Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Vëllai më bëri prostitutë!

E nderuar redaksi e gazetës “Intervista”! Së pari, dua t’ju falënderoj për mundësinë që na jepni të shkruajmë historitë tona edhe neve që jetojmë jashtë Shqipërisë, sado që shumica janë të shkruara me dhimbje e probleme. Por, kjo është jeta e përditshme, jo vetëm e shqiptarëve.

Të vjetrit thonë një shprehje popullore: “Kodrës në krye kurrë mos i dalsh. Se ku do shkosh pastaj? Do biesh pingul në fund”. Unë asnjëherë nuk arrita t’i dal kodrës në krye, por nuk arrita as ta filloja sadopak ngjitjen. Jeta ime filloi shumë e trishtë. Kam lindur në një fshat të thellë në Jugun e Shqipërisë. Prindërit e mi, megjithëse kanë punuar shumë, sërish mbetën të varfër sepse rrogat në ferma ishin për t’u tallur. Por nuk mjaftoi vetëm kjo. Prindërit e mi, për aq kohë sa kanë jetuar bashkë me njëri-tjetrin, e mbaj mend të kenë patur marrëdhënien normale të një çifti. Megjithëse kemi patur probleme ekonomike si gjithë pjesa tjetër e bashkëfshatarëve tanë, ata e kanë dashur njëri-tjetrin. Ata janë martuar me mblesëri dhe asnjëri nuk kishin shkollë. Edhe ne dy fëmijët, kemi qenë të urtë, por as nuk patëm ndonjë dëshirë të madhe për shkollë dhe as ndonjë shtytje apo stimulim nga prindërit. Por nuk u vë faj për këtë. Ata kanë bërë maksimumin për ne, me aq sa kanë ditur. Kur motra ime ishte 5 vjeçe dhe unë 3 vjeçe, babai u sëmur rëndë. Vuajti shumë spitaleve, lart e poshtë, po nuk gjeti derman. Vdiq kur unë isha pesë vjeçe dhe motra ime, shtatë. Por, siç e ka zakoni ynë, për fëmijët kujdesen prindërit e mamasë dhe ne të dyja vajzat, më shumë na kanë mbajtur gjyshërit. Mamaja ime, pas tre vitesh zie për vdekjen e babait, u martua me një burrë që kishte patur të njëjtën fatkeqësi si mamaja ime; i kishte vdekur e shoqja dhe i kishte lënë një djalë e një vajzë. Të dy fëmijët e burrit të mamasë ishin më të mëdhenj se ne. Gjyshja këmbënguli akoma më shumë që unë e motra të rrinim te dajat sepse djali i burrit të mamasë ishte 15 vjeç. Mamaja jonë u kujdes shumë për ata fëmijë dhe në fakt, edhe ata e respektuan. Ndoshta ishte edhe nevoja që ata të kishin dikë që t’u gatuante, t’i lante e t’i pastronte. Pas tre vitesh që mamaja ime jetonte me burrin e saj të dytë dhe me fëmijët e saj, ajo mendoi se i njohu dhe këmbënguli te gjyshërit që të na merrte me vete.
– Jam mama e më djeg xhani për vajzat e mia. Pak i ka lënë fati pa baba, po të rriten edhe pa mama?! – i thoshte gjyshes sa herë që vinte të na takonte.
Edhe burri i mamasë ishte dakord që ne të jetonim me ta. Me sa duket, mamaja i qahej vazhdimisht se e merrte malli për ne. Pastaj, ai, duke qenë prind vetë, e pranoi që edhe ne të shkonim në shtëpinë e tij. Mua dhe motrës filloi të na buzëqeshte fytyra sepse mund t’i rrinim mamasë afër, mund të ndjenim përkëdheljet e saj çdo mbrëmje, mund të dëgjonim zërin e saj në mëngjes kur të zgjoheshim. Kuptohet, si çdo fëmijë që gëzon për nënën e tij, edhe ne, jo vetëm u gëzuam, por u bëmë edhe më të urta nga ç’ishim, meqenëse gjyshja na kish porositur që ne nuk ishim në shtëpinë tonë.
