Lëviz me vështirësi
– Isha në shtëpi dhe motra e vogël më tha: “Ma sill filan gjë”, të cilën nuk e mbaj mend fare çfarë ishte, por di që lëvizja nëpër shtëpi si e hutuar dhe nuk e gjeja atë që kërkonte motra. Më dilnin pengesa, mezi ecja, rrëzohesha dhe sikur zvarritesha. Shoh shpesh ëndrra të tilla, sikur mezi lëviz. Çfarë kuptimi kanë, ju lutem?
– Ëndrra tregon një lloj dobësie; ndiheni shumë i/e rënë moralisht dhe psikologjikisht këto kohë. Meqenëse shikoni shpesh ëndrra të tilla, do të thotë se kjo lloj gjendjeje ju kap shpesh. Jeni person shumë i ndjeshëm dhe i brishtë njëkohësisht. Sa gëzoheni, sa hidhëroheni, sa jeni shumë entuziast, sa ju bie entuziazmi. Shpesh ndiheni pa shpresë dhe kapeni ndonjëherë pas gjërave që tashmë kanë kaluar. Mos vallë ndiheni i lodhur nga gjithçka që ju rrethon? Kjo mund të jetë një ëndërr që ju fton të ndryshoni mënyrën tuaj të të jetuarit. Duhet të dilni nga kjo gjendje, qoftë edhe duke kërkuar mbështetjen e njerëzve tuaj më të dashur.
Isha në varreza
– Mbrëmë kam parë në ëndërr sikur isha me shoqen time duke ecur mes varrezave dhe duke qeshur. Për momentin, m’u kujtua që nuk e dija ku ishte varri i gjyshit dhe gjyshes sime. U futëm nëpër vijat e varreve duke lexuar e kërkuar për varrin e gjyshit. Shoqja ime e dinte se ku ishte varri i gjyshit të saj dhe ata u ndalën tek ai varr, por nga e qeshura jonë, na u shfaq një plak, që herë më dukej plak dhe herë, një djalë i ri. Na u afrua shpejt. Më dukej sikur ai plak me atë kapele të bardhë si në kohët e vjetra, donte të na kapte dhe iu ktheva: “Xhaxhi, nuk e kemi me ty që po qeshim”, por ai gjithnjë afrohej dhe kishte një vështrim shumë rrënqethës, me disa sy të bukur, sa dukej si djalë i ri. Kjo shoqja ime nuk më lëshonte krahun, se unë doja të ikja me vrap. Aty, më doli gjumi. Ju lutem, më thoni, çfarë do të thotë kjo ëndërr? Ju faleminderit.
– Nuk duhet të shqetësoheni sepse e keni parë veten në varreza. Kanë shumë kuptime ëndrrat me varreza, por në rastin tuaj konkret, ëndrra tregon fundin e një të shkuare dhe një rilindje të brendshme shpirtërore, pse jo, edhe me gjëra të reja në jetë. Do të çliroheni nga e kaluara dhe do të hidhni sytë nga e ardhmja. Këtë e tregon fakti që keni parë një xhaxhi, që më pas ju është bërë si djalë i ri. Pra, ëndrra tregon fundin e zakoneve të vjetra dhe gatishmërinë për të përjetuar të ardhmen me të mirat e saj. Gjithë të mirat!