– Kam një vajzë 9 vjeçe. Para 15 muajsh i bëra një ezhe dhe doli me suspekt epileptik. E mjekova me tegretol vendi. Pas tre muajsh i bëra ezhenë e dytë dhe përsëri e mjekova me tegretol vendi, por vajza nuk pati asnjë përmirësim. Në muajin e nëntë, ezheja i doli po njësoj. I fillova tegretol të jashtëm, por përsëri pa sukses. E hutuar nga rezultatet që merrja, e çova në një vizitë fetare. Personi ku e çova, më sugjeroi t’i ndërprisja ilaçet dhe të ndiqja ekzaminimin e tij. Vajza vazhdon të jetë në të njëjtën situatë. Më 12.11.2008 kam takim te mjeku për ezhenë. Ju lutem, më jepni një zgjidhje për këtë situatë sepse ndihem shumë në siklet për gabimet e mia, deri diku…
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Epilepsia (apo sëmundja e kokës), shfaqet në shumicën e rasteve në moshën fëminore dhe shkaktarët e saj më të shpeshtë, janë: 1. Goditjet gjatë ose pas aktit të lindjes ose në moshën fëminore, për vetë natyrën e lëvizshme të fëmijëve. 2. Episodet me temperaturë të lartë që sjellin disa dëmtime në tru (si të tilla mund të përmendim gripin ose infeksionet e tjera, siç është tuberkulozi etj.) 3. Prania e krimbave të zorrëve, që te fëmijët janë gjithashtu të shpeshta. 4. Helmimet e ndryshme, si ato ushqimore ose nga medikamentet e dhëna pa kriter. 5. Reaksionet alergjike, që provokohen nga përdorimi i ushqimeve të pasura me albuminë ose medikamentet (barnat) etj. Po ashtu, edhe shfaqjet e kësaj sëmundjeje, pra, të epilepsisë, janë të formave të ndryshme, si për shembull, mund të jenë të përgjithësuara ose vatrore etj. Për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje ne bëjmë kryesisht EEG-në ose skanerin e kokës (kur dyshojmë për dëmtime vatrore, krahas analizave të ndryshme, siç janë ato të gjakut periferik ose atij venoz në damarë), ose të jashtëqitjes, për praninë e krimbave ose parazitëve të tjerë të zorrëve). Por, nga këto ekzaminime, bazë mbetet EEG-ja sepse ajo jo vetëm vendos diagnozën e epilepsisë, por nëpërmjet saj bëjmë edhe ndjekjen e të sëmurit, fillimisht çdo 3 muaj e më pas, çdo 6 muaj etj. Për mjekim përdoren një varg preparatesh, midis të cilëve është edhe tegretoli. Në qoftë se nuk vepron, ai mund të zëvendësohet me preparate të tjera, si për shembull: Depakina etj. Ky ndryshim dhe ndjekje bëhet nga mjekët neurologë ose neuropsikiatrët. Përsa u përket “pseudoshëruesve popullorë”, me ata nuk duhet të merreni, sepse ashtu siç e keni provuar edhe ju, me fëmijën tuaj ata janë vetëm sharlatanë, prandaj drejtohuni sa më parë te specialistët pra, te mjekët neuropediatër ose neurologë të rrethit tuaj, ose këtu në Tiranë, sepse kjo sëmundje jo vetëm që përmirësohet, por edhe shërohet, por kjo varet nga mjekimi e dieta përkatëse që rekomandohet në këto raste. Prandaj, mos humbisni kohë, sepse kjo ndikon në shëndetin e fëmijës suaj, të cilit i uroj shërim sa më të shpejtë.
Advertisement