Jeta jonë rrodhi e qetë, mbaruam shkollën e mesme motra e para dhe unë mbrapa, ndërkohë që djali i burrit të mamasë vazhdoi shkollën e lartë, ndërsa vajza e tij, u martua. Në shtëpi mbetëm motra dhe unë. Edhe motra ime u njoh në shkollë me një djalë nga fshati afër dhe u martua. Pas jetesës në shtëpi me burrin e mamasë e me fëmijët e tij dhe për të qenë e sinqertë, me një marrëdhënie krejt normale, megjithëse ne ishim krejt të huaja aty, filloi të na dukej ai si babai që na mungonte e djali e vajza e tij, sikur t’i kishim vëlla e motër.
Mezi e prisja stinën e verës jo se do të shkoja në plazh sepse ne nuk kishim mundësi ekonomike, por se në shtëpi vinte vëllai dhe ai ishte natyrë shumë e këndshme. Luanim si të ishim fëmijë. I shërbeja pa përtesë, gatuaja ato pak gjëra që kishim dhe i ndaja gjithmonë racionin më të madh. Ishim të lumtur. Një ditë, ai tha se do të shkonte në qytet të takonte një shok dhe do të vonohej.
– Hani drekë ju, mos më prisni mua, – na tha mua e mamasë. Puthi mamanë në ballë, u përshëndet me të atin dhe iku.
Sytë e të atit shndritën nga sjellja e të birit. Sigurisht, edhe mamaja ime ishte e lumtur që fëmijët e burrit nuk e shihnin si njerkë. Kur vëllai u kthye në shtëpi, ishte vonë dhe ai erdhi me një shok.
– Kam sjellë një shok, megjithëse nuk të kam lajmëruar që të na gatuash ndonjë gjë, – i tha ai mamasë sime.
– Mirë se të vini more bir, pa për mikun, e zonja e shtëpisë gjen gjithmonë diçka.
Meqenëse ishte verë, arritëm të sajonim diçka të këndshme për darkë. Ata u kënaqën me muhabet. Edhe burri i mamasë dukej sikur po përshtatej me muhabetet e të rinjve. Unë dhe mamaja, më shumë ndenjëm në kuzhinë. Pas darke, edhe ne u bashkuam me ta e bisedat rrodhën më se normalisht.
Të nesërmen, vëllai e përcolli shokun deri në dalje të fshatit dhe u kthye në shtëpi. Ishte krejt i qetë dhe filloi lojërat, si gjithmonë. Për disa ditë rresht, shkoi pothuajse çdo ditë në qytet. Thoshte se takonte shokë të ndryshëm. Një natë, në darkë, ndërsa hanim bukë, na tha se kishte diçka për të na thënë.
– Pa të të dëgjojmë… ti duhet të flasësh edhe bukur se je me shkollë. – i tha i ati me të qeshur.
– Ajo që dua të them është se dua të filloj punë në Tiranë që tani se e shikoj se ne jemi ngushtë dhe ju mezi e përballoni shkollën time. E di që mbeteni vetëm pastaj, po unë do të përpiqem t’ju ndihmoj.
– Po këtë duhet ta kishe bërë më parë more bir, – i tha i ati. – Unë mendova se ç’do na thuash.
– Kisha frikë se nuk do pranoje që të largohesha edhe në verë, – tha ai dhe uli kokën.
Me kaq u mbyll biseda e tij e rëndësishme, por kjo “diçkaja e rëndësishme” që tha në darkë, ishte mbyllur vetëm për mamanë e për babain tim. Për mua do të fillonte të nesërmen jo vetëm biseda e rëndësishme, por edhe tmerri i jetës sime. Pasi mamaja ime doli për në ara, unë mbarova punët e mëngjësit e ndërkohë, u zgjua edhe vëllai, ose më saktë, personi që e kisha dashur e trajtuar si vëlla.
– Dua të të them diçka, por s’di se si… – më tha. – Në fakt, desha ta thosha mbrëmë kur nisa të flisja me babanë e mamanë, por më erdhi turp dhe mendova ta bisedoj një herë me ty.
– Uau pa hë more djalë, ç’ke katranosur? – i thashë duke menduar se donte të më thoshte se e kishte zënë marazi me ndonjë shoqe. Në asnjë moment, nuk e kisha çuar mendjen te vetja.
