“E dua atë djalë, mami dhe nuk martohem me askënd tjetër!”, kjo është fjalia që kam dëgjuar tri herë në ditë nga ime bijë para gjashtë vjetësh.
Si të rinjtë e sotshëm, që nuk kanë asnjë lloj kompleksi për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e tyre, edhe ime bijë këmbënguli për t’u fejuar me djalin që kishte zgjedhur, derisa as unë nuk pata asnjë zgjidhje tjetër përveçse të thoja “jam dakord”.
Kështu, filluan gëzimet dhe shqetësimet e mia me martesën e vajzës sime. Ajo, sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe ne prisnim që ajo të fitonte ndonjë shkollë që të vazhdonte edhe më tej, por s’ishte e thënë. Djali që kishte njohur ishte me shkollë të mesme, por punonte si zdrukthtar me të atin. Është bukurosh, të merr në qafë nga pamja, që të mos i ha hakun është edhe punëtor. Punon në të njëjtin dyqan me të atin, duket djalë i përkushtuar, por siç janë rinia e sotshme që sapo të gjejnë mundësi, vidhen nga puna e nga përgjegjësitë. Pas këmbënguljes së fëmijëve tanë, u detyruam të shpallnim fejesën e vajzës dhe ata dilnin bashkë, dhëndrri vinte shumë shpesh te ne.
Duke e njohur gjithmonë e më shumë, filloi të na pëlqente. Pastaj, edhe sikur të mos na pëlqente, duhej medoemos të fillonim ta donim sepse na kishte marrë gjysmën e shpirtit; vajzën tonë. Më skeptikja kam qenë unë, im shoq e mori pak më me të butë, por ishte e shkruar të bëhej. Pas dy vitesh fejesë, vajza u martua dhe ata morën shtëpi me qira që të jetonin vetëm, ta provonin se sa mund ta përballonin vetë. Ishte veprimi më i mirë që bënë prindërit e dhëndrrit, jo vetëm e hodhën si ide, por u gjetën një shtëpi afër shtëpisë së tyre, ua paguan për një vit qiranë që ata të mos e fillonin me shumë probleme jetën e tyre familjare. Dhëndrri vazhdonte punën me të atin, edhe vajza ime filloi punë si recepsioniste në një bankë. Nuk kishte ndonjë rrogë shumë të mirë, por gjithsesi, shkonte e vinte në punë si njeri. Orari i punës për të dy ishte i gjatë, edhe familja jonë, edhe prindërit e dhëndrrit i ndihmonim me ç’të mundnim. Edhe ata ishin familje e rregullt, prindër të përkushtuar ndaj fëmijëve e rregullave të familjes. Ata kishin edhe tre fëmijë të tjerë, kështu që barra kryesore na ra neve që të përkujdeseshim për ta. Ne kishim edhe vajzën tjetër, por ajo ishte në shkollë të lartë e për momentin, nuk po na sillte ndonjë shqetësim në shtëpi. Kështu, unë dhe burri im krijuam një orar të saktë nga puna në treg pastaj në shtëpinë e vajzës për të lënë aty pjesën e tyre e pastaj në shtëpinë tonë. Ai që kishte radhën e tregut (sepse unë dhe burri im e bënim me radhe) ditën që do sillej për të mbaruar pazaret lodhej, vinte i këputur në shtëpi, por dihet si janë prindërit për fëmijët.
Dimri erdhi bashkë me virozat e stërzgjatura dhe kështu, burri im u sëmur me grip e më pas i dolën edhe një mal me sëmundje të tjera. I sëmurë, filloi të mos shkonte në punë dhe mbetej vetëm alternativa e raporteve derisa mjekët na e përcaktuan të qartë diagnozën e tij: Kancer në mëlçi. Na thanë se kishte afërsisht edhe tre muaj jetë. Kjo ishte shumë e rëndë, kuptohet, derisa e pranuam në mendjet tona se ai shumë shpejt s’do të ishte mes nesh. Përkujdesi që duhej në këtë periudhë nuk ishte vetëm nga ana fizike, por edhe ana financiare. Të gjitha gjërat që bëra që burri im të vuante sa më pak, xhepi ynë nuk i përballonte. Një i afërm i yni na ndihmoi sa për fillim dhe kur është puna për keq, koha kalon shumë shpejt. Tre muaj kaluan dhe burri im ndërroi jetë. Dhimbja për humbjen e tij ishte shumë e madhe, ai ishte shumë i ri dhe pastaj, sapo kishim filluar t’i vinim punët në vijë, vajza u martua, tjetra ishte në fakultet, por s’është e thënë.
Sapo kishim filluar t’i gëzoheshim qetësisë prindërore me vajzat pothuajse të rregulluara. Në gjithë këtë tronditje të familjes, njeriu që na u gjend më pranë ishte dhëndrri që unë aq shumë e kam sharë para se vajza ime të fejohej. Me të vërtetë që jo vetëm vinte çdo orë e më ndihmonte që ta zhvendosnim tim shoq sepse ne nuk mundeshim, por të gjithë përkujdesjen e bëri si të ishte babai i tij. Ia them vajzës time njëmijë herë se ia ka borxh këtë shërbim edhe ajo prindërve të tij. Nuk ishte e thënë që familja jonë të kishte vetëm një miqësi me atë të dhëndrrit. Motra e dhëndrrit u martua me djalin e vëllait tim dhe mua më duken të lumtur. U takuan për herë të parë në funeralin e burrit tim dhe me sa duket, aty janë pëlqyer. U gëzova kur e mora vesh lidhjen e tyre sepse tashmë kisha filluar t’i njihja krushqit dhe më pëlqenin. Unë dhe vajza e vogël që ishte në shkollë jetonim bashkë tashmë e duhej ta pranonim se babi nuk ishte më. Akoma edhe sot e kësaj dite më duket sikur ai lëviz nëpër shtëpi për të na ndihmuar.
Dhëndrri e kujton vazhdimisht, më shumë me fjalët që do t’i ketë treguar vajza ime për kohën kur unë kundërshtoja, ndërsa i ati ishte më i qetë. Prapë e dua dhëndrrin, edhe pse ma vë në dukje faktin që unë nuk kam dashur lidhjen e tij me vajzën. Vajza tjetër sapo është fejuar, por si gjithë rinia që janë pa punë, edhe ata mbetën kafeve me të fejuarin. Shpresoj që edhe ata të rregullohen dhe t’i shoh të lumtur. Nuk e di me cilin dhëndërr do më duhet të pleqëroj apo do mbetem vetëm, siç ka dalë moda tani, që çiftet duan të rrinë vetëm, por gjithsesi, do jem mirë për aq kohë sa vajzat e mia do të jenë mirë. Blerta