Nga unë Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Rikthimi i monumentit të “5 heronjve të Vigut” dhe vendosja e tyre, në rreth-rrotullimin Shkodër-Mali i Zi, na gëzoi të gjithëve. Kontribut të veçantë ka për këtë prefekti i Shkodrës, z. Paulin Radovani, që pagoi edhe nga xhepi i tij për rikthimin e heronjve në qytetin e tyre. Të uroj fort nga zemra, miku im i shtrenjtë, Paulin Radovani.
– Përveç edukatës model, profesionalizmit si inxhinier, dashurisë për sportin, ti edhe shpirtin e ke flori, si thotë fjala, i dashur Ilir Trebicka. Dhe pas fjalës “flori”, nuk ka komente. Të përqafoj fort, shoku im i fëmijërisë në shkollën “11 Janari”.
– Kaloi si pa u vënë re, po jo për mua që i njoh. Të uroj nga zemra miku im Avni Ponari, që në krye të “Sigal”-it tani ofron shërbime edhe për familjet e minatorëve të dëmtuar në punë. Një vizion dhe humanizëm i madh. Të përqafoj fort, ty, që të dua si vëlla!
– Gati nuk m’u besua, por ti thua gjithmonë të vërtetën, i dashur: Kështu, deputeti Roland Keta (domethënë ti) që është edhe mjek kardiolog, përveç detyrës politike, shkon edhe në Q.S.U.T, në repartin e Kardiologjisë, 2–3 herë në javë dhe u bashkohet kolegëve atje. Si mjek! Me përvojë të re, po ruan freskinë e zanatit! Kjo, mua si gazetar, më kënaq. Si shok, të them: Të përqafoj fort, i dashur Landi.
– E di që është një njeri publik, dhe… kaq! Quhet Olta Gixhiari! Për nder, mua realizimi i asaj reklame ku ajo hipen mbi kalë dhe kumton tekstin e një reklame, më bën të qesh fort nga gëzimi. Gëzimi për një art të goditur. Urime Olta, kudo që të jesh!
– Ndjek në media, pothuajse çdo gjë që ka të bëjë me Lezhën, i dashur miku im, Viktor Tusha. Kështu, edhe aksionin për pastrimin e mjediseve rreth kalasë. Ka një ndërgjegjësim shumë pozitiv, edhe të Rinisë, për peshën historike, turistike, po edhe antropologjike (do thosha), që ka Lezha. Në kontributin e të gjithëve, i pandarë është edhe yti, si kryetar bashkie, i dashur Viktor. Urime nga zemra!
– I thashë edhe Genci Luarasit: Ti, Iris Luarasi, më ngroh, më rinon, më bën të gjej veten në ato që thua. Për fat, mbulon një fashë të gjerë problemesh. Kurse për bukuri… për sytë… e di, jam i vonuar dhe them vetëm gjëra të thëna më parë, nga të tjerët. Po secili, ndihet mirë (ose keq) për vete. Të përqafoj fort dhe suksese me Doktoraturën.
– Njëri quhet Loni dhe është nga Pogradeci. Tjetri quhet Qazim. Është nga Kruja. I treti Mezan Malaja, nga Vlora! Kurse Sazanin, ambientalistin, e njohin të gjithë. I dua fort, të sipërpërmendurit, sepse bëjnë çdo ditë stërvitje nga Liqeni i Tiranës, jo fizkulturë, 10-15 minuta, por stërvitje 1.5-2 orë. Ju lumtë, për nder! Në fakt, do uroja edhe veten…
– Keti, Spanja, qenushi i bukur, i bardhë që mban në krahë… Kjo gjë e ëmbël, që ma heq trurin, kur shkon në Spanjë. Dhe… pastaj, ma bie prapë, në vend, kur më qeras me cigare. Duhet ta shihni, që të kuptoni se dalldia ime është me vend!
– Kam patur një gjendje shumë të rënduar tensioni të lartë, po përveç Ornelës, më është gjendur pranë edhe Ina, të dyja farmaciste të Farmaci “Ina”. Kot, nuk thonë: Mos të lëntë Zoti, pa… farmaci në lagje… (humor pozitiv). I uroj fort të dyja!
– Sokol! E vlerësoj fort fisnikërinë tënde. Çun tepelene! Të uroj gjithë të mirat, në menaxhimin e “Harli-espresso” (dega Tiranë), ty, i dashur Sokol Duka!
– Për mua nuk qe surprizë, por kënaqësi, zgjedhja jote si nënkryetar i PD-së, miku im i vjetër Edmond Spaho. Gjithnjë i shtruar, logjik, vizionar, sidomos në analizat ekonomike. Të uroj fort nga zemra.
– Kongresi të rizgjodhi, i dashur Kolë Nikolli në krye të KSSh-së. Sfida të mëdha kemi përpara, shumë komplekse. Të uroj, t’ia dalësh bashkë me kolegët e sindikatave, ku veçoj Taf Kolecin, si sindikata më e rëndësishme. Urime nga zemra!
– M’u duk shumë e gjetur ideja jote, i nderuari Ylli Ndroqi, ideja që të qenit Konsull Nderi, të kthehet edhe në një veprim ndikues për ekonominë e Shqipërisë. Të uroj fort, nga zemra, për vizionet që ke!
Advertisement