– Përshëndetje, doktor Dashamiri! Jam 26 vjeç dhe kam probleme me gjendrrat tiroide. Në anën e djathtë kam një nodus me dimension diku 2.5 cm. Doktori që më ndjek më ka thënë ta bëj operim, por unë në fakt kam preferuar të vendos terapi me jod radioaktiv. Doja të dija, a është e dëmshme terapia me jod radioaktiv? A ka efekte anësore? Ju, çfarë më sugjeroni, trajtim mjekësor apo operim? Faleminderit për mirëkuptimin.
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – Më vjen keq që do ta nis këtë sqarim pa ju drejtuar një falënderim, siç normalisht e kemi zakon në rubrikën e kësaj gazete. Kjo ka të bëjë me faktin se nuk di si t’ju drejtohem, nëse jeni gjinia mashkullore apo femërore. Plus, nuk mora vesh çfarë analizash keni bërë, si kanë dalë, a jeni duke marrë ndonjë mjekim, apo jo? Me pak fjalë, do të kishte qenë mirë të më jepnit më shumë informacion rreth gjendjes suaj shëndetësore. Në këtë kontekst, do t’u lutem të gjithë lexuesve të tjerë që kur të më drejtohen me një pyetje në këtë rubrikë, të mundohen të përshkruajnë në mënyrë të saktë jo vetëm ankesat, por edhe të gjitha të dhënat e tjera rreth sëmundjes dhe problemit që ju shqetëson, pa harruar edhe gjininë, moshën etj. Me këto të dhëna që më keni ofruar, mund t’ju sqaroj se prania e një noduli në gjendrrën tiroide nuk konsiderohet ndonjë problematikë ekstremisht mjekësore sepse nodujt e gjendrrës tiroide janë çrregullime shumë të përhapura në popullatën tonë. Kjo, edhe për shkak të defiçitit të jodit. Noduli i gjendrrës tiroide, në rastin tuaj konkret, lipset të vlerësohet mirë jo vetëm nga ana ekografike, por edhe nga ana hormonale ose laboratorike dhe, mbi të gjitha, nga ana morfologjike apo e formës. Vlerësimi morfologjik ka të bëjë me shpimin e nodulit, marrjen e një materiali për biopsi dhe më vonë, vlerësimin e kësaj biopsie nëse noduli apo mishi i huaj që keni në tiroide është i karakterit të mirë apo të keq, do të thotë, tumoral apo kanceroz?
– Duke u nisur nga pjesa e fundit e pyetjes dhe duke i marrë të mirëqena edhe rekomandimet në këtë drejtim, më bën të mendoj që noduli që keni në tiroide nuk është inaktiv, por me sa duket, ky nodul prodhon shumë hormone të gjendrrës tiroide, pra, prodhon më shumë hormone, ndaj duhet parë në dy aspekte klinike: Së pari, normalizimi i vlerave të këtyre hormoneve dhe së dyti, vendosja e rrugës trajtuese sa më të mirë, në aspektin e mjekimit me barna, me kirurgji apo me jod radioaktiv. Sëmundjet e tiroides janë më të përhapura në moshat e vjetra. Zakonisht, në moshën tuaj janë të karakterit autoimun. Kjo do të thotë që procesi i mbiprodhimit kap gjithë gjendrrën tiroide, por gjithsesi, sëmundja nuk duhet lënë pa mjekim dhe do kujdesin e saj. Në praktikën e përditshme, shumë rrallë ndodh që në vendimarrjen e një mjekimi, përcaktori kryesor të jetë vullneti i pacientit. Kjo, jo për mungesë vlerësimi, por sepse mjeku specialist është ai që ka përgjegjësinë në trajtimin e një sëmundjeje. Ndaj, nëse ju thoni që kanë përzgjedhur jodin radioaktiv, unë akoma nuk jam i bindur nëse ju kishit nevojë për ta marrë apo jo sepse kjo varet nga aktiviteti që ka noduli, domethënë, a është ai hiperaktiv apo jo, pasi nëse noduli do të ishte i ftohtë, pa aktivitet, marrja e jodit radioaktiv nuk do të kishte asnjë lloj kuptimi dhe asnjë lloj logjike profesionale. Kur më pyesni nëse ka efekte anësore, apo jo, ju sqaroj që çdo lloj procedure mjekësore, çdo lloj mjekimi apo ndërhyrjeje tjetër, nëse nuk bëhet konform rregullave dhe protokolleve, mund të shoqërohet me efekte të padëshiruara anësore apo të dëmshme. Ndaj edhe mjekimi i mësipërm, nëse do të jepet pa patur indikacionin apo doza e jodit radioaktiv nuk do të jetë ajo e duhura, pa dyshim që efektet e padëshiruara do të ndodhin herët a vonë. Sepse jodi radioaktiv ka një specifikë që qëndron në organizëm me vite dhe dekada. Si përfundim, pres të më shkruani sërish, duke më dhënë më shumë informacion në mënyrë që unë të kem një qasje sa më racionale rreth përcaktimit, rrugës dhe mënyrës më të mirë të mjekimit për ju. Të shkuara dhe gjithë të mirat!
Advertisement