Koha dhe vitet sillen miqësisht me Artisten e Popullit Margarita Xhepa. Jeton vite të lumtura, ka përreth njerëz që e duan dhe prania e saj në çdo ambient, krijon ndjesi të veçanta te të gjithë. Këtë intervistë me të e bëmë në Athinë, ku atë e ka sjellë krijimi i degës së fondacionit kulturor mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”. I rastësishëm ishte për të edhe takimi me një vajzë të cilën e kishte mbajtur në shtëpinë e saj para viteve ’90. Teksa i thotë se kush është, Margarita Xhepa dhe Diana Beu bien në një përqafim malli ku shtrëngohen plot kujtime. Me këtë rast, artistja e skenës dhe kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, na dha këtë intervistë…
– Sapo ju pashë të përloteshit ndërsa takuat një të njohurën tuaj të vjetër… Si ju erdhi kjo njohje pas kaq vitesh?
– Mirënjohje e madhe. Lotët e Dianës më prekën. Kjo më bën të vazhdoj me këmbëngulje çdo mision për të bërë vetëm mirë, sa të kem jetë. Nuk më kujtohej pasi kishte ndryshuar, por sapo më tha emrin dhe kujtoi vitet kur konkurronte për shkollën e lartë, m’u shfaq gjithçka para syve. Kanë kaluar shumë vite, por rruga e jetës na lidhi sërish.
– Ju keni marrë titullin Nderi i Shoqatës “Nermin Vlora Falaschi” dhe jeni aktiviste e saj. Në çfarë pozite e shihni gruan, nënën shqiptare, aktualisht?
– Ajo që thekson karakaterin e gruas shqiptare është dashuria për familjen, ku ajo jep veten për të tjerët. Mrekullia e saj nuk ndalet vetëm këtu, por edhe te puna e bukur që bën. Plagët e shoqësisë shqiptare e kanë plagosur gruan shqiptare, por ajo sot gjendet në një vend ku e respektojnë pasi sot kemi deputete, drejtoresha, në poste që dikur drejtoheshin vetëm nga burrat. Ndaj, për të qenë në nivel më të barabartë, me anë të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, japim mesazhin dhe bëjmë thirrje për më shumë vëmendje ndaj vlerave të gruas, pasi ajo është një nënë që ka lindur edhe udhëheqësit e drejtuesit.
– Edhe pse me probleme shendetësore për shkak të këmbës, ndiqni çdo ngjarje të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”?
– Ne krijuam degën edhe në Greqi dhe unë nuk mund të mungoj në këtë mision kaq të rëndësishëm për gruan intelektuale shqiptare.
– Mendoni se shumë gra do të jenë pjesë e këtij fondacioni sepse aty është Margarita Xhepa?
– Në këtë fondacion vijnë gra që japin për shoqërinë dhe vendin tonë. Edhe po të mos ishte Margarita, ato do të vazhdonin, por prania ime u jep entuziazëm për të vazhduar këtë mision të rëndësishëm të lënë në amanet nga e madhja Nermin Vlora Falaschi.
– Ju jeni një artiste e madhe, ndërkohë që vazhdoni të kontribuoni momentalisht edhe në misionin për mbështetje të gruas intelektuale shqiptare. Çfarë do të arrijë më shumë Margarita Xhepa?
– E kam dashur artin kur nuk e kuptoja dhe tashmë që ndihem kaq e sigurtë, dua të jap gjithçka që kam. Isha më fat që jetova në kohërat dhe plejadën e të mëdhenjve, ku mora kaq shumë. Përkushtimi im do të jetë gjithmonë aktiv, jo vetëm në skenë, por në çdo fushë.
– Keni bashkëpunuar me disa regjisorë grekë. Do të donit të kishit të tjera bashkëpunime të tilla?
– Shumë ëndrra u bënë realitet kur bashkëpunova me këta regjisorë. Dua të kem bashkëpunime të reja dhe fjala shpresë, më pëlqen. Dua t’i falënderoj për bashkëpunimin regjisorët Jorgo Koras, Vangjelis Theodhoropollos, Kristo Vukuras, Sotiris Akzaqis me të cilët kompletova pjesë të rëndësishme së punës sime në teatër dhe kinematografi. Kanë vlera të mëdha në punën e tyre. Ndjej se kam akoma për të dhënë dhe do të jem e gatshme për çdo bashkëpunim të ri.
– Çfarë e bën Margarita Xhepën kaq të bukur në pamjen e saj. Ka sekrete bukurie që ajo s’i ka thënë?
– Asnjë sekret! (Buzëqesh) Nuk përdor kremra dhe produkte te kozmetikës. Kjo është një bukuri natyrale, e trashëguar.
– Çfarë nëne keni qenë me tre djemtë tuaj?
– Kam qenë një nënë jo shumë liberale. Me modesti, kam treguar kujdes të veçantë, duke ndihmuar tre djemtë e mi për të qenë pozitivë në çdo hap të jetës. Nuk kemi ndikuar në zgjedhjen e profesioneve të tyre, gjë që tregon se ata kanë qenë përgjegjës për jetën e tyre. Bashkë më bashkëshortin tim Xhavit Xhepën, kemi qenë prindër që treguam vëmendje për fëmijët tanë.
– Keni luajtur shumë role nënash… Keni ndikuar ju në përmbushjen e tyre apo rolet ju kanë bërë nënë më të kompletuar?
– Të dyja kanë ndikuar te njëra-tjetra, kanë dhënë dhe kanë marrë. Arti ka qenë universiteti im ku kam marrë gjithçka, por personazheve të nënës u kam veshur më shumë dashuri dhe ndjeshmëri, që e kam përcjellë me gjithë shpirt.
– Mendoni se Ndriçimin në punën e tij e ka ndihmuar fati apo talenti?
– Mendoj se Ndriçimi ka talent për të qenë aktor, por dhe fati të jep mundësi që t’i shfrytëzosh mundësitë në kohë. Edhe pse nuk ka pasur ndikim nga ne si prindër që të ndiqte aktrimin, zgjedhja është e Ndriçimit dhe për fat, ia ka dalë mbanë shumë mirë.
– Ndërkohë, ju jeni edhe gjyshe… Si ndiheni afër nipërve tuaj?
– “Fëmija i fëmijës është dy herë fëmijë”, thonë grekët, ndërsa në themi që “nipërit janë mjalti i mjaltit”. Lumturia më e madhe është kur bëhesh gjyshe, ndaj çdo femër duhet të bëhet nënë. Siç e thotë edhe Andromaka tek “Euripidi”, “ajo nënë që s’ka lindur është baraz me e vdekur”. Uroj që të gjitha gratë të bëhen nëna, për të marrë kënaqësinë më të madhe të jetës, kur të bëhen gjyshe.
– Sa kohë u kushton nipërve gjyshja apo nipërit gjyshes?
– Jam e kënaqur që më mbushin kohën time dhe që më falin shumë dashuri. Gjatë gjithë kohës pranë tyre ndihem energjike, pasi janë pika ime e dobët.