Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Njoftime nga Greqia
Ia nxiva jetën vjehrrës, edhe në prag të vdekjes
Kur dhe si ta marrë insulinën?

Ia nxiva jetën vjehrrës, edhe në prag të vdekjes

E nderuar redaksi! Lexoj vazhdimisht jo vetëm gazetën tuaj, por edhe disa të tjera që kanë rubrika të ngjashme me tuajën, por besoj në ato çka lexoj në faqet e gazetës tuaj dhe besoj se do të gjeni një vend për të treguar edhe një histori timen. Ato që dua të tregoj, në të vërtetë, janë dy vite të jetës sime që herë më rëndojnë shpirtin e herë më duket sikur kam patur të drejtë që jam sjellë ashtu: Unë jam hakmarrë për atë që më bëri vjehrra dhe e bija.
Jam martuar jo shumë e re, njëzet e katër vjeçe. Kam lindur e jam rritur në një qytet të vogël, por nusja e kushëririt tim ndërhyri dhe më prezantoi me kushëririn e saj, që banonte në Tiranë. Ne e pëlqyem njëri-tjetrin dhe u martuam shpejt. Nuk kishim ç’të prisnim, se unë nuk kisha ndërmend të vazhdoja ndonjë shkollë, plus që menduam se duke qenë në Tiranë, do të gjeja edhe ndonjë punë.
Bashkëshorti im jetonte me të dy prindërit dhe kishte edhe një motër të pamartuar. Shtëpinë e kishin jo shumë larg qendrës dhe unë i mësova rrugët shumë shpejt. Në fillim, gjërat ecnin mirë, unë fillova një kurs rrobaqepësie te vajza e hallës, e cila kishte biznesin e vet. Aty edhe punova derisa linda vajzën. Më pas fillova punë shumë shpejt sepse vjehrra më tha që do ta mbante ajo vajzën. U riktheva në punë me shumë dëshirë, jo se nuk doja të rrija me engjëllin tim të vogël, por qëndrimi gjithë ditën me prindërit e bashkëshortit po m’i bënte nervat copë. Me bashkëshortin kishim marrëdhënie shumë të mira. Ai ishte i qetë dhe me shumë logjikë. Përpiqesha të gjeja momentin e duhur për t’i thënë për ndonjë ankesë apo debat që mund të bëja, por ai më akuzonte gjithmonë se kishte ndodhur e kundërta. Nuk e kisha vënë re që sa herë debatonim me vjehrrën, ajo dilte e kapte te kafja poshtë pallatit dhe e frynte aq shumë sa ai jo vetëm nuk më besonte, por kishte filluar edhe të mos më dëgjonte.
Kështu, unë u lumturova që po rikthehesha në punë dhe të paktën paradite, do t’i kisha veshët të qetë. Pastaj, tani që ishim edhe me fëmijë, shpenzimet ishin edhe më të mëdha dhe duhej të punonim të dy, burrë e grua, se me pensionet e pleqve dhe një rrogë, nuk kishim ç’të bënim gjashtë persona. Im shoq punonte në dy punë sepse nuk na dilnin paratë. Por, ja që nuk ishte e thënë të rrija rehat as ato shtatë tetë orë që isha në punë. Vjehrra, që në pikë të mëngjesit zgjohej e fillonte sikur bënte punët, kërciste e bërtiste nëpër shtëpi, aq sa im shoq fillonte e më shante mua.
– Ti je e re dhe do të zgjohesh vetëm 5 minuta para se të shkosh në punë. Ia lë të gjitha punët e vajzën mamasë, që është shtatëdhjetë vjeçe! Je shumë dembele…
Si më tha një herë kështu im shoq, nuk reagova për të bërë sherr, se nuk doja t’i bëja qejfin plakës, por fillova të zgjohesha qysh në pesë e gjysëm ose gjashtë. Bëja shumicën e punëve, drekën dhe kur vinte ora tetë pa dhjetë, dilja me vrap për në punë. Në punë shkoja e rraskapitur. Vajza ishte akoma bebe dhe zgjohej natën, kurse në mëngjes, kur ajo flinte, unë duhet të bëja punët. Kjo torturë vazhdoi derisa vajza e la gjirin dhe filloi të flinte më shumë natën. Pastaj, edhe fakti që nuk kisha kujt t’i hapesha për gjithçka që po më ndodhte, më lodhte nervat. E dija se mjaftonte një fjalë e vetme dhe unë zihesha edhe me tim shoq. Unë e doja dhe e dua e nuk e kuptoja pse po më thyhej gjithçka para syve. Nuk dija si ta mbaja situatën nën kontroll. E lodhur në punë, e pagjumë, llafe e vetëm llafe, po shkatërrohesha. Të vërtetën e kuptova një ditë kur u ktheva nga puna. Vjehrra ime ishte në kafe bashkë me tim shoq dhe i fliste me këmbë e duar që nuk e kisha lënë drekën gati.
– Ajo do të hajë nga duart e mia, nga djersa jote, t’i rris unë fëmijën dhe vetëm të flerë di. – tha ajo.
