– Doktor Demiri, siç po lexojmë në internet apo nëpërmjet mediave, shëndeti dhe jeta e njeriut po përkeqësohen. Vërtet kemi më pak vdekje në mosha të njoma dhe mosha mesatare është rritur, por edhe numri i sëmundjeve po shtohet e po na dalin ca sëmundje që nuk u kishim dëgjuar as emrin. Shkurt, sëmundjet po na marrin peng. Ju lutem, më thoni se ç’duhet të bëjmë dhe si ia bëni ju vetë? Një ish-profesor biolog, Elbasan.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar profesor biolog! Vërtet po na dalin disa sëmundje e “terma” të padëgjuara më parë. Për shembull, e keni dëgjuar ju një term që quhet siaberkondri? Ja, pra, kjo quhet “sëmundje” që e “krijon” interneti me dijet e shumta e me informacionet e tepruara mbi shëndetin, si një lloj hipokondriaze. Një student saiberkondriak e hiperkondriak e kam trajtuar në disa seanca para pak ditësh dhe më erdhi për të qeshur kur më tha: “S’kam lënë radiografi dhe EEG pa bërë dhe të gjitha më dolën shumë mirë. Nuk e dija se e paskam patur nga informacionet e tepruara në internet”. Ky djalë, tepër i zgjuar, u njoh me fenomenin e psikosomatikës dhe të “imitimit” që na bëjnë sëmundjet me dhimbjet fallco, por që njeriu i ndjen dhe i vuan, edhe pse janë pseudodhimbje. U deshëm si miq pas përfundimit të seancave me psikoterapi, pasi edhe unë mësova jo pak prej tij! Është normale të mësosh nga klientet, pasi shumica prej tyre janë tepër të zgjuar dhe kanë zell e kohë të lexojnë shumë. Pyetja juaj, i nderuar profesor, mbi sëmundjet që po shtohen e po na marrin peng, më trazoi shumë edhe mua. Kjo duket si një “sfidë” që po i bëhet shkencës, e cila po përparon me prodhimin e medikamenteve dhe të ndërhyrjeve kirurgjikale. Dikur, disa sëmundje, si ato të diabetit, zemrës, depresionit etj. ishin më të pranishme te moshat e vjetra, kurse sot po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe te të rinjtë. Faktorët që ndikojnë janë të shumtë, ata nuk lidhen vetëm me mosgjetjen e kurave apo me kurat e tepruara, por edhe me abzuimet, me jetën sedentare, me ndotjen e ambientit, me ushqimet jo “bio” e me të gjitha. Ato lidhen me kequshqyerjen, por edhe me ushqyerjen e tepruar. Ah, sa të “shijshme” që na i bëjnë tregtarët ato sufllaqet me erëza e substanca që të hapin oreksin, por vlera e tyre ushqimore nuk është as sa e një misri të vetëm! Këtu e kam fjalën edhe për ushqimet të cilat nuk e dimë se nga vijnë e se si prodhohen, jo vetëm të rritura me stimulantë, por edhe krejt pa kontroll. E njëjta gjë vlen edhe për mishin, miellin etj. Pse ata që pinë duhan, mos kujtoni se pinë duhan të pastër? Çdo lloj duhani është i dëmshëm, por në shumë vende të botës, bashkë me duhanin, përzihen deri edhe mbeturina spitalore dhe shumë lloje duhani prodhohen edhe ilegalisht. Kush të dojë le të të vijë të më takojë e t’ia lexoj sesa e “pasur” është menuja e cigareve që vijnë nga jashtë nga lloj-lloj plehrash e pisllëqesh që përzihen me duhanin, deri edhe me feçe apo mpiksje gjaku. Gjykojeni vetë! Vërtet shëndetësia ka bërë shumë përpara, por të mos harrojmë për asnjë çast se shëndeti varet krejtësisht nga jeta që ne bëjmë, pra, shëndeti është në dorën tonë.
