Anxhela Peristeri është nga ato këngëtare që edhe pse mund të mungojë për shumë kohë në skenë, kur kthehet, di ta bëjë në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur. Pas klipit “Femër mediatike” i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm, ajo vjen te Kënga Magjike me një baladë të goditur, duke nisur që nga titulli “Ai po ikën” dhe duke vazhduar edhe në elementë të tjerë që e bëjnë këtë këngë të kompletuar. Anxhela flet në këtë intervistë edhe për anën personale, po aq sa për atë profesionale!
Fabjola Kuburi: – Anxhela, jemi në sezon festivalesh dhe ti je rikthyer fuqishëm me një baladë te Kënga Magjike…
Anxhela Peristeri: – Vërtet, kam një këngë që edhe mua më pëlqen shumë. “Ai po ikën”… Zakonisht, ai ikën! (Qesh)
– Kush po i ikën Anxhelës?
– Realisht, nuk më iku asnjeri sepse nuk erdhi, që të ikte. Ndoshta, duhet ta titulloja këngën “Ai po vjen”. (Buzëqesh)
– Po thua se në jetën e tënde, ka ardhur “ai”?
– Jo, akoma nuk ka ardhur, ama po e pres! (Qesh)
– Pse vendose të marrësh pjesë pikërisht në këtë festival?
– Sepse për mua është festivali më prestigjoz në Shqipëri dhe, të them të vërtetën, mezi po e prisja. Më pëlqen Ardit Gjebrea dhe evenimentet e tij. Meqë ai më ka lançuar për herë të parë dikur, në fillimet e karrierës time, dëshiroja të më rilançonte, pas gjithë kësaj kohe që kam munguar në festivale.
– Nëse nuk gaboj, ti në klipin “Femër mediatike”, ke edhe një balerin të famshëm grek, që interpreton në krahun tënd. Me një mashkull të tillë në klip, nuk duhet aluduar asgjë mes jush?
– Ah, jo, asgjë nuk duhet aluduar. Djali me emrin Billy, është një balerin shumë i njohur grek dhe po e sqaroj për audiencën femërore, se është i lirë! Jemi thjesht shokë shumë të mirë dhe të vjetër tashmë.
– Çfarë e bën të vështirë jetën e një femre në karrierë?
– Një femër në karrierë, ka vërtet shumë vështirësi, edhe pse duket e kundërta. Thjesht, fakti që je femër, është vështirësi më vete. Kur je edhe femër, edhe në karrierë, është akoma më e vështirë, për arsye se meshkujt, shumë të rrallë, arrijnë ta kuptojnë këtë fakt. Puna jonë është e vështirë për t’u përballur nga njerëz jashtë kësaj pune.
– Ti ke jetuar në Greqi për shumë kohë dhe, kur u ktheve, flisje shumë për Greqinë. A shkon shpesh tani atje?
– Unë vazhdoj të punoj me shtetin fqinj dhe kjo më bën të lumtur sepse mendoja që nuk do mundesha t’i bëja të dyja paralelisht.
– Njihesh si këngëtare e të kënduarit live. Pse të pëlqen kjo gjë?
– Mendoj se të gjithë këngëtarëve të vërtetë u pëlqen të këndojnë vetëm live. Në live jep shpirtin tënd, gjë që me playback, është e pamundur. Kam që në adoleshencë që këndoj live dhe nuk e imagjinoj dot veten time ndryshe. Kënaqem kur kënaq publikun që çdo fundjavë vjen dhe më nderon aty ku këndoj…
– Si është një 24-orësh i Anxhelës?
– 24 orët e mia janë të paparashikueshme. Nuk më pëlqen të bëj plane dhe asnjë ditë për mua nuk është e njëjtë.
– Një klip joshës, e bën më të kërkuar një këngë?
– Çdo klip duhet të përshtatet me këngën. Në qoftë se kënga është e tillë, sigurisht që po. Një femër joshëse është gjithmonë në modë.
– Sa i përket marrëdhënies femër-mashkull, ti, si një vajzë që jeton në botën e artistëve, mendon se sot në muzikë, ngrihet më shumë në kult qenia mashkull apo qenia femër?
– Mendoj se femrat jane më të privilegjuara në këtë aspekt.
– Si ndihesh kur të komplimentojnë?
– Si mund të ndihem?! Super! Çdo femër ka nevojë për komplimente. Femra dashuron me fjalë.
– Ke ndonjë “pasion” të fshehtë, që publiku nuk e di?
– Më pëlqen të shkruaj prozë. Më pëlqen shumë edhe gatimi. Këto janë pasionet e mia të fshehta.
– A ka ndonjë përjetim personal në tekstet e këngëve të tua?
– Jo, unë thjesht interpretoj tekstet që më jepen.
– Çfarë është muzika për ty dhe a mendon se nesër mund ta zëvendësosh me diçka tjetër?
– Muzika për mua është gjithçka. Jo, me asgjë nuk mund ta zëvendësoj.
– A do të të shohim në ndonjë këngë duet?
– Është në planet e mia…
– A ka ndikuar kriza ekonomike tek artistët?
– Sigurisht, kriza ekonomike ndikon kudo, por arti është diçka që ka vlera edhe në krizë. Njerëzit kanë nevojë për muzikë dhe argëtim, për të harruar ndoshta edhe problemet.
– Cila është oferta më e lartë që të është bërë për të kënduar?
– Ka pasur disa të tilla, por gjithsesi, mendoj se nuk është e drejtë të flasim për shifra sepse rëndësi ka që njerëzit duan të më dëgjojnë.
– Si i shikon këngët e tua, si profesionale apo ka gjithmonë më mirë?
– Gjithmonë mundohem të bëj diçka të bukur dhe profesionale, por gjithmonë ka më mirë dhe më e mira është ajo që prek zemrat e publikut. Për atë mundohem.
– Je natyrë xheloze?
– Jo, fare. Xhelozia është sëmundje e njerëzve të dobët.
– Si i ke raportet me telefonin? Çfarë telefoni përdor?
– Raportet me telefonin i kam më se normale. Nuk ka rëndësi çfarë lloji është telefoni, është një telefon që më mbaron punë. Kaq!
– Si fillon një ditë për ty?
– Asnjëherë njësoj. Varet nga impenjimet e ndryshme që mund të kem.
– Ku dhe me kë preferon ta pish kafenë e mëngjesit?
– Me mamin, në kolltukun e shtëpisë sime.
– Dreka, zakonisht, ku të gjen?
– Në shtëpi, me familjen, më të shumtën e rasteve.
– Kur drekon apo darkon jashtë, paguan ti apo ua lë të pranishmëve në tavolinë?
– Edhe unë, edhe miqtë e mi. Varet nga qejfi i secilit. (Qesh)
– Thua ndonjëherë: “Bobo, ça profesioni kam zgjedhur!”?
– Jo, asnjëherë. E dashuroj profesionin tim.
– E mban veten për të shkathët?
– E mbaj veten për njeri punëtor. Të tjerët më thonë se jam edhe e shkathët…
– Çfarë ka në garderobën tënde që nuk do e vishje kurrë?
– Eh, ato që nuk i vishja, tani nuk janë më. Ato që janë në garderobë tani, i vesh të gjitha.
– Ku do jetë Anxhela nesër?
– Gjëja e parë që do bëj, do të shkoj te Joni Peçi për provën e fustanit për Këngën Magjike.
– Po pas 10 vjetësh?
– Ah, këtë nuk e di dhe nuk e përcaktoj dot, por shpresoj të jem përsëri te Joni Peçi për provën e fustanit që do vesh në Kënga Magjike 2024. (Buzëqesh)