– Mirëdita dhe ju bëftë mirë kafeja, – u thashë. – Mama, ka patur më temperaturë vajza?
– Pse, ishte sëmurë vajza natën? – pyeti ai të ëmën me sy të shqyer. – Pse s’më the, po më ule në kafe?
– Po, nga ora pesë e mëngjesit e deri në tetë kur ika unë, ishte me temperaturë, – i thashë.
Ai ma bëri shenjë me gisht se s’donte të më dëgjonte dhe e mbylla, se nuk isha fare për sherr. Kisha hallin e vajzës.
– Mama, pse s’më the që vajza ishte sëmurë në mëngjes, po më ankohesh se nusja ime s’paska bërë punët dhe drekën? Harrove apo punët janë më të rëndësishme? Me kë e ke lënë tani, apo atë s’e gjen gjë se është vajza e time shoqeje, nuk është e imja?
– Jo, more bir, do të të thoja, po ti më pyete se ç’ka për drekë e aty doli muhabeti, – u përpoq t’i fliste me qetësi ajo, për të mos e dhënë veten.
– Jo, mama, nuk pyeta. Më kape për dore e më ule, the që “jot shoqe iu kthye zakonit të gjumit”.
Po dëgjoja e shokuar atë që im shoq i tha së ëmës, që unë i qenkesha kthyer zakonit të gjumit. Domethënë, ajo e paskësh gënjyer e mbushur gjithë kohën për mua e unë isha përpjekur të mos ankohesha e të mos flisja për të e për të bijën, që edhe pasi u martua, vinte e më kthente trurin skiç me ato budallallëqet e saj.
Nuk fola, fatmirësisht, u përmbajtja. Im shoq u ngrit për të paguar dhe për të shkuar në shtëpi. Kur e pashë përballë, e kuptova që ishte shumë keq. I lirova rrugën, mora qesen që ime vjehrrë kishte lënë në karrige dhe të tre u nisëm për në shtëpi. Sigurisht, atë mbasdite dhe dy ditë të tjera u morëm me vajzën dhe asnjëri prej nesh nuk e zuri me gojë atë situatë, por mendoj se kur je me të drejtën e Zotit, ai të ndihmon. Ditën e tretë që desha t’i thoja tim shoqi se ajo më kishte rënë në qafë të gjitha herët që ai ishte zënë me mua, na erdhi për vizitë një kushërirë e burrit. Më iku gjithë mbasditja dhe nuk arrita të flas me tim shoq për çka kisha bërë ndërmend t’i thoja. Kur u ula për të fjetur, sapo desha të hapja gojën, im shoq më mori në përqafim e duke më puthur butësisht, më tha:
– Të lutem, më fal. Kam tre ditë që i mendoj të gjitha herët që jam ulur në kafe me mamanë dhe gjërat që ti m’i thua pas dy-tre ditësh. Të gjitha më çojnë në të njëjtën përgjigje. Mamaja ime, me ndihmën e motrës time, më kanë gënjyer. Të dua, shpirti im dhe besomë, nuk do të ndodhë më që të zihemi për gjëra koti. Ama, dua që edhe ti të jesh korrekte me prindërit e mi. E kuptoj që shtëpia është shumë e vogël për t’u rrotulluar e ndenjur rehat edhe ne, edhe ata, por nuk kam ç’bëj. Nuk dal dot në shtëpi me qira se do të vriten shumë.
Dhe me këtë, u mbyll çështja. Vjehrra ime filloi të rrinte më turivarur sepse i biri nuk po ia vinte veshin më.
– Ato janë muhabete grash e unë jam burrë, mama, zgjidhini vetë! – i thosh ai.
Nuk zgjati shumë dhe vjehrri im ndërroi jetë pas një aksidenti që i ndodhi, ndërsa kthehej nga i vëllai që jetonte në fshat. Ishte një goditje për të gjithë, se erdhi krejt papritur. Pastaj, vdekja, sido që të jetë, është e rëndë. Edhe unë e përjetova, sepse me të nuk kisha ndërruar asnjë fjalë të keqe. Edhe sot e kujtoj vetëm për mirë. Vdekja e të shoqit e tronditi vjehrrën time dhe një vit më pas, filloi të rëndohej. Unë mbeta shtatzënë me fëmijën e dytë. Vetëm atë ditë që bëmë ekon e na thanë që bebi ishte djalë, e pashë të qeshte me gjithë zemër e të ishte e lumtur që pas ditës që vjehrri vdiq. Ndërsa po afrohej dita për të lindur, ajo sa vinte e rëndohej. Pasi linda, nuk bëhej fjalë që ajo të mbante djalin, por m’u desh edhe të kujdesesha për të. U rëndua aq shumë sa filloi të mos çohej më. Ndonjë ditë tek-tuk e ngrinim për krahësh për ta çuar në banjo, por në shumicën e rasteve, mbetej në krevat dhe më duhej ta laja si fëmijë.
– E shikon, moj mama, si rrotullohet bota? – i thashë një ditë. – Ku e ke tët bijë që vinte për të bërë plane se si të më mërzisnit e përzienit mua me burrin?! Apo tani ke mund të madh se duhesh larë e pastruar e ajo është zonjë e madhe dhe nuk bën punë të rëndomta…
