Në fillim, le të përcaktojmë konceptin “Të ngasësh makinën mirë”. Ç’do të thotë kjo, si përcaktohet konkretisht në praktikë? Zakonisht, shoferët me përvojë marrin dy të dhëna, mbajnë parasysh dy parametra, mbi të cilat mbështeten për të vlerësuar cilësisht “ngarjen e makinës”. Së pari, thonë ata, kur është në duar të sigurta, makina nuk duket se udhëton mbi tokë, as tronditet dhe as shkon sipas tekave të saj, sa majtas-djathtas, nuk përkundet si djep, por rrëshqet ëmbël si një motovedetë mbi sipërfaqen e qetë të detit dhe, e dyta, vlerësimin profesional të shoferit mund ta bësh në bazë të aftësisë së tij për të reaguar shpejt ndaj çdo të papriture, për t’i dalë përpara çdo rreziku që mund të kërcënojë gjatë udhëtimit jetën e tij dhe të pasagjerëve, por edhe atë të çdo qenieje të gjallë që i del përpara. Por, a mund t’i plotësojnë këta dy parametra robotët? Sipas inxhinierit Kris Urmson, specialist në kompaninë Google, që ka marrë përsipër eksperimentin për të zëvendësuar shoferët me robotë, në këtë drejtim, ata (robotët) i tejkalojnë edhe shoferët më të mirë. Ai e ka nxjerrë këtë përfundim nga një udhëtim eksperimental që organizoi kjo kompani para disa kohësh, në të cilin morën pjesë makina të markave Prius dhe Leksus nëpër rrugët e Kalifornisë dhe të Nevadës, duke përshkuar me mijëra kilometra pa asnjë aksident ose devijim nga programi. Analizat konkrete të informacioneve të marra, treguan se makinat frenonin shumë më rrallë sesa njerëzit, se distancat mes tyre respektoheshin me rigorozitet, se robotët u shmangeshin përplasjeve me makinat që u dilnin përpara, shumë më me shkathtësi sesa njerëzit, etj. Kompania Google ka filluar eksperimentet me rotët që në vitin 2010. Fillimisht, në krah të robotit qëndronte një specialist i gatshëm për të marrë situatën në dorë në rast se do të dilnin probleme, por ata nuk ndërhynë pothuajse në asnjë rast. Ligjet e Kalifornisë, Nevadës dhe Floridës lejojnë testimin e makinave të drejtuara nga robotët në rrugët komunale. Sipas ligjeve të këtyre shteteve, përgjegjësia në raste aksidentesh bie mbi prodhuesit. Makinat në rastin e eksperimentit ishin pajisur me aparate që informonin nga çdo largësi qendrën për mbarëvajtjen e eksperimentit. Më tej, inxhinieri Urmson thotë se gjatë përshkimit të mijëra kilometrave pati vetëm një mundësi aksidenti: Kur një automobil tjetër e parakaloi robotin mu para semaforit, por ai “nuk e prishi gjakun fare”, as shau e as e kërcënoi, sikurse do të bënte çdo shofer në botë, por u tërhoq dhe i “hapi rrugë” shkelësit të rregullores duke frenuar lehtë, pa nxitim dhe nervozizëm… E kuptuat, se pse tani, sidomos pas këtij eksperimenti, specialistët e Google janë të bindur se robotët i ngasin makinat më mirë edhe sesa vetë njerëzit?!
Advertisement