– Përshëndetje, i nderuar avokat. Unë jam Nertili nga Tirana. Në janar 2014, fillova punë në një kompani italiane, që merret me shërbim telefonie nga Shqipëria në Itali. Punën unë e kam kryer shkëlqyer, kam qenë i përkushtuar e s’kam marrë asnjë vërejtje me gojë ose me shkrim, me kolegët dhe eprorët ia kam kaluar shumë mirë. Nga fillimi i punës, deri në shtator 2014, merrja në bankë gjysmën e rrogës, pra 20.000 lekë të reja, kurse gjysmën tjetër, po kaq, i merrja nën dorë nga ekonomistja e kompanisë. Unë nuk kam qenë asnjëherë i siguruar, pra, me pak fjalë, punoja në të zezë. Në fund të muajit shtator, pronarin e kompanisë, i cili është italian, e kishte zënë frika nga inspektorët e punës dhe më kërkoi që të firmosja kontratë. Sërish, paga ime do të ishte e deklaruar në kontratë 20 000 lek të reja dhe 20 000 lek të tjera do të m’i jepte në dorë. Pas një muaji, ai më tha: “Nesër mos hajde në punë, pasi do të marr dikë tjetër që e di italishten më mirë”. Unë ia ktheva: “Nuk mund të më flakësh si limon pas 8 muajve punë, kur kam patur performancë të lartë dhe kam bërë shumë kontrata”. I thashë se do ta çoja në gjyq për këtë largim të padrejtë, por ai më tha se “nuk ka çfarë të më bëjë gjyqi mua, jetojmë në Shqipëri dhe nuk jemi në Itali, ik, çoje ku të duash”. I nderuar avokat, unë dua ta çoj në gjyq për largim të padrejtë. A ia vlen t’i futem kësaj rruge, apo jo? Për mënyrën se si ai komunikon me mua, duhet të ketë përkrahje nga shteti…
Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlaë.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: – I nderuar Z. Nertil, së pari, më vjen shumë keq për atë çfarë ju ka ndodhur, më vjen mirë që ju keni qëndruar dinjitoz duke diskutuar me punëdhënësin, pasi shoh në praktikën e përditshme se punëmarrësit nuk e kërkojnë të drejtën e tyre. Punëdhënësit në Shqipëri, kujtojnë se janë zotër të gjithçkaje, duke filluar që te kompania, punëmarrësit dhe çdo gjë që ka lidhje me kompaninë. Kjo ka ardhur pasi organet shtetërore që merren me monitorimin e tyre, kanë qenë të dobëta ose të paafta për të monitoruar këto kompani, por shteti ka disa organe ku qytetari mund ta kërkojë të drejtën, duke filluar së pari te zyra e punës, që në momentin e parë që ju ishit i padeklaruar si punëmarrës, mospasja e kontratës së punës, e cila është shkelje e rëndë e kodit të punës. Për këto shkelje që ka bërë, punëdhënësi sanksionet i ka të rënda. Punëmarrësit duhet të jenë gjithmonë me dinjitet kur janë në marrëdhënie pune, duhet të kërkojnë të drejtat e tyre që së pari burojnë nga Kushtetuta, Kodi i Punës dhe akte nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet juridike të punës. Në marrëdhënien ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit, të drejtat dhe detyrimet e palëve janë në raport të drejtë. Punëmarrësi ofron shërbimin e tij në funksion të pozicionit të punës për të cilin ka rënë dakord dhe punëdhënësi, për këtë shërbim, ofron pagën për të cilën të dyja palët bien dakord.
– Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë, e përcakton si më poshtë zgjidhjen e marrëdhënies së punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, kur ekziston kontratë midis punëmarrësit dhe punëdhënësit. Neni 149 – Përfundimi: 1. Kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake. 2. Kur, mbas përfundimit të afatit të caktuar, kontrata zgjatet në heshtje tej këtij afati, ajo konsiderohet si kontratë me afat të pacaktuar. Neni 150 – Koha e provës: 1. Palët parashikojnë me shkrim një periudhë prove jo më shumë se tre muaj. Nuk mund të parashikohet periudhë prove, kur ndërmjet palëve ka qenë lidhur një kontratë pune, e cila kishte si objekt kryerjen e së njëjtës punë. 2. Afati i njoftimit gjatë kohës së provës është 5 ditë. Nëse kontrata nuk shfuqizohet gjatë kohës së provës, kjo përfshihet në kohëzgjatjen e kontratës me afat të caktuar. Neni 151 – Kontrata me afat të gjatë: 1. Kur ndërmjet palëve kanë qenë lidhur disa kontrata të njëpasnjëshme me afat të caktuar, për jo më pak se tre vjet, mosripërtëritja e kontratës së fundit nga punëdhënësi vlerësohet si zgjidhje e kontratës me afat të pacaktuar. 2. Kur kontrata lidhet për më shumë se 3 deri në 5 vjet, ajo mund të zgjidhet nga punëmarrësi, pas 3 vjetësh. Në këtë rast, afati i njoftimit është 2 muaj dhe zgjatet deri në fund të muajit të dytë. Kur kontrata lidhet për më shumë se 5 vjet, ajo mund të zgjidhet nga punëmarrësi pas 5 vjetësh. Në këtë rast, afati i njoftimit është 3 muaj dhe zgjatet deri në fund të muajit të tretë. Neni 152 – Shpërblimi për vjetërsinë: Në përfundim të marrëdhënieve të punës që kanë zgjatur jo më pak se tre vjet, punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsinë si në rastin e zgjidhjes së kontratës me afat të pacaktuar nga punëdhënësi. Neni 155 – Zgjidhja e menjëhershme e pajustifikuar e kontratës së punës nga punëdhënësi 1. Punëmarrësi ka të drejtën e pagës që do të kish fituar, nëse marrëdhëniet e punës do të kishin përfunduar në fund të afatit të njoftimit të parashikuar në ligj ose me kontratë, ose në përfundim të kontratës me afat të caktuar. 2. Punëdhënësi mund të zbresë nga paga të ardhurat që punëmarrësi ka kursyer si rezultat i ndërprerjes së punës, të ardhurat nga një punë tjetër ose të ardhurat prej të cilave ai ka hequr dorë qëllimisht. 3. Në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi, gjykata, duke vlerësuar të gjitha rrethanat, vendos detyrimin e punëdhënësit ndaj punëmarrësit me një dëmshpërblim jo më shumë se paga e një viti pune. Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë këtë vendim.
– Pra nga analiza e mësipërm unë ju këshilloj që t’i drejtohen gjykatës me padi ku të kërkoni, dëmshpërblim për zgjidhjen e marrëdhënies së punës duke mos u respektuar procedura dhe afati i njoftimit, gjithashtu edhe paga deri në përfundimin e kontratës. Nëse rrethanat e çështjes janë siç e keni përshkruar, me kompetencë ju them që ky është një gjyq i fituar. Nëse jeni të interesuar për ta ndjekur Studio Ligjore “Duraj” problemin tuaj, ne ju kryejmë të gjitha procedurat ligjore dhe përfaqësim në gjykatë.
Advertisement