Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më paralizuan mjekët!

Jeta është e çmuar, këtë e dimë të gjithë, e kemi dëgjuar qëkur kemi filluar të kuptojmë atë çka thuhet, por rrallë njerëz e kuptojnë këtë deri në momentin kur u ndodh diçka. Një ndër këta persona jam unë. Kur jetën e kisha ashtu siç duhet, nuk dija ta vlerësoja. Tani e kujtoj atë kohë e mendoj se sa egoiste kam qenë.
Tani jam një grua 40 vjeçe. I mbusha para pak ditësh 40 vjetët e ndoshta prandaj vendosa dhe ta shkruaj historinë time, sepse ndihem pak si melankolike. Kam një fëmijë, djalë, i cili ka dy vjet që studion në Skoci. Ëndrra ime ka qenë që ai të fitonte një bursë të mirë dhe me shumë punë, ia arrita. Qëkur kam mbaruar shkollën, kam bërë punë shumë të mira e me rrogë gjithmonë të mirë. U diplomova në matematikë dhe asnjëherë nuk kam mbetur pa punë. Burri ishte shumë i mirë. Ishim dashuruar në shkollë dhe e donim njëri-tjetrin, mirëpo ai ishte pak si indiferent ndaj meje, nuk ishte aq i përkushtuar dhe unë nuk e duroja dot këtë gjë. Mërzitesha shumë nga indeferentizmi i tij dhe vetëm ziheshim, por më e keqja është se edhe tani që e mendoj, më duket se ai e kishte fajin. Në të gjithë librat e filmat lexojmë e shohim se njeriu që mbahet afër, nuk gabon kurrë, ndjehet më i qetë. E ç’faj mund të kisha unë?
Mirëpo e keqja nuk më erdhi nga kjo. Rreth moshës 36 vjeçare kisha shumë probleme me shëndetin e kryesisht, problemet gjinekologjike. Kishte kaluar një kohë e gjatë qëkur kisha lindur dhe pas lindjes së djalit, kisha provuar të mbetesha shtatzënë, por edhe njëherë që mbeta, abortova kur isha 10 javëshe. Dy ditë pas abortit isha mirë, pastaj kisha temperaturë e menjëherë më shtruan në spital. Isha në gjendje shumë të rëndë sepse kisha qafën e mitrës jo në rregull dhe ajo nuk i linte mbeturinat të dilnin jashtë, kështu që vetëm pas tre javësh mjekimi intensiv, munda të dilja nga spitali. Që nga ajo kohë, nuk kisha bërë asnjë kontroll.
Nuk kisha patur shqetësime, përveç kohës kur po flas. Shqetësimet filluan të shtoheshin dhe me zor të madh shkova të bëja një vizitë.
Sapo mbarova vizitën, doktori më tha se duhet të filloja menjëherë mjekimin dhe pas tij, të konsultohesha me një mjek kirurg. Në atë çast, u stepa, por ai më siguroi se ishte një operacion i thjeshtë.
Pas mjekimit, meqenëse nuk kisha përmirësime, duhej të operohesha. Djali im atëherë nuk ishte në shkollë të mesme dhe u mërzit shumë. E qetësova duke i thënë se ishte një gjë shumë e vogël, madje mjekët do ta kryenin operacionin shumë shpejt. Vetë gratë e kuptojnë se si do të kryej (nuk do të çahesha në bark). Kur ia thashë burrit, ai reagoi siç mund të reagonte vetëm ai.
– Vetë e ke fajin, duhej të ishe kontrolluar më shpesh. – tha, sikur unë të doja të sëmuresha.
Në fakt, më mërziti me këtë që tha, por tashmë më duhej të mendoja se si t’ia thoja nënës e cila ishte e vjetër dhe e sëmurë me tension. Mendova të mos i thoja gjë. U thashë motrave që t’i thonin një gënjeshtër. Shkova te nëna një ditë para operacionit dhe i thashë se do të ikja me disa shoqe për qejf. Ajo ishte me të vjetrën dhe menjëherë më tha:
– I ke thënë burrit? Se, pastaj, ku i dihet!
– Po, nënë, rri pa merak. Si do të shkoja pa i thënë atij?
– Mirë, – më tha, – ke nevojë për ndonjë lek?
– Jo, – i thashë – faleminderit. – Dhe e putha fort, edhe pse doktori me kishte siguruar se ishte një minioperacion.
Ajo gjithmonë kështu më thoshte, a i kisha marrë leje burrit dhe a kisha lekë, edhe pse e dinte se isha mirë nga gjendja ekonomike.
Të nesërmen u shtrova në spital dhe nga ora 12, çdo gjë kishte mbaruar. Më kishin ardhur motrat, babi e djali, sepse burri nuk kishte marrë dot leje. Kështu ishte ai. Merrte leje për ndonjë dasëm a për të shkuar me shokët për drekë, kurse për rastin tim nuk kishte marrë. Ai tha se “i thashë shefit, por nuk më la”. E kush e beson? Unë jo, për vete.
Nejse, unë e kisha pranuar ashtu siç ishte. Operacionin e kishin bërë vetëm me mpirje lokale siç i thonë doktorët, që do të thotë me një gjilpërë që bëhet në shpinën kurrizore dhe mpin të gjithë pjesën e poshtme të trupit nga mesi e poshtë. Sipas tyre nuk kishte nevojë për më tepër mpirje. Pas operacionit, doktori erdhi tek unë dhe më tha se çdo gjë kishte shkuar për mrekulli. Tashmë, nuk kisha asnjë problem. Më duhej të rrija disa orë shtrirë derisa të më çmpiheshin këmbët. Njerëzit e mi të afërt u larguan dhe mua, nga qetësuesit, më zuri gjumi.