– Edhe unë, si doktor, si gjithë ju të tjerët jam dhe nuk kam çfarë t’i bëj, fjala vjen, smogut të Tiranës apo ngrohjes globale, ama dal çdo ditë për vrap nga liqeni ose eci me biçikletë, nuk ha tepër dhe ushqehem në mënyrë të larmishme me produkte sa më bio, pi ujë në shishe qelqi, nuk pi duhan, as alkool, nuk e teproj as nëpër dasma, shmang stresin dhe deri edhe bukën e gatuajm me miell jo të serbit, por të grurit shqiptar. Siç ka thënë Hipokrati, shëndeti im janë këmbët e mia, ndaj edhe vrapoj, pasi aktiviteti fizik është medikamenti më i mirë dhe pa efekte anësore. Tjetër, i bëj herë pas here analizat dhe për çdo nevojë përdor ilaçet 100 % bimore, si kura për pastrim e pasurim gjaku edhe si antioksidantë, por edhe për të rregulluar ekuilibrat apo për të forcuar sistemin imunitar apo punën e organeve. Nuk ka sëmundje së cilës Krijuesi nuk i krijoi edhe ilaçin e vet në Tokë dhe, siç e ka të shkruar edhe në librat e shenjtë, kur ilaçi prek sëmundjen, shërimi është i garantuar. Kur them se shëndetin e kemi ne vetë në dorën tonë, këtu kam parasysh se ne vetë, me mençurinë që na ka dhënë Krijuesi, duhet të jemi në gjendje të zbulojmë se çfarë na bën mirë e çfarë na bën dëm. Jo se ne shqiptarët i nënvlerësojmë mjekët, por ne shkojmë me vonesë te mjeku, aq sa mjekët e huaj këtu gjejnë ca sëmundje të cilat në vendet e tyre sikur nuk ekzistojnë sepse janë “harruar”, në sajë të parandalimit. Nga ana tjetër, jashtë i kushtohet rëndësi e madhe këshillimit e psikoterapisë, pasi dihet sa e fortë është lidhja trup-tru dhe sa shumë ndikon stresi në dëmtimin e tërë sistemit imunitar të njeriut. Ka mjaft raste kur njerëzit e teprojnë edhe me “gjërat e mira”, porse psikologu, pasi ta “zbulon” modelin e jetës tënde, di se çfarë duhet të të porosisë, pasi edhe e mira tepër, kthehet në të keqen e së mirës. Nuk duhet të presim gjithçka nga vaksinat dhe medikamentet nëse ne nuk i bëjmë apo marrim gjërat ashtu siç i ka krijuar vetë Krijuesi. Një kanaçe me lëng portokalli, me sheqer industrial, jo vetëm që nuk ka dobinë e një kokrre portokalli bio, por mund të jetë edhe e dëmshme, për shumë arsye, sidomos kur teprohet. “Vaksinimi” më i mirë është natyra, përballja, të fituarit e aftësive për përshtatshmëri. Në kohën e monizmit, ne shkencëtarët nuk guxonim të flisnim e të thonim se Krijuesi, si një arkitekt i pagabuar, i ka bërë të gjitha ashtu siç i duhen njeriut, megjithatë që në 1984-n, unë kam guxuar e kam shkruar te një libër i imi: “Mos dilni kundra natyrës se natyra do t’ju ndëshkojë!”. Pra, duhet të jemi përzgjedhës ndaj gjërave që duhet të bëjmë e që nuk duhet të bëjmë, ndaj ushqimeve po se po, pasi çdo gjë që fluturon, nuk hahet, thotë populli. Edhe vaksinat me të cilat ne i vaksinojmë fëmijët që pas lindjes, në mënyrë që të fitojnë imunitetin e duhur, për t’u bërë ballë sëmundjeve, për shkak të ngrohjes globale në rritje apo fuqizimit të viruseve apo bakterieve, nuk e kanë fuqinë e plotë parandaluese, ndaj që të mbrohemi nga sëmundjet, ne duhet që në radhë të parë, të mbrohemi nga shkaktarët e tyre. Kompanitë e barnave bimore në të gjithë botën, po na japin sot një ndihmë të çmuar duke na prodhuar barna bimore pa asnjë lloj efekti anësor, me qëllim që terapitë të jenë të “ëmbla” dhe efikase. Gjithsesi, edhe ilaçet bimore s’mund e s’duhet të merren pa këshillën e specialistit fitoterapist dhe kur është e nevojshme, të përdoren paralelisht me kimikatet, edhe për të zbutur efektet e tyre anësore. Mund të më kundërshtoni, i nderuar profesor, me ndonjë argument tjetër tuajin dhe jeni përsëri i mirëpritur, por përsëri do t’ju them se shëndetin e kemi vetë ne në dorën tonë.
Advertisement