– Shoku im, që ishte para ca ditësh, të ka pëlqyer shumë ty, motra ime e vogël, – tha, – po unë s’u them dot babait e mamasë. Do më thonë “ti e solle për shok apo për miqësi?”, apo ku e di unë si do ta presin ata. Po sikur të takohesh vetë njëherë me të dhe u tregojmë pastaj? – tha.
Ndërkohë që fliste, e ndjeja që nuk më shikonte, se lëvizte dorën mbi tavolinë. Unë po e dëgjoja me zemër të ngrirë, e turpëruar sepse, helbete, vajzë fshati, e parrahur me jetën.
– Po ç’të keqe ka t’u thuash? Mamaja ime s’do mendojë keq për ty. Ajo do thotë që “ja, me të vërtetë më do mua dhe dy vajzat e mia”…
– Jo, më mirë jo, takoje vetë njëherë. Ndoshta s’të pëlqen ty. Pse t’i lëmë edhe ata në ankth se si do të shkojë muhabeti? Ne shkojmë një ditë bashkë në qytet me sebepin që dua të të blej unë ndonjë rrobë dhuratë dhe, duke parë e duke bërë.
Nuk më shkoi mendja në asnjë gjë të keqe. Ne kishim vite që jetonim në të njëjtën shtëpi dhe nuk ishim ngacmuar as siç zihen fëmijët duke luajtur.
– Dakord, – i thashë dhe ai të nesërmen tha në darkë që donte të më bënte një dhuratë mua para se të ikte për Tiranë e do të dilnim në tregun e qytetit. Babai i tij dhe mamaja ime, ashtu si unë, nuk dyshuan në asgjë se çfarë do të vinte më pas.
Të nesërmen, në qytet, takuam shokun që kishte qenë në shtëpinë tonë. Vëllai im na la ne të dyve në një kafe në cep të qytetit dhe na tha që do të vinte pas dy orësh.
– Kështu, do keni kohë ta njihni sadopak njëri-tjetrin… – tha dhe iku.
Shoku (kandidati për burrë) na ishte i muhabetit, foli ai shumicën e kohës. Bënte edhe humor, për të më çtensionuar. Në fund, më tha se e kuptonte që ndihesha në siklet, por do ta kalonim. Më tha që, sa për fillim, mund t’i caktoja unë një ditë nëpërmjet vëllait se kur mund të vinte ai afër fshatit e të dilja ta takoja.
– Ne duhet të flasim gjatë me njëri-tjetrin, shpresoj të vendosim më të mirën për të dy ne e të jetojmë të lumtur… – më tha.
Më gufoi zemra nga këto fjalë, e mora përgjigjen e tij domethënë, që vazhdoja t’i pëlqeja e duhet të vendosja unë nëse do të dilja ta takoja sërish apo jo. Vëllai ershi pas dy orësh e gjysmë dhe ne u ndamë. Me vëllain, blemë një bluzë për mua, sa për të justifikuar rrugën.
Kur arritëm në shtëpi, isha sikur isha në këmbë të huaja. Mamaja më tha që s’po i dukesha mirë, po i thashë se e kisha nga lodhja, se nuk isha ulur asnjë minutë që nga mëngjesi, kur kisha dalë nga shtëpia.
Pas dy ditësh, vëllai më tha se do të dilte në qytet dhe më pyeti a kisha ndonjë porosi për shokun e përbashkët.
– Mua më duket sikur më pëlqen, – i thashë, – po nuk mund të dal, pa u treguar këtyre në shtëpi.
– Ke kohë të tregosh, – më tha, – pse nxitohesh? Pastaj, nuk ke pse të thuash as po e as jo menjëherë. Ti thuaji që dua të të njoh njëherë, pa të vendos. Mos u nxito.
E kështu e lamë që ata të dy së bashku të vendosnin për orën dhe vendin se ku do të vinte ai e unë do të dilja ta takoja fshehurazi. Unë dola edhe dy herë të tjera, e takova dhe ne bisedonim gjerë e gjatë. Nuk më prekte dhe rrinte shumë serioz ndërkohë që fliste e unë fillova të ndihesha disi më e qetë. Herën e tretë, kur erdhi, ishte me makinë.
