– Kam një pyetje për psikopediatrin tuaj. Djali i vëllait tim ka disa sjellje aq të çuditshme, saqë ndonjëherë them se mos është i çmendur. Shpesh bën veprime të cilat nuk i kuptoj, mbyllet në vetvete, acarohet me motrën e vet, bëhet agresiv e pastaj sillet mirë. Ai është shpesh i dhunshëm, ua kthen fjalën prindërve, sado që i jap këshilla. Për momentin bën sikur i pranon, por pastaj sillet si gjithmonë. Pra, ka një çrregullim të karakterit. Nga se shkaktohen këto sjellje karakteriale të çuditshme? Theksoj se është 12 vjeç. Zonja nga Tirana.
Selami Deraj, psikopediatër: – E nderuar zonjë, kemi folur edhe më parë për sjellje të tilla dhe këtë herë do t’ju flas për sindromat karakteriale, grup shenjash këto te fëmijët dhe adoleshentët, një numër shqetësimesh që lidhen me karakterin e individit të veçantë. Në këto shqetësime që shfaq nipi juaj dhe shumë fëmijë të tjerë apo adoleshentë, luajnë rol disa infeksione gjatë barrës së nënës, helmimet dhe infeksione të tjera që helmojnë fëmijën pas lindjes, infeksione të cipës së trurit në moshat fëmirore, traumat e ndryshme të kokës, si dhe sëmundja e tokës. Gjithmonë ka disa faktorë që quhen favorizues, që të ketë sindromë karakteriale si për shembull: Disa anë negative në familje, shthurje prindërore, grindjet e keqtrajtimet midis vetë familjarëve, si dhe fëmijës së tyre. Disa prindër i inkurajojnë vetë fëmijët e tyre të bëjnë veprime të ulëta, si vjedhje, pjesëmarrje në grupe kriminelësh e keqbërësish, dëfrim elektronik dhe sjellje morale të këqia. Vetë edukimi i keq, i gabuar, i shtrembëruar ose keqtrajtues i fëmijës ose teprimet përkëdhelëse ndaj tyre, teprimet kapriçioze, ushtrojnë ndikim negativ te fëmijët. Këta fëmijë kanë dobësi të karakterit, çrregullime të sjelljes së tyre, edhe pse zgjuarsia (koefiçienti intelektual) mund të jetë mbi mesataren.
– Duke qenë karakterialë, këta fëmijë të dëmtuar që kanë nevojë të ndihmohen që me shfaqjen e simptomave, duhet të kërkojnë ndihmë para se të bëhen problematikë. Jo rrallë, ata bëhen të padurueshëm, problematikë në familje e në marrëdhëniet shoqërore. Egocentrizmi i zmadhuar i këtyre fëmijëve i pengon, i verbon të sillen mirë dhe i shtyn ata në konflikte të vazhdueshme që nuk pushojnë me familjen e kudo që ndodhen e ballafaqohen. Reagimet ndaj ngacmuesve të jashtëm nuk i përgjigjen normalitetit. Qëndrimi negativ formon elementë themelorë të këtij disekulibri të karakterit. Fëmijët ose adoleshentët (këta të dytët, më të egër) me këtë sindromë, ofendohen lehtë e nxehen kot, kanë tendencë të sjelljes së çorganizuar ose agresive në adoleshencë. Vihen re këto në fjalë dhe veprime fizike. Këshillimet e përdorura nuk kanë efekt e po ashtu, as qortimet. Një veçori tjetër e këtyre fëmijëve ose më të rriturve (adoleshentë) është mungesa e dhembshurisë, si dhe fakti që nuk janë mirënjohës. Kanë mungesë adaptimi, keqpërshtatje dhe vështirësi disiplinimi, nuk njohin frikën dhe kur rriten, nuk u binden ligjeve. Ata nuk i besojnë asnjë njeriu dhe nuk preken nga ngjarjet emocionuese, janë kokëfortë, të pasinqertë dhe, siç thotë populli, bëjnë intriga nën rrogoz. Ata nuk binden të ndërrojnë rrugën e gabuar, por nëse me kohë ndërrojnë kushtet e ambientit të jashtëm, veçoritë karakteriale mund të zbuten. Ambientet shoqërore të larmishme e të ngrohta zbusin veçoritë karakteriale, ndërsa e kundërta, i acaron më shumë ato. Ndihma është komplekse.
Advertisement