“Terapia”
Thonë, çdo gjë nis nga vetja
Ndaj, do bëj një “autoterapi”
Nisa të flisja për “rastin”
Ndihesha si një “klient i ri”!
Mbas disa seancash kuptova
Qe s’më mjafton psikoterapia
Sa nisja të vija buzën në gaz
Nga malli më pushtonte mërzia…
Dhe prapë i këshillova vetes
Një psikanalizë të mirë
Në rrëfimet e seancave
E gjeja veten të lirë!
Vazhdoja të trajtohesha
Ta harroja këtë dashuri
Por në çdo rrëfim seance
Gjendesha sërish te Ti! V. Kalemi.
Veç loti le t’më dehë!
Do e pi ngadalë sonte konjakun
me fytyrën tënde në imagjinatë
të dehem për sytë e tu e dashur
xurxull do bëhem këtë natë.
Po le të qeshin vargjet me mua
le të qeshë dhe dashuria
ai pikë loti që në konjak ka pikuar
‘Veç ai” le të marrë mend’t e mia…
E…, do të dehem, po, po!
Ta djeg shpirtin me k’të farmak
veç gotën ku loti pikoi
do e pi ngadalë e nga pak.
Çdo gotë e çdo shishe tjetër
do ta hedh tutje në ajër
vetë do fluturoj tutje në hapësirë
të t’puth njëherë…
para se mëngjesi të zbardhë! Ylli Jahaj