Zanat i lashtë. Punën e nis me këndimin e gazetave. Sa nuk më pushoi zemra nga gazi! Në Lezhë një deputet për 140 mijë lekë ka blerë kalanë e Lezhës! Padi në prokurori. Por ferra e mori uratën! Kalasë i kanë dalë brinjët nga antenat që janë vënë për të vjelë qira pronari!…Në Lushnjë e Tropojë u arrestuan drejtorët e OSHEE. Vidhnin korent?!
…Kontolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar, se ka shpërdorim të fondeve në tenderat e ministrinë e Drejtësisë!…Shkelen ligjet, në binanë që është ngritur për mbrojtjen e tyre? Pardon! Shpërdorim fondesh në tendërime ka edhe në kryeministri?! Lum kush të rrojë!
Lashë gazetën dhe rrëmbeva librin: “Kaput”. Autor shkrimtari italian Malaparte. Mes të tjerave, autori tregon se një ditë personazhi i tij, hyri në një bar të Napolit. Lokali ishte i mbushur me miza. Mes mizash qëndronte baristi.
-Pse nuk filloni një luftë kundra mizave? Në veri të Italisë e kanë bërë këtë luftë dhe lokalet janë të pastërta.
I zoti i lokalit, pa e bërë qejfin qeder, pasi vrau dy miza mbi tavolinë, u përgjigj:
-Këtë luftë e filluam edhe ne. Por betejën e fituan mizat!…
Edhe qeveritë tona kanë ngritur institucione. Kanë “gatuar” ligje të kopjuara nga evropianët, me asistencë amerikane. Ka bërë e ç’nuk ka bërë por…si puna e mizeve në Napoli…