– Ç’ke bërë? – i thashë – Me makinë do të dukemi më shumë.
– Jo, në makinë nuk do të të shohë njeri. Nuk mund të rri si mumje para teje, dua të të kem më afër, – më tha. – Pastaj, një xhiro të shkurtër do bëjmë dhe të sjell unë shumë shpejt.
Hipa në makinë duke menduar se vëllai më kishte prezantuar me një njeri e jo me një kriminel, por aty do të mbyteshin ëndrrat e mia për gjithçka. Pasi hipa në makinë, u larguam nga fshati dhe ai më tha se do të shkonim në shtëpinë e motrës së tij, që e kishte afër. E kuptova që ai donte të bënte dashuri me mua, por sërish kisha besim te vëllai im.
Shtëpia e “motrës”, nuk ishte larg. Pasi hymë brenda, bëmë dashuri dhe nuk di të them në e kalova mirë apo keq, por sapo u çua dhe doli gjoja për në banjë, në dhomë hyri një djalë tjetër. U tmerrova, mendova mos ishte burri i motrës, por në fakt, kisha gabuar në gjithçka. Ishin një grup shokësh që pasi më dhunuan për tre ditë, më degdisën edhe rrugëve të Greqisë. Atje, pas një dhune të tmerrshme dyjavore, përfundova te një klient, siç i thoshin ata. Kuptohet, nuk bëra asgjë me dëshirë dhe klienti u ankua, ndaj ata më rrahën të tre barbarisht. Një javë nuk u ngrita nga krevati. Sapo filluan të më kalonin të nxirat, më thanë që e kisha të kotë që kundërshtoja, pasi do të punoja për ta dhe duhej të bëhesha k… e mirë që të fitoja evro sa më shumë, përndryshe do më vrisnin.
– Askush nuk e di se me kë ke ikur moj shushkë katunare e askush nuk do të të gjejë – më tha shoku i vëllait. – Prandaj mblidhe mendjen se, përveçse prostitutë, nuk do të punosh asgjë tjetër.
Për një periudhë që mua më duket një shekull, kam vuajtur aq sa natës së varrit do t’ia tregoj, por më në fund, edhe mua më erdhi dita. Njërit nga klientët që më sillnin, goxha në moshë, i kisha pëlqyer. Kisha filluar të mësoja edhe pak greqisht dhe ai më pyeti përse kisha zgjedhur këtë rrugë.
– Ti je goxha vajzë, pse je këtu? – më pyeti.
I tregova që nuk isha me dëshirën time, i thashë se prostitutë më bëri djali i burrit të mamasë. Pasi i tregova gjithçka, sepse po më plaste zemra, fillova të trembesha më shumë. U kujtova se ai ishte shok i tyre dhe mendova se do më vrisnin. Në fakt, greku më tha që kishte vendosur të martohej me mua, nëse edhe unë do të isha dakord.
– Si fillim duhet të shkojmë në polici dhe t’i denoncojmë, më pas kërkojmë mbrojtje për ty dhe martohemi bashkë. Dokumentet i bëjmë avash-avash… – më tha ai.
Edhe im shoq që më shpëtoi nga ajo rrugë, u rrah e u dhunua nga rrjeti i tyre, por gjërat e tjera, marrëdhënia me burrin tim e dokumentet, më ecën mirë.
Sot jetoj në Greqi, Zoti më dhuroi edhe fëmijë dhe jam e lumtur. Janë akoma të vegjël, por më japin gëzim të pafund. Me mamanë takohemi këtu, në shtëpinë time. Unë nuk jam kthyer në Shqipëri prej 5 vjetësh sepse më duket sikur të gjithë e dinë që unë kam punuar për një vit prostitutë dhe do të më paragjykojnë.
Mamasë sime i kam treguar të vërtetën, por vetëm me qëllimin që ajo të ruhej për vete se mos ushtronte dhunë djali i burrit të saj, jo për t’u hakmarrë. Ndoshta Zoti do të jetë i drejtë me të, do t’ia kthejë “fatin” tim në derë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nuk ndaloj dot së ngrëni!

Next Post

Fëmijët, shkaku i parë i pabesisë së burrave?

Advertisement