– Mos ki merak se sapo të vijë im bir, do t’i them që ti s’lodhesh fare të më shërbesh, – më tha gjithë inat.
– Mund t’i thuash ç’të duash, moj zonjë, po unë kam edhe djalin e vogël, më duhet të çoj e të marr vajzën nga kopshti, më duhet të bëj pazarin, drekën, punët e shtëpisë edhe në fund, pasi t’i mbaroj të gjitha këto, edhe do të fle gjumë. Kur të ngrihem nga gjumi, do të të ndërroj e ushqej! – i thashë.
Nuk foli, por ktheu kokën mënjanë. Bëri sikur u zemërua dhe më kërkoi telefonin se donte të fliste me të bijën.
– Telefonin? – i thashë, – merre, aty e ke. Pse duhet të ta jap? Ti më ke nxirë rininë, ditët që për mua duhet të ishin më të bukura. Dy vite martesë, e di unë si i kam kaluar. Kam ngrënë bukë e lot. Tani më erdhi koha të të kthej kusurin. – i thashë.
U nxi nga nervat, por s’kishte ç’të bënte. Kur erdhi im shoq, më ndihmoi ta pastroja, se vjehrra ishte shumë e rëndë. Sapo ajo nisi të fliste, ai iu përgjigj shumë qetësisht se duhej thjesht të duronte edhe pak.
– Do të bëhesh më mirë, mama dhe do t’i bësh vetë shërbim vetes. Ime shoqe nuk është fëmijë që ta mësoj unë si të sillet, ajo ka dy fëmijë për t’u kujdesur. Edhe ty nuk po të lë pas dore, por ajo, e vetme, s’të ngre dot. Tani, të lutem, më lër të ha drekë apo darkë çfarë është kjo se shkoi ora shtatë dhe me të vërtetë që jam shumë i lodhur.
E kuptoi që me të birin nuk do të nxirrte asgjë në dritë dhe më kërkoi ta shtrija, se ndihej e lodhur. Me veten time, sa s’po fluturoja nga gëzimi nga përgjigjja që mori. M’i pagoi ai të gjitha shqetësimet që më kishte sjellë ajo, për dy vite rresht. Ditët kalonin rutinë, po njësoj me njëra- tjetrën. Ajo sa vinte e rëndohej. Edhe e bija ishte bërë me fëmijë të dytë dhe nuk kishte më kohë jo që të vinte e të thurte plane me të, por as t’i bënte ndonjë shërbim. Më së shumti, merrte në telefon dhe e pyeste si ishte.
Unë, nga inati, pasi mbaroja gjithë punët e tjera, merresha me të. Ndonjëherë, kur e shihja që vuante ashtu, edhe më dhimbsej, por kur kujtoja atë që më kishte bërë, thoja që nuk do lodhesha fare me të. I gjithë shërbimi që i bëja ishte vetëm që të mos më çante veshët, por nuk kishte asnjë lidhje me humanizmin. Nuk i thashë një fjalë të mirë, megjithëse e laja si fëmijë të paktën tre herë në ditë sepse vetëm ndyhej. E ushqeja, e ulja, e ngrija. Unë të gjitha i bëja, por nuk më vinte asnjëherë t’i bëja një muhabet. Ajo ishte gjithë ditën e mbyllur dhe vetëm. Unë dilja sa te kopshti i vajzës, sa për pazar, jo se bëja ndonjë gjë të madhe, por gjithsesi, isha ndryshe. Në atë gjendje, ajo jetoi një vit rresht. Një vit nuk shkova në punë, edhe djalin e rrita në shtëpi, edhe për të, më duhej të kujdesesha. Me të vërtetë që lodhesha, isha katandisur në pesëdhjetë kile njeri, por sërish isha e lumtur. Kisha një gëzim të brendshëm sepse im shoq më shihte si dritën e syrit, kurse vjehrra kishte filluar të mos më fliste fare, përveçse kur donte ndonjë gjë. Isha e qetë, megjithëse lodhesha shumë.
Pas një viti, vjehrra ime ndërroi jetë. Pastaj, djalin e çova në çerdhe dhe fillova punë. Isha goxha e lehtësuar. Edhe pse lodhesha në punë, ishte ndryshe. Ndonjëherë, kur mendoj se si u soll ajo me mua dhe si ia ktheva unë kur ajo u sëmur, më vjen keq për veten time. Pse duhej të bija në gradën e saj?
Të paktën, jam e qetë me veten që nuk kam gënjyer, nuk e kam ngatërruar asnjëherë me të birin. Edhe shërbimin ia kam bërë, por… mendoj se duhet të kisha patur pak më shumë durim. Ne e morëm vesh që ajo do të vdiste shpejt e do të më linte të qetë një herë e përgjithmonë, nuk kisha pse të sillesha ashtu me të në ditët e fundit të jetës…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Njoftime nga Greqia

Next Post

Kur dhe si ta marrë insulinën?

Advertisement