni fizkulturë çdo ditë.
17. Rreziqet e operacionit
Të gjitha operacionet kanë rrezikun e tyre, por në këto raste, problemet serioze janë të rralla. Njerëzit që rrezikojnë më shumë janë të moshuarit, ata që kanë probleme me koagulimin e gjakut (trombozë) dhe që janë shumë obezë. Mënyra më e mirë për të evituar ndërlikimet është të mbani kontakt të ngushtë me doktorin dhe të ndiqni dietën ushqimore që ju është dhënë.
18. Ndërlikimet pas operacionit
Njerëzit që kanë bërë një operacion të tillë, rrezikohen nga probleme si këto: Infeksion, koagulim gjaku, ulçera stomaku, gurë në tëmth për shkak të rënies në peshë, mosmarrja e substancave të duhura ushqimore. Në zonat ku ju bini në peshë, lëkura mund të varet e lëshohet dhe mbase do të mendoni të bëni një operacion plastik për të hequr lëkurën e tepërt, por duhet të prisni të paktën 18 muaj para se ta bëni këtë.
19. Sindroma e zbrazjes
Ndërhyrja e bajpasit mund të bëjë që ushqimet dhe pijet të lëvizin shumë shpejt nëpër zorrët e holla. Simptomat mund të përfshijnë të vjella, dobësi, djersitje, ndjesi të fikëti dhe nganjëherë, diarre, pasi keni ngrënë. Gjithashtu, ju mund të ndjeni dobësi pasi keni ngrënë ëmbëlsira. Për të evituar këto probleme, duhet të ndiqni këshillat e nutricionistit.
20. Suplementet (tabletat) që duhet të merrni
Pas një operacioni të tipit të keqthithjes, shumë njerëz nuk e thithin vitaminën A, D, E, K, B12, hekurin, kalçiumin, bakrin dhe përbërës të tjerë si më parë. Suplementet mund t’ju ndihmojnë që trupi të marrë substancat për të cilat ka nevojë dhe parandaluar sëmundje të tilla, si: Anemia dhe osteoporoza. Ju mund të duhet t’i merrni këto tableta deri në fund të jetës.
21. Si të përshtateni me jetën tuaj të re?
Ju mund të ndjeni emocione të ndryshme, pas operacionit për rënien në peshë. Nga njëra anë, mund të jeni të kënaqur, ose të eksituar kur filloni të bini në peshë, por edhe të bezdisur nga ndryshimet që duhet të bëni në të ngrënë, në aktivitetet dhe mënyrën e jetesës. Këto ulje-ngritje janë normale. Flisni me doktorin nëse keni shqetësime ose pyetje, ndërkohë që mësoheni me trupin tuaj të ri.