Kur më doli gjumi, pashë se ishte errësuar. Te koka e krevatit po rrinte djali im dhe burri, i cili kishte pak që kishte ardhur. E harrova mungesën e tij gjatë gjithë ditës dhe i thashë të më ngrinte pak nga krevati. Bëra të ngrihesha, por nuk ngrihesha dot. Këmbët akoma nuk më ishin çmpirë. Thirrëm infemieren dhe ajo bëri një gjest habie, sepse pas gjithë asaj kohe, normalisht duhej të ecja e të shkoja në banjë. Lajmëroi menjëherë doktorin dhe ai më vizitoi, por kur ai m’i prekte këmbët, unë nuk ndjeja asgjë. Erdhën edhe shumë doktorë të tjerë e shumë vizita, por përfundimi ishte vetëm një: Kur më kishin bërë gjilpërën në shpinë, padashur më kishin prekur një nerv dhe kështu, këmbët e mia tashmë ishin të paralizuara. Ishte një gjë e tmerrshme! Isha shtruar në spital për disa orë ose më së shumti një ditë dhe tani po dilja nga spitali me karrocë invalidi. Askush nuk e kishte besuar këtë, madje disa njerëz më kishin thënë se kjo mund të kalonte me mjekime dhe me ndonjë ilaç popullor, se nuk kisha nevojë të operohesha, por nuk i dëgjova, u besova doktorëve.
Nuk kisha ç’të bëja. Paska qenë fati im! Shkova në shtëpi dhe mendoja se si do t’ia thoja nënës. Babi ia kishte thënë përpara dhe e kishte përgatitur paksa, por kur më pa ashtu, asaj i ra të fikët. E kisha gënjyer se do të shkoja për pushime dhe tani po më shihte në karrocë…
– Më vjen keq që të gënjeva nënë!
– Nuk është aty puna bijë, por si mund të eci unë kur vajza ime nuk ecën? E ç’më duhet jeta tani?
– Mos u mërzit, doktorët më kanë dhënë shumë shpresa.
– E pse duhej të ishte kështu fëmija im më i urtë? – qante ajo pa pushim. Edhe djali që rrinte në kolltuk, qante me lot. Edhe motrat, gjithashtu. Në atë dhomë, vetëm burrit tim nuk i kishte ndryshuar aspak ritmi i jetës. Rrinte e shihte me vëmendjen më të madhe televizorin.
Edhe pse isha në një hall më të madh, ai më mërziste shumë. Që nga ajo ditë unë nuk kam ecuar akoma me këmbët e mia. Ka pak që po përdor paterica, por është shumë e vështirë dhe më duhet një njeri që ta kem me vete, sepse lodhem shpejt. Burri gjatë gjithë fizioterapisë as nuk erdhi me mua dhe as më ndenji afër. Vetëm kur ishte puna të bënte dokumentet e djalit, u mor me to, pavarësisht se lekët i kisha kursyer unë që më parë. Pas operacionit unë humba punën dhe kisha vetëm pensionin që më jepte shteti. Fati i madh ishte se kisha punuar më parë dhe kisha lekë.
Jeta më kishte mbaruar sakaq. Bëja një jetë të larmishme, pas pune dilja me shoqet (të cilat që të gjitha më braktisën), shkoja në plazh, për ski e gjithfarë kënaqësish, kurse tashmë isha mbyllur në shtëpi, pa njeri…
Nëna e përjetoi shumë keq paralizën time, por ende jeton dhe madje më ka ndihmuar shumë për gjithçka. Po të mos kishte qenë ajo, babi, motra e djali do të kisha bërë ndonjë gjë e të ikja fare nga kjo botë, por dashuria që ata më dhanë, më bënë që ta festoj 40 vjetorin.
Burri ka ndryshuar shumë. Herë vjen e herë jo në shtëpi. Nuk ka asgjë që ta tërheqë të vijë aty. Ai s’më kishte dashur kur isha tamam e jo më tani, mirëpo unë do të luftoj që të paktën të eci me një patericë. Sa herë kujtoj vitet që kam kaluar me shumë intensitet, mendoj se i kam jetuar në atë mënyrë, që të kaloj këto të tjerat kështu pa lëvizur, por unë jam shquar gjithmonë për shumë kurajo dhe guxim, kështu që shumë shpejt do të ngrihem në këmbë, derisa të bëhem ashtu siç isha.
Për burrin nuk do të kem nevojë, por prapë se prapë nuk dua që mbi djalin tonë të bjerë edhe dhimbja e divorcit. Për momentin, kam si pikësynim vetëm të eci. Bëj stërvitje ashtu siç më thotë fizioterapisti dhe me këmbënguljen time, jam e sigurtë se do t’ia arrij…
Kaq për tani. Do t’ju shkruaj përsëri kur të eci me këmbë dhe të kem arritur të nis punën, që të mos jetoj më me pensionin e shtetit. Mirë u dëgjofshim!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ola Harizaj: Bëj kompromis vetëm për vajzën time!

Next Post

Ja, synimi që i vë vetes mbesa e Berishës...

Advertisement