– Jam Nikolini. U bë të paktën një vit që vuaj prej rrufës alergjike, por në këtë kohë më është theksuar më shumë, sidomos natën, mezi më zë gjumi sepse i kam gjithë kohën hundët e zëna, të bllokuara. Kam marrë mjekim para disa kohësh, por nuk kam ndryshim. Doktori më tha se kam trashje të mukozës së hundës dhe mora antibiotik e më kaloi, por tani jam prapë njësoj. A ka ndonjë mjekim popullor apo duhen bërë analiza të tjera? Ju, çfarë më thoni, si doktoreshë? Faleminderit.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Përshëndetje Nikolin! Ju falënderoj për letrën. Ju më shkruani se vuani prej një viti tashmë nga rrufa alergjike dhe nuk keni gjetur kontrollin e duhur për mjekimin tuaj. Një rrufë e pamjekuar dhe e patrajtuar siç duhet, bëhet një vuajtje dhe një stres i madh për personin që e ka, ndaj ju rekomandoj sa më shpejt një konsultë me mjekun alergolog pasi nuk besoj të jeni konsultuar gjer tani me një specialist të kësaj fushe.
– Rrufat alergjike mjekohen shumë mirë dhe me anë të mjekimit bëhet jo vetëm reduktimi gati i plotë i shqetësimeve, por parandalohen edhe pasojat që japin këto gjendje alergjike, siç është astma bronkiale. I vetmi mjekim që e realizon këtë është mjekimi me vaksina (mjekim ky i sistemit tonë imunitar) i cili vendoset dhe ndiqet nga mjeku i alergjisë, kudo që të jetë. Ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe mos vononi të kontaktoni me mjekun alergolog.
Advertisement