Përbërësit për 4-5 vetë:
400 gramë koçkulla
700 gramë miell
2 vezë
5-6 kokrra qepë
Djathë
Rigon
Kripë, ujë, vaj apo gjalpë të tretur
Përgatitja:
Vëmë koçkullat të ziejnë me pak kripë dhe ujë. Përgatisim brumin me miell, pak kripë e ujë, dhe e ndajme në kuleçë. Hapim një petë, e vëmë në tepsi dhe e fusim në furrë të piqet. Këtë gjë e bëjmë me 10 petë. Në një tigan skuqim qepët, u hedhim pak rigon e një lugë gjelle miell. Po të duam, mund të shtojmë një majë luge salcë domatesh dhe pastaj i hedhim te koçkullat e ziera, ku shtojmë edhe djathin. Lyejmë tepsinë me vaj ose gjalpë dhe hedhim aty një petë të bërë me 4 kuleçë, të lyer ndërmjet tyre me lyrë. Pasi të kemi mbaruar me petët e njoma, fillojmë të vëmë një petë të pjekur, i hedhim një garuzhde gjellë përsipër dhe e hapim mirë në të gjithë tepsinë, kështu me radhë gjithë petët e pjekura njëra pas tjetrës, me gjellën në mes. E mbulojmë sipër me dy petë të njoma. Në një enë të vogël rrahim një vezë, pak vaj dhe lyejmë petën mbi të, që të jetë e butë. Po të duam, e presim dhe pastaj e pjekim në furrën e ngrohur më parë në 200 gradë celcius, për 25-30 minuta.
P.S. Koçkullat janë frutat e verdha të një lloj bishtaje që përdoren në zonën e Jugut. Njihen edhe në Greqi me emrin “fava”, ku ato të Santorinit, janë me famë.