– Jam Z. Mansaku, emigrant në Padova. Në vitin 2016, plotësoj moshën 62 vjeç. Në Shqipëri kam gjithsej 29 vite pune me sigurime shoqërore. Kam dëgjuar se mund të dilet në pension të parakohshëm në moshën 62 vjeç dhe të mbahet një shumë e vogël. Nuk e di sa e vërtetë është kjo dhe çfarë kushtesh duhet të plotësoj. Për shembull, në rast se pensioni im është 15000 lek, sa duhet të më mbajnë?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar Z.Mansaku, bazuar në Ligjin nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, neni 31/1, kushtet për të përfituar pension të parakohshëm, që në terminologjinë ligjore të sigurimeve shoqërore emërtohet Pension i reduktuar, janë si më poshtë:
– Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar kur:
a) kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet sigurim;
b) kanë mbushur moshën 62 vjeç për burrat e 57 vjeç për gratë, kur mosha e daljes në pension të plotë pleqërie sipas nenit 92, është më e madhe se këto mosha;
c) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koefiçienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj. Ne këtë mënyrë, për çdo muaj, personit që përfiton këtë lloj pensioni i mbahet 0.6 %, për çdo muaj që del më parë. Në rast se personi do të dalë në pension 62 vjeç (burri ), atëhere nga shuma e pensionit që i llogaritet si pension i plotë, i zbritet 0.6 x 36 muaj = 21.6 % e pension të plotë. Ne rast se do të dalë 2 vjet para, zbritja do të bëhet për 24 muaj etj. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe për gratë që përfitojnë pension të parakohshëm aktualisht në moshën 57 vjeç. Në rast se pensioni i plotë, në mënyrë hipotetike siç kërkoni ju është llogaritur 15.000 lekë dhe personi del në pension 3 vite para moshe, nga pensioni do t’i mbahen gjithsej 36 muaj x 0.6 % = 21.6 per qind, ose 3240 leke. Pra, pensioni do të jetë; 15000-3240 = 11760 lek. Ashtu sikurse theksuam, ky pension mbetet i tillë, edhe kur të keni plotësuar moshën për pension të plotë. Po kështu, rritjet që bëhen çdo vit, do të jenë mbi këtë shumë pensioni. Kushti që ju nuk e plotësoni, për të pëfituar pension të parakohshëm, është vjetërsia kontributive, mbasi keni 29 vite dhe jo 35 vite. Për të plotësuar këtë kërkesë, mund të siguroheni vullnetarisht për vitet që keni të pasiguruara, duke filluar nga 1.10.1994. Aktualisht, masa kontributive mujore për sigurimin vullnetar është 4190 lekë në muaj. Duhet patur në konsideratë se personi që përfiton këtë lloj pensioni, edhe kur plotëson moshën, nuk i përllogaritet pensioni, por mbetet në këtë shumë. Kur behen rritjet e pensioneve, përllogaritja bëhet po mbi këtë bazë. I nderuar zotëri, për çdo paqartësi që do të keni, mund të komunikoni me ne, me të gjitha format e mundëshme; telefon 0665708074 (Naim Balluku), e-mail: albania@inas.it, N.Balluku@inas.it ose mund te paraqiteni ne zyrat tona me adresë; Rruga “A. Z. Çajupi”, Pallati nr 7, Kati i I-rë që ndodhen mbrapa shkollës “Edith Durham”; ish-“11 Janari”. Faleminderit për besimin dhe gëzuar festat e fundvitit!